• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

EKSKLUZIVE / Jonida Vokshi rrëfen shtatzëninë… Si ia dha lajmin Besnikut dhe nga e zgjodhën emrin!

Nga Eraldo REXHO / Fotot: Artan KORENICA / Grimi: Vjosa METAJ / Flokët: Altin NEBIHU / Veshjet: Valdrin SAHITI

Kjo kopertinë e “WHO” me Jonida Vokshin, planifikohet prej gushtit të 2019-tës… Aktorja dhe moderatorja bukuroshe ishte një nga nuset më të përfolura të vitit që lamë pas, por larg idesë për një kujtim me fustan të bardhë, krah bashkëshortit po aq kontrovers sa ajo. Planet vijuan për një kopertinë brenda shtëpisë së tyre, e cila sërish nuk do të ishte aq e zakonshme, derisa në janar të këtij viti më vjen në vesh lajmi se Jonida do të bëhet nënë. I shkruaj pa e menduar dy herë, për të rezervuar kopertinën që kësaj radhe, si e treta e vërteta, u realizua pavarësisht koronës dhe çdo faktori tjetër që u përpoq të na pengonte. Rreshtat që do të pasojnë tregojnë për përjetimet e një vajze që po e pret gjithë emocion jetën e re që rritet brenda saj, për ëndrrat dhe momentet speciale… Kur ia tregoi të shoqit, si e zgjodhën emrin e vajzës, ç’raport ka me vjehrrën dhe të tjera pyetje si këto, do të marrin përgjigje sot. Jonida Vokshi rrëfehet ekskluzivisht në ‘revistaWHO.com’…

Jonida, cilat janë përjetimet e këtyre ditëve?

E tërë shtatzënia qe një proces shumë i bukur për mua, pikërisht për shkak të përjetimeve të paprovuara më përpara, një proces që të zbulon pak nga pak detaje e momente që edhe pse të dëgjuara më parë, shumë larg kur e provoke. Por këto ditët e fundit qenka një “mezi pritje” shumë e padurueshme për ta parë, për ta mbajtur në duar e miksuar me frikën e të shkuarit gjithçka mirë.

Një shtatzëni e dëshiruar apo rastësi kjo e jotja?

Një shtatzëni mes të dëshiruarës dhe rastësisë. Unë dhe Besniku e kishim menduar që shpejt të vinte dhe momenti për t’u bërë prindër se të dy vdesim për fëmijë, por erdhi edhe më shpejt nga ç’e prisnim (qesh), nuk priti planet tona.

Kujt ia the në fillim, sapo e mësove?

Në fillim e mori vesh doktoresha ime sigurisht (qesh), pasi ajo ma konfirmoi dhe personi i parë që i tregova ishte Besniku dhe ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë.

Çfarë tha Besniku, kur e mësoi?

Besniku ishte në një ndeshje futbolli në stadium në Prishtinë. Unë në Tiranë. I shkruajta: “Kujdes zemër, mos pi shumë birra e sillu mirë tani, se ke me u bo baba” dhe pastaj kam lexuar sms nga Besniku të tipit: “A e ke seriozisht? Nëse është humor dije që është shumë pa lidhje e i rëndë. Jonida e ke me të vërtetë?”, e gjëra të kësaj natyre, këto sa doli jashtë stadiumit e më mori në telefon. Kur e konfirmoi që nuk ishte shaka, e la lojën përgjysmë, nuk hyri më brenda e ka fluturuar në gjithë Prishtinën prej gëzimit (qesh).

A është Besniku babai tipik shqiptar që donte një djalë si fëmijë të parë?

Jo vetëm që nuk është, por dëshironte aq shumë të ishte vajzë, sa vetëm për emër goce kishim menduar dhe kur na u konfirmua gjinia ishte lumturia e dytë për të, pas lajmit të parë që do të bëhej baba. Të dy donim shumë të ishte vajzë.

Si reaguan prindërit e tu kur e mësuan?

