• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

EKSKLUZIVE / “Nën urdhërat e tua princeshë!”, Elia Zaharia në rolin më të bukur

Lajmi më i ëmbël i gjeti në ditë aspak të qeta, që vazhduan të ishin edhe më të zymta me frikën e infektimin e me druajtjen për të bërtitur me të madhe: ne po presim një bebe. Por as Elia e as Leka nuk nxituan t’i tregojnë ende botës se së shpejti do bëheshin prindër. Vërtet nuk ishte pritja më e ëmbël e mundshme, por menjëherë pasi bebushja erdhi në jetë solli aq gëzim sa shkriu gjithë pasiguritë dhe frikën që ky vit na i kish rezervuar të gjithëve. Elia dhe Leka tani mund ta ndajnë lumturinë me të gjithë.

Nga Iva Tiço / Fotot: Armand Habazaj / Veshjet e Geraldinës: Bebi & Beba

“La la la la, la la la la”, tingujt e pianos që vijnë nga salloni i Pallatit Mbretëror bashkë me zërin e Yllka Mujos që këndon “lalala”-të e filmit “Taulanti kërkon një motër”, asnjëherë nuk kanë tingëlluar më të gëzueshme sesa kaq. Dhe kjo sepse Yllka po interpreton rolin më të mrekullueshëm të jetës së saj, atë të gjyshes së Geraldinës së vogël. Në fakt ajo është dhe arsyeja që jemi brenda këtij salloni: Princ Leka dhe Elia Zaharia na kanë hapur dyert për një intervistë. Edhe pse janë ende shumë të merakosur dhe krejtësisht “të fiksuar” për t’u ruajtur nga virusi, me një kujdes të shtuar që kur e vogla e tyre ka ardhur në jetë, nuk na e kanë prishur qejfin për të ndarë me revistën “Who” momentet e tyre si prindër. Ndërsa Elia në një rrëfim të gjatë na tregon gjithçka, që nga pritja e bebes që nuk qe dhe aq e ëmbël siç do të kishte dashur, tek përvojat e para të të qenit mama, e deri tek planet dhe dëshirat për të voglën Geraldinë dhe shtimin e familjes së tyre në të ardhmen. Dhe ta mendosh që një vit më parë, ajo promovonte një libër ku rrëfente historinë e Mbretëreshës Geraldinë si një përrallë për fëmijë të quajtur “Trëndafili i bardhë”. Tani ka në krahë të voglën e saj, që si një përrallë e bërë realitet, ka të njëjtin emër dhe ngjan vërtetë si një trëndafil i bardhë, që ka nisur buzëqeshjet e para.

Elia shumë ndryshim nga fillimi i vitit të shkuar, apo jo?!

Janari i shkuar më gjeti në një turne, ku promovoja përrallën “Trëndafili i Bardhë”, që ia kushtova Mbretëreshës Geraldinë. Ky janar më gjeti duke shijuar bebe Geraldinën tonë! Kjo është një përrallë më vete, fillimi i një jete të re. Gjatë promovimit të librit merrja pafund urime, që edhe ne të bekoheshim me një fëmijë. Me sa duket “Trëndafili i Bardhë” plotësoi dëshirën tonë dhe urimet e dashamirësve!

Kujt i ngjan vajza? Mërzitesh po të të them që i ngjan Lekës?

Geraldina i ngjan shumë Princ Lekës. Qëkur ishte ende ne barkun tim dhe e shihnim në eko, doktoreshë Merita thoshte që i ngjan babit. Dhe ashtu vërtetë, kur lindi ishte njesoj si Leka(krahasuar me fotot e tij si i porsalindur). Këtë thonë të gjithë dhe mua jo vetëm nuk më mërzit, por përkundrazi më gëzon. Gjithmonë i kam shprehur Lekës dëshirën të kem një vajzë, që t’i ngjajë atij! Princ Leka ngjan në shumë tipare me gjyshen e tij, Mbretëreshën Geraldinë, e cila ka qenë një nga vajzat më të bukura të epokës së saj. Gjithsesi fëmijët ndryshojnë dhe asnjëherë nuk i dihet kujt do t’i ngjajnë derisa rriten. Unë e vogël i ngjaja shumë babit, por sot të gjithë më thonë që jam si mami. Dhe me të vërtetë tiparet apo ngjyrat mund t’i kem si babi, por hija e mamit është dominuese. Te Geraldina e vogël unë arrij të dalloj që tani që herë pas here ka vështrimin tim (te fotot kur kam qenë bebe kuptohet).

Vendimin për ta publikuar portretin e të voglës për festat e fundvitit e kishit marrë të dy me kohë? Apo vendosët pasi vajzën e kishit në krahë?

Eshtë traditë e familjes mbretërore të publikojë fotot e urimit për Vitin e Ri. Për ne është lumturi e madhe që këtë vit ishim tre! Nuk kishte asnjë dilemë lidhur me publikimin e portretit të vogëlushes në këtë rast. Une personalisht nuk jam partizane e ekspozimit të tepërt mediatik, por në raste të veçanta sigurisht që kam kënaqesi të ndaj momente familjare apo profesionale.

Je supersticioze? Çfarë bën përshembull që të mos e marrin mësysh, qoftë dhe tani që po del në revistë?

Të jem e sinqertë, unë dhe supersticionet nuk kemi patur asnjë pikë takimi për pothuaj gjithë jetën time! Nuk e di përse, por kohët e fundit ky raport ka filluar të ndryshojë. Nuk jam ushqyer nga familja me supersticione dhe nuk mbaj mend prindërit të hapin të tilla biseda! Sigurisht rrugën e ndërronim kur kalonte macja e zezë, por më shumë për forcë zakoni! Amosi tani e mban në shtëpi Kalipson (macen e tij të dashur të zezë qymyr). Ndërsa sot, për Geraldinën e gjej vetën duke futur thelpinj hudhrash në karrocë e në krevat…sa herë ma lëvdojne, them nën zë: “Zoti e ruajt!” Quhet supersticion?

Quhet posi jo?! Por ndoshta ka nisur pak më herët, para lindjes… A e mbajte shtatëzëninë të fshehtë për supersticion? Apo ishte karantina dhe virusi që ta diktoi këtë gjë?

Mendoj që ishin të dyja bashkë. Nese nuk do kishte qenë mbyllja nga pandemia, shtatzënia do të më kishte gjetur në punë e sipër, të rrethuar me kolegë e miq dhe gjendja emocionale do ishte shumë më e stabilizuar. Ndërkohë përjetimi im i asaj periudhe që duhet të jetë nga më të bukurat në jetë, nuk ishte tamam ashtu…

E kuptoj që s’paska qenë dhe aq “pritje e ëmbël”, siç quhet. Frika e virusit, por dhe mungesa e shëtitjeve duhet të kenë bërë të vetën.

E jetova karantinën me shumë stres, panik. Kisha frikë të vazhdueshme mos infektoheshin familjarët e mi… Në mendje më kalonin vetëm skenarë të dhimbshëm dhe kjo me rëndonte psikologjikisht. Ne patëm disa miq që për fat të keq ndërruan jetë për shkak të ‘Covid’, miq të shtrenjtë të familjes, ndaj kisha shumë trishtim… Më duket sikur m’u vodh ajo periudhë e shenjtë! Madje refuzova të gëzoj me këtë lajm edhe miq të afërt, pasi deri diku më dukej sikur nuk duhej marrë si e mirëqenë kjo lumturi, se në çdo moment mund të ikte! Besoj kjo erdhi si rezultat i ankthit që më pushtoi nga pandemia! Pothuajse nuk dola fare për muaj me radhë dhe për të mos e rënduar akoma më shumë këtë gjendje emocionale, vendosa të rinis punimet në shtëpi, pasi ndërtesat e vjetra si kjo e jona, kanë gjithmonë nevojë për mirëmbajtje. Kjo sikur më motivonte dhe më lejonte të kanalizoja energjinë dhe mendimet. Nëse do të mund të kthehesha pas në kohë, do të doja ta kisha përjetuar më e qetë dhe më e lumtur periudhën e shtatzënisë.

Kujt ia the në fillim që prisje një fëmijë?

Sigurisht Princ Lekës të parit. Pastaj mamit. Të tjerët e kanë mësuar shumë më vonë. Madje nuk ua kam thënë fare, thjeshtë e kuptuan vetë kur u bë shumë e dukshme. Deri atëherë mendonin që po merrja kilogramë karantine.

Përtej kileve të karantinës, a shtove peshë dhe a kishe probleme apo merakun që kanë shumica e grave dhe  vajzave: po ha për dy, po a do i heq dot më kilogramët?

Gjatë shtatzënisë nuk mora shumë kg, pasi nuk pata neps apo oreks të shtuar. Por shtatzëninë e nisa mbi peshën time të zakonshme, ndaj tani e gjej veten me shumë kilogramë për të hequr. Të them të drejtën nuk e ndjej absolutisht këtë presion te vetja, pasi për mua ka prioritet ushqyerja e bebes me gji, ndaj nuk bëhet fjalë të filloj regjime ushqimore. Secili organizëm është i ndryshëm, por sapo fillova të bëj kujdes në dietën time, ndjeva pakësim të qumështit, ndaj ndalova automatikisht dhe tani po ushqehem në funksion të vajzës. Ka kohë, më vonë do kujdesem për kilet, çdo gjë në kohën e vet.

Në fotot e publikuara për festa nuk u duk ndonjë ndryshim i madh fizik. Apo ushqyerja me gji dhe zgjimet natën bëjnë punë në heqjen e kilogramëve?

Ndoshta edhe ushqyerja me gji ndikon, por unë në përgjithësi kam tendencë të vishem sipas trupit dhe jo sipas modës. Kjo më ndihmon të evidentoj ato që duhet dhe të mos ekspozoj kilet e tepërta. Konstrukti dhe metabolizmi gjithashtu nuk duhen nënvlerësuar. Gjithsesi, ajo që dua të ndryshoj te vetja është vullneti për t’u marrë me aktivitete fizike. Çdo vit i premtoj vetes që do filloj të ushtrohem dhe gjithmonë gjej justifikime për të mos filluar… Shpresoj në një moment të ndodhë mrekullia dhe unë të bëhem sportive.

E more vesh gjatë shtatëzanisë që do bëheshe me vajzë? Apo durove për të pasur surprizë?

Unë e dija pasi doli në disa analiza që bëhen. Por e mbajta sekret dhe çdo blerje për vajzën bëhej në ngjyra neutrale, pasi nuk doja ta thoja gjininë.

Të uroi njëri nga familja e Lekës “tjetër herë me djalë”? Përtej shakasë, a është e rëndësishme që familja mbretërore të ketë një trashëgimtar djalë?

Jo vetëm nga familja e Princ Lekës, por që në maternitet nga stafi përseritej ky urim! Eshtë argëtuese, pasi tregon se ende djali shihet me përparësi në shoqërinë tonë dhe mua më duket si një urim që vjen si eko e nje kohë tjetër. Për ne të dy nuk ka asnjë ndryshim, vajzë apo djalë, fëmija është njësoj bekim nga Zoti. Familja Mbretërore shqiptare nuk jeton jashtë kohës së saj, sot jemi në shekullin e 21 dhe absolutisht produkt i kohës sonë. Jo vetëm ne, por edhe familjet e tjera mbretërore që kanë patur në kushtetutën e tyre trashëgiminë e kurorës në vijë mashkullore, sot e kanë ndryshuar me ligj, pasi është një traditë diskriminuese në epokën ku jetojmë. Në vendet mbretërore fëmija i parë trashëgon kurorën. Sipas kushtetutës së mbretërisë shqiptare, linja duhet të kalojë drejtpërdrejtë nga trashëgimtarët e Mbretit Zog. Nëse lind një djalë, ai trashëgon fronin, nëse lind një vajzë dhe nuk lindin djem, e trashëgon ajo deri në lindjen e një djali prej saj apo fëmijëve të saj. Princ Leka dhe unë dëshirojmë që edhe nëse do të kemi një djalë më vonë, të dy të kenë shansin e barabartë dhe në moshën 18 vjeçare të vendosim cili nga fëmijët mund të trashëgojë kurorën. Kjo pasi njëri mund të jetë më i përshtatshëm pavarësisht gjinisë. Pesha e një kryetari të Familjes Mbretërore nuk është dhe aq e lehtë, pasi sensi i detyrës dhe përgjegjësisë të shoqëron gjithë jetën. Jo çdokush mund të ketë dëshirë apo vokacion ta mbajë këtë rol, ndaj mendojmë se është një vendim që duhet marrë kur fëmijët janë të pjekur mjaftueshëm dhe kur mund të dallosh me qartësi se cili është më i prirur për një jetë të dedikuar dhe aspak vetjake…


Në njoftimin zyrtar, Princ Leka ndau dhe historinë e emrit Geraldina… A ngjan Geraldina e vogël me Geraldinën e madhe?

Në disa foto ku Mbretëresha Geraldinë është bebe ngjan. Bukur do ishte të trashëgojë disa tipare të saj, por më shume se tipare fizike, ne do ishim shumë të lumtur që ajo të trashëgojë vlerat dhe sharmin që e bënë Geraldinën një mbretëreshë aq të dashur dhe të paharrueshme!

Si e thërrisni ju shkurt apo me përkëdheli? Po mbretëreshën Geraldinë si e thërrisnin familjarët?

Deri tani bebushja ka shumë epitete përkëdhelëse që ndryshojnë nga dita në ditë. Unë argëtohem kur e thërras bukfiqe. Mbretëreshën Geraldinë kur ishte e vogël e thërrisnin me përkëdheli Mimi.

Ti dhe Leka tashmë keni një histori të gjatë dashurie, që nisi me lidhje në distancë, pastaj fejesa, dasma… Sa vite u bëtë bashkë?

Jemi njohur në 2008-ën dhe atëherë filloi një histori e bukur miqësie që gradualisht na solli gjithmonë e më pranë njëri-tjetrit. Distanca ishte e vështirë dhe zgjati rreth dy vite, por e kaluam me dëshirën për ta çuar përpara njohjen tonë. Të them të drejtën, paçkah se kanë kaluar disa vite, nuk e kam ndjerë shumë kohën. Kjo besoj është si rezultat i një lirie që gjejmë në mardhënien tonë, ku secili është krejtësisht i pavarur në angazhimet profesionale, në miqësitë dhe zgjedhjet që bën. Kjo i ka dhënë frymëmarrje mendoj kësaj mardhënieje, duke mos e bërë të rëndë dhe imponuese. Për natyra të pavarura si ne, besoj ky është një çelës shumë i rëndësishëm.

A ke pasur presion gjatë këtyre viteve nga njerëzit rreth e rrotull, por edhe ata pak të njohurit edhe të panjohurit fare për të bërë sa më shpejt fëmijë? E kam fjalën këtu qoftë me urimet (për mua pa takt), por edhe pyetjet e papërshtatshme?

Për fat të mirë nuk kemi patur asnjë presion nga familjarët tanë, asnjëherë. Shprehnin dëshirën të na shihnin të plotësuar, por asnjëherë nuk janë bërë ngulmues. Përgjithësisht njerëzit janë treguar të matur, pasi nuk kanë gjetur shumë terren te ne të dyMë shumë janë dashamirësit e familjes, të cilët nuk e fshihnin dëshirën për të na parë me fëmijë. Jemi shumë të lumtur që Zoti na bekoi, gjithashtu jemi të lumtur që lumturuam shumë njerëz rreth nesh!

Njëherë në mos gaboj, përpara martesës, ishte dhe një njoftim “fake” në media. Shumë vajza sot rrëfejnë që ndihen në presion për këtë.

Njoftime rreth shtatzënisë së supozuar ka patur disa herë. Mjafton të hash pak më shumë se zakonisht dhe menjëherë mund të bëhesh lajm! E di që shumë herë kjo vjen nga dëshira e mirë, por mund të bëjë efekt të kundërt. Më e pakta, në rastin e një “fake news”, po i thua personit në fjalë që është shëndoshur! Faleminderit! Imagjinoni për dikë që dëshiron, por nuk mundet të ketë fëmijë! Këto lajme mund të bëhen shumë lënduese. Do ishte më mire që për gëzime të tilla të shpreheshin vetë personat në fjalë, kurdo që ata e ndjejnë dhe dëshirojnë ta ndajnë me të tjerët.

Tani le të bëhem dhe unë e patakt; Me sa diferencë do e bësh dhe fëmijën e dytë?

Do dëshironim që Geraldina të ketë një vëlla ose motër, por është ende shpejt per ta menduar konkretisht kohën e përshtatshme. Për momentin energjia jonë është e përqëndruar te Geraldina. Do donim që të mos i mungojë për asnjë çast përkushtimi dhe vëmendja jonë, ndaj bebja e dytë ndoshta do presë pak.

Je ti një mama e fiksuar “a ka pirë tamam”, “se mos sëmuret”, “pse po qan”? Apo mendon që me kalimin e kohës do zbutesh?

Nuk do isha e sinqertë nëse do thoja që jam e relaksuar lidhur me të gjitha këto. Mami dhe babi ma tërheqin herë pas here vëmendjen dhe madje më vënë në lojë, pasi shpesh bëhem merak për asgjë. Jam më e vëmendshme seç duhet dhe e di që nuk është e shëndetshme të shqetësohem për çdo gjë, por uroj që me kohë të mësohem dhe të qetësohem pak… Pak…

Çfarë kënge i këndon vajzës?

I këndoj shpesh këngë që në të shumtën e rasteve improvizohen aty për aty. Por edhe këngë nga përrallat e “Disney”, që i kam dashur gjithmonë ia këndoj dhe e ndjej që është shumë e vëmendshme ndaj tingujve muzikore.

Mendon që dhe ajo mund të bëhet artiste si mami, si Yllka apo si Amosi? Eshtë dakort babi Leka?

Do ishte bukur ta kishte artin pjesë të jetës së saj! Arti e bën jetën më interesante, më frymëzuese, hap mendjen dhe zhvillon fantazinë. Por duhet të vijë si vokacion, si një thirrje e brendshme, asnjëherë e imponuar. Unë do isha e lumtur nëse vajza do kishte interes në muzikë, pikturë apo aktrim dhe do ta inkurajoja nëse vërtetë do ishte e talentuar. Babi Leka gjithashtu ka dëshirë që ajo të ketë një kulturë të orientuar në disiplina artistikë, pooooor si pasion. Ndërsa si profesion do dëshironte studime në fusha më solide.

Si është Princ Leka si babi? Zgjohet me ty natën? Eshtë më i qetë sesa ty apo shqetësohet edhe më shumë?

Leka është shumë i përkushtuar dhe i jep shumë dashuri dhe vëmendje vogëlushes sonë. Natën ai zgjohet më lehtë se unë dhe është shumë i kthjellët. Unë dua pak më shumë kohë deri sa të më ikë përgjumjaZakonisht është i qetë dhe nuk bën panik, por kujdesin e ka njësoj si unë. Kjo më jep shumë besim dhe qetësi, pasi e kam mbështetje në çdo moment. Jam shumë e lumtur për përkushtimin e tij, madje nuk e kam imagjinuar që do ishte kaq i dhënë pas vajzës!

Yllka si ndjehet si gjyshe? Kush nga familjarët e llaston më shumë?

Mami thotë që Perëndia na ka bërë dhuratën më të dashur, thotë që i ka ndryshuar jeta… S’e kam parë ndonjëherë të bëjë kaq shumë ledhe dhe lodra! I kompozon këngë që i burojnë natyrshëm, sa herë e merr në krahë. Mami mallëngjehet dhe i mbushen sytë me lot sa herë që Geraldina më sheh dhe më buzëqesh. Preket shumë me këtë ndjesinë e fortë dhe të pashpjegueshme mes mamës dhe bebes. Njësoj siç është përlotur kur unë, dy muajshe e gjysëm e kam parë në sy dhe i kam buzëqeshur për herë të parë. Thotë: Ja kjo është mrekullia!

Të gjithë në familje e përkedhelin dhe i falin shumë dashuri. Daja Amosi, gjyshi Gjergji dhe teze Lili vijnë enkas vetëm për ta parë e për t’i marrë erë.


Me kë ia ke bërë banjon e parë?
Po tani?

Banjën e parë ia kam bërë me mamin dhe tezen. Kisha pak drojë, por ia dolëm me sukses. Që në fillim u miqësua me ujin dhe tani banja është një rit i këndshëm për të dhe ne të gjithë! Tani bebushen e lan mami Elia dhe babi Leka. Jam me shumë fat që babi Leka është shumë i dhënë, investohet dhe kujdeset në përditshmëri. Të dy bashkë ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë proçes kaq të bukur dhe kompleks! Përveç kësaj, jam shumë e lumtur që kam mamin pranë dhe më gjendet për çdo nevojë. Geraldina në krahët e saj është shumë e qetë dhe dorëzohet pa kushte.

Të mungon Teatri? Nëse gjendja e virusit merr fund tani menjëherë dhe të propozojnë një rol në teatër, a mund ta lije të voglën në shtëpi apo ta çoje në ndonjë çerdhe?

Dashuria për teatrin është shumë e rëndësishme në jetën time dhe pas një pauzë kaq të gjatë, sigurisht që më mungon. Kur filloi pandemia në sapo kishim nisur provat e një pjesë të Shekspirit me regjisorin e mirënjohur Altin Basha, të cilën po e punoja me shumë kënaqësi. Pasi u ndërprenë provat dhe filloi mbyllja, mora vesh që isha shtatzënë… Ne jemi ne pritje të rifillimit të provave dhe ndërkohë puna nga ana teknike ka ecur me kostumet dhe dekoret. Kur të fillojmë provat bebushja do qëndrojë në shtëpi nën kujdesin e nëna Yllkës dhe babi Lekës. Janë të vetmit njerëz të cilëve mund t’ua besoj thesarin tonë. Por nuk mohoj që pandemisë i druhem shumë, ndaj shpresoj që virulenca të ketë rënë dhe të jenë marrë të gjitha masat e duhura!

Flet me Geraldinën? I tregon përralla?

Flas dhe e përkëdhel shumë, madje ndonjëherë e kap veten duke i folur me gjysma fjalësh, gjë që nuk më pelqen pasi dua të mësohet që e vogël me gjuhë të pastër. Përralla ende nuk kemi filluar t’i tregojmë, por jemi në fazën e shfletimit të librave me figura.


Të gjithë prindërit i quajnë vajzat “princesha”, po ti ke menduar se si do ia thuash Geraldinës përrallën e saj me princesha prej vërteti?

Princ Leka tani që është ende bebe dhe jo koshiente i thotë herë pas here: Nën urdhrat e tua princeshë! Kjo sa herë që ajo manifeston nevojat e veta. Por përtej shakasë, ne jemi shumë të vendosur që vajza të rritet me këmbë në tokë, me modesti dhe pa asnjë dallim me fëmijët e tjerë. Dëshirojmë që ajo ta shijojë fëmijërinë, pasi është periudha më e rëndësishme në formimin e njeriut. Kur të rritet statusin e saj të veçantë do duhet ta kuptojë drejtë, si një përgjegjësi më shumë për ta vënë këtë titull në shërbim të njerëzve. Ndoshta përrallën e saj me princeshë prej vërteti do ta mësojë duke lexuar “Trëndafilin e Bardhë”./revistawho.com