• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

EKSKLUZIVE / Orinda dhe Turi: Me Atarën është çdo ditë festë!

Nga Iva Tiço / Fotot: Armand Habazaj / Hair & Make Up: Eva Dibra / Fashion Editor: Niko Komani / Dekori: Geraldina Sposa / Vendndodhja: Geraldina Sposa / Bebi & Beba

Të gjitha bebet janë sigurisht të bukura. Janë gjëja më e bukur në botë, më ëngjëllorja, që të shkrijnë zemrën, që të bëjnë kopertinën e revistës të jetë më e kërkuara dhe bëjnë të buzëqeshë dhe fytyrën më të ngrysur.

Bebet janë të bukura, pa diskutim, por Atara… Epo mirë, më duhet ta them që në filiim (ndonëse i urrej shkrimet në vetë të parë): Atara është vajza e miqve të mi. Por dhe po të mos ishte vajza e Turjanit dhe Orindës, të cilët i njoh së bashku prej shumë vitesh, që në kohën kur nisën të dilnin bashkë, prapë do thoja që është bebja më e bukur që kam parë, me sytë e kristalta, lëkurën e bardhë, rrathët te këmbkat….

Thënë të gjitha këto, vijojmë me pjesën profesionale: Atara është arsyeja e kësaj kopertine, që prindërit e saj patën mirësinë të mos thonë “jo”, edhe pse ishin ditët e ngarkuara të vitit, kur të dy janë sa në regjistrime emisionesh, tek aktivitetet e shumta të fundvitit, kujdesi për të voglën, të cilën deri tani kanë zgjedhur ta mbajnë vetë dhe të ndajnë oraret e ditës e të natës. Pastaj në fund, duke i pasur miq, kërkova që portreti i familjes të plotësohej me Ruby-n, “gocën” e tyre të parë, qenushen që shtoi gëzimin e zhurmën rrotull nesh. Kështu, në fund patëm një kopertinë pefrekte të festave të fundvitit dhe ata kujtimin e parë në një kopertinë revistash, nga shumë e shumë të tilla që do kenë në të ardhmen me Atarën. Sepse Atara është e lindur për kopertina dhe jam e bindur që po unë do t’ia bëj dhe kopertinën e parë vetëm (ja ku e rezervova publikisht).

Ne mezi e kemi pritur këtë rrëfim për jetën tuaj të re me Atarën dhe duam t’i shuajmë ca kuriozitete që në fillim kur bebi dha shenjën e parë, pra testin? Kush e pa i pari, ku ndodheshit, çfarë përjetuat në ato momente, kush qau, kush qeshi? Apo kujt ia dhatë lajmin e bukur të parit?

Orinda – Atarën mezi e kisha pritur. Ishte bekim prej Perëndie dhe të dyja lutemi dhe e falenderojmë Zotin çdo mbrëmje. Por unë nuk ka moment që nuk them faleminderit Zot, sa herë e shikoj e sa herë bën diçka të re. Shpesh herë edhe qaj nga gëzimi.

Ne kishim kohë që ishim gati për këtë mrekulli dhe e dinim që do bekoheshim një ditë. Ndaj unë e jap si mesazh gjithnjë çdo gruaje që mos ta humbasë besimin. Zoti ka gjithmonë planin më të mirë për ne dhe ajo që mund të bëjmë çdo ditë është të lutemi dhe të besojmë në vullnetin e Perëndisë.

Turjani – Testi u bë në mos gaboj ditën e premte. Nga entuziazmi ia thamë çdo të afërmi dhe miqve të ngushtë, sigurisht. Por të nesërmen Orinda mori përgjigjen dhe doli pozitive me Covid. Unë isha negativ, se jam imun ndaj çdo të keqeje në këtë vend (qesh).

A ishte shtatzënia e ndarë me ato fazat klasike, muajt e parë të vështirë e pastaj më të lehtë?

Turjani – Shtatzënia shkoi pothuajse perfekt, vetëm në fund patëm një panik të vogël.

Kush priste fjongo rozë e kush bojëqielli?

Turjani – Ditën që do merrnim vesh gjininë, Orinda kërkoi që mos na shënohej në dokumente dhe të mos e zbulonte. Por unë e mora vetë personin, privatisht dhe i kërkova të ma thoshte. Aty mora vesh që ishte vajzë. Nuk jam ndjerë kurrë aq në faj, sa ato ditë, kur e kisha Orindën vetëm 30 centimetra larg në divan dhe nuk ia thoja. Ajo donte të ma bënte suprizë për ditëlindje, por unë nuk prisja dot deri atëherë. Durova ama deri në ditëlindjen e saj dhe kur ishte në gjumë e nuk e priste fare, ne i bëmë një tortë me miqtë tanë, e cila kur tërhiqej dilnin këpucët e vajzës. Jam një bashkëshort që emocionoj shumë dhe e përlota Orindën atë ditë. Jam ëndrra e çdo vjehrre. (qesh)

Kush ëndërronte sytë e mamit, flokët e babit, temperamenti i gjyshit, qetësia e gjyshes e të tjera si këto?

Turjani – Shtatzënia shkoi përgjithësisht mirë dhe e vetmja gjë që unë doja ishte të merrte sytë e Orindës, për të tjerat isha ok.

Si u zgjodh emri? Patët lista, dyshime, një që e pëlqenit më shumë e një ca më pak? Pritët para se të merrnit vesh gjininë, pastaj të mendonit për emrin apo kishit gati disa opsione?

Turjan – Për emrat unë kam bërë një listë të vogël me 10 emra që ditën kur e mora vesh që ishte vajzë. E dija që edhe Orinda do pëlqente emrin Atara. Ua nisëm edhe 2-3 njerëzve për t’i pyetur, por vendosëm për këtë sepse ka shumë kuptime brenda.

Momenti i lindjes ju solli frikë, se padurim është e kuptueshme…

Orinda – Operacioni ishte i shkëlqyer. Jam çuar në këmbë për 3 orë dhe e kam mbajtur vetë Atarën, se nuk kisha njeri. Burri shkoi të pinte me shokët (qeshin). Përtej shakave, u gjenda e vetme se nuk lejohej dhe e mora Atarën sepse duhet ta vija në gji. Pas 4-5 orësh shkova në dhomën që do rrija për ditët në vazhdim dhe nuk kam pasur dhimbje, isha shumë mirë.

Ajo që ne na pëlqeu më shumë ishte fakti që Atara nuk qëndroi e fshehur, nuk publikuat as dorën as këmbën, por babi Turi publikoi foton e parë të plotë me bebin në krahë. Ishte vendim që e diskutuat mes jush? Ishit të dy dakord që vajza të bëhej publike, ndryshe nga personazhe të tjerë që nuk publikojnë foto të fëmijëve?

Turjani – Publikimin e fotos së vajzës nuk e kishim diskutuar fare. Madje, Orinda mes miqve të afërt përherë pyeste si të më mbushte mendjen mua që ta publikonim. Nuk doja ta ndaja me botën vajzën, por kur Orinda lindi, vjen mamia dhe më thotë: A e ke parë vajzën? Jo, i thashë. Se unë nuk dija as a kishte lindur, meqë procesi zgjati shumë pak. Ma solli dhe ma la në duar, pastaj më kërkoi telefonin dhe më bëri foto me të. Unë kisha vendosur që derisa të kalonin disa ditë nuk do ta merrja në duar vajzën sepse kisha merak dhe frikë, por kur u shkrep ajo foto u ndjeva i fuqishëm, shumë i fuqishëm. Dhe thjesht e ndjeva në atë moment se gjithë bota duhet ta dinte që vajza erdhi. Aq ishte, e publikova. Isha shumë i lumtur.

Periudha e paslindjes jo përherë është si në filma dhe si në Instagram. Si ishte për ty?

Orinda – Baby blues unë nuk kam patur, sepse kisha besim në atë çfarë thoshte ime motër dhe qetësisht ndiqja çdo sugjerim. Javën e parë i bëri ajo dush për të më treguar si bëhej dhe prej javës së dytë e kam larë vetë pa droje.

Turjani – Nuk ishte e vështirë periudha menjëherë pas lindjes. Na ka ndihmuar shumë motra e Orindës, e cila na dha siguri ditët e para dhe na ndenji pranë. Edhe unë mësova prej saj.

Atara nuk ka dado apo jo? Deri tani po e rrisni bashkë. Si i keni ndarë turnet mes shumë punëve që keni?

Orinda – Nuk kemi dado. Herë pas here na ndihmojnë mamatë. Turjani është baba i përkushtuar. Në shoqërinë tonë nuk njoh asnjë nga baballarët me përkushtimin e Turjanit. Dhe besoj që më shumë do shtohet përkujdesja e tij dhe kjo ka qenë një arsye e qetësisë time.

A është Orinda një mami e fiksuar pas orareve, gramëve të qumështit që Atara pi? Apo është babi Turjani më shumë?

Doja shumë që Atara të futej në rutinë që mos të dilja me merak në punë dhe ia dola brenda 2 muajve. Megjithatë, me gjithë insistimin tim mendoj që Atara është e bekuar me qetësi.

E kisha të rëndësishme që muajt e parë të isha unë prezente dhe ta fusja në rutinë, por më stresonte ideja që do kthehesha shpejt në punë se ashtu kisha vendosur dhe nuk dija ç’më priste pas lindjes. Kështu që në momentin që linda kisha vetëm sikletin e punës dhe pasi fola me drejtuesit e televizionit “Klan”, vendosa të kthehem pas 2 muajsh në punë. Atara është futur në një rutinë të përsosur.

Festat e para me Atarën si duken? Ajo është e vogël dhe ndoshta nuk i kupton…

Unë jam shumë e emocionuar këtë Krishtlindje. Mezi i prisja, madje kisha vendosur me timen që do t’i filloja ushqimin më 25 dhjetor, por nuk e bëra se nuk më la pediatri. Megjithatë, në karrigen e saj e ula dhe kofshën e pulës së detit ia dhashë (ta lëpinte sigurisht). I pëlqeu, por prapë se prapë u kthyem te çuçi i mamit.

Ta bëjmë dhe atë pyetjen që ndoshta ua bëjnë të gjithë por mund të mos ta keni shumë qejf: kur patë Atarën a menduat që të ketë së shpejti dhe një motër ose vëlla?

Turjani – Sa më shpejt të jetë e mundur. Do bëjmë një mbledhje bordi dhe do marrim vendimin, megjithëse nuk është në dorën tonë. (qesh) Kjo është Krishtlindja më e bukur që kemi kaluar sepse Atara është bekim. / RevistaWho.Com