Për prindërit e mi nuk besoj se pati lajm më të gëzueshëm pasi ata të dy bëhen gjyshër për herë të parë. Mami nuk pushonte së qari nga gëzimi dhe që nga ai moment filloi trajtimi e përkujdesi nga ana e tyre si të isha e vetmja femër shtatzënë në këtë botë (qesh).

Po prindërit e Besnikut?

Janë gëzuar jashtë mase shumë edhe pse unë nuk pata mundësinë t’ia shoh ‘live’ reagimin (qesh). Kjo pasi në fillim vendosëm me Besnikun që për çështje sigurie të prisnim edhe pak, para se t’ia thonim familjes dhe miqve të ngushtë. Dhe ndërkohë që unë qëndroja besnike kësaj që vendosëm, Besniku i kishte thënë familjes, vëllait dhe dy shokëve (qesh). Dhe kur unë i takoja mamin dhe babin e Besnikut, ata e dinin dhe mezi duronin pa më uruar, sepse Besniku i kishte thënë të mos më thonin ende gjë se e kishim diskutuar mos t’i tregonim akoma njeriu. Imagjino çfarë situate (qesh).

Ç’marrëdhënie ke ti me prindërit e Besnikut, veçanërisht me vjehrrën?

Nuk e di pse, por gjithmonë këto klishet “nuse-vjehrrë” më janë dukur larg realitetit që jetojmë ditët e sotme. Sot fare mirë mund të ndërtosh një marrëdhënie më shumë se sa të mirë me vjehrrën. Në rastin tim, me mamin e Besnikut kam patur kimi që ditën e parë që jemi njohur. Përveç marrëdhënies së mirë që kemi dhe kujdesit të madh që ajo ka për mua, ka qenë një ndihmesë shumë e madhe për mua edhe gjatë izolimit, ku unë isha larg prindërve të mi dhe si mami, si babi i Besnikut ma bënë shumë të lehtë, duke i patur afër për çdo gjë.

Thonë se shtatzënia i ndryshon zonjat, çfarë ka ndryshuar tek ty?

Besoj që ndryshimi më i madh do të vijë pasi ta mbaj në duar, besoj që prej atij momenti edhe pse ende nuk e di çfarë do përjetoj, vetëm e kam imagjinuar deri tani, por besoj që do ndryshojë shumë gjëra në jetën time, siç ka bërë me jetën e kujtdo është bërë mami, se këto 9 muaj nuk kam lënë njeri që e ka provuar si eksperiencë pa e pyetur për gjithçka (qesh). Por gjithsesi edhe gjatë periudhës së shtatzënisë kam vënë re që ka ndryshuar ndjeshmëria e përgjegjësia tek unë. Për të mos folur për këtë muajin e fundit që nuk më shkon më në mendje të blej gjë për vete, por vetëm për gocën (qesh).

Ka ndryshuar mendimi i parë dhe i fundit i ditës?

Pooooo, tashmë është vetëm ajo sa hap sytë e deri sa i mbyll. Si është, a po lëviz, a është rehat, a është mirë. Mos po e lodh, mos po e vras kur fle, yhyyyyy sa shumë si këto.

E ëndërroje këtë moment, që e vogël?

Po mbase kur kam qenë e vogël, nuk kam ditur ta ëndërroj tamam si duhet, se edhe s’e kam kuptuar tamam çfarë do të thotë. Por gjithmonë, kur ia nisa të ëndërroja për princin e kaltër (qesh) pjesë e fundit të lumtur ishte një gocë e vogël e ata jetonin të lumtur përgjithmonë. Ah se harrova, unë isha princeshë sigurisht (qesh).

Si i përjetove ndryshimet e trupit?

Falë Zotit me këtë pjesë të shtatzënisë pata fat shumë të madh, pasi e vetmja gjë që ndryshoi në trupin tim ishte barku dhe atë pjesë e kam shijuar pafund, madje ditë pas dite e shihja se doja që të rritej shpejt. Me përmasat e kile në vende të tjera nuk pata asnjë ndryshim, çka më ndihmoi të ndihesha dhe e lehtë e të mos kisha probleme rëndese. Kjo më ka bërë ta shijoj akoma dhe më shumë këtë periudhë, se kisha dëshirë të vishesha bukur, të bëja foto, jam ndjerë gjithë kohën shumë mirë fizikisht.

Ke pasur neps? Për çfarë më shumë?

Unë kam lindur me neps. Gjithmonë kam pasur frikë që kur të vijë momenti i shtatzënisë nuk do përmbahem dhe nuk do ketë më masë veshjesh që do më merrnin përsipër. Sepse jam shumë llupëse. Por për fatin tim të mirë mbeta njësoj, domethënë nuk pata ndonjë shtim të nepsit apo oreksit gjatë shtatzënisë. Kam ngrënë njësoj si më përpara, përveç ndonjë akullore XXL që më hahej pas byrekut me spinaq që mami Besnikut e bën aq të mirë (qesh).

Kur e zbulove gjininë?

Për herë të parë na u tha nga doktoresha në muajin e 4, por ende me frikë që nuk është 100%. Pas atij muaji, sa herë kemi shkuar për kontrolle kemi pyetur te dy: “Vazhdon të jetë vajzë? (qesh).

I ke bërë blerjet për të voglën?

Kam bërë disa, jam munduar ato më të domosdoshmet. Më shumë jam fokusuar të zgjedh gjërat që janë më të rëndësishme, por pa diskutim që e kam kapur veten gjithmonë duke humbur kontrollin në këtë aspekt e duke i marrë gjithçka më shihte syri (qesh).

E ke arreduar dhomën e saj?

Dhomën nuk e kam arreduar akoma për një arsye. Unë dhe Besniku nuk jemi që goca të flejë në dhomë më vete. Ajo do të flejë me ne, kështu që për momentin mjafton shtrati që i kemi zgjedhur. Kur të vijë momenti që do ta mendojmë të arsyeshme që duhet dhoma e saj, do e bëjmë. Momentalisht nuk e lëshojmë, me ne në shtrat (qesh).

Ke lexuar libra për mëmësinë gjatë kësaj periudhe?

Sigurisht që kam marrë gjatë gjithë kohës informacionet bazë për përkujdesjen e vetes dhe të bebit që në muajt e parë, nëpërmjet librave dhe programeve të posaçme. Por ndërkohë, gjatë gjithë kohës kam qenë shumë kurioze të di eksperienca të përjetuara, e nuk kam lënë mama që njoh apo kam njohur pa mbaruar pyetësorin tim (qesh).

A e keni menduar emrin e bebes? A keni pasur shumë alternativa dhe cili nga ju të dy e ka zgjedhur?

Emri i gocës ka ardhur që në fillim, shumë herët, duke parë një film të dy me Besnikun, ku u përmend dhe emri dhe vetëm jemi parë në sy dhe iku ai muhabet (qesh).

Si e përfytyron?

Në fillim mundohesha të bëja bashkë tipare apo ta imagjinoja me kombinime të ndryshme, por shumë e çuditshme që nuk arrija dot të kisha një përfytyrim të qartë si mund të dukej. Në muajt e fundit, falë teknologjisë së ekove 4D, fytyra e bebit del goxha e qartë. Nga ky moment filluan debatet e para me Besnikun, jo më ngjan mua e jo ty (qesh). Por ende nuk arrij ta përfytyroj saktë se si do duket, mezi po pres t’ia shoh fytyrën.

Kujt do doje t’i ngjante?

Po meqenëse është vajzë mua, nuk mendon dhe ti kështu? (qesh) Gjatë gjithë kësaj kohe i kam thënë Besnikut se duhet të më ngjajë mua si fytyrë, e ty si natyrë (qesh).

Çfarë dëshiron të marrë prej teje dhe çfarë prej Besnikut?

Pavarësisht se shpesh filloj e shpreh dëshirën të më ngjajë mua, apo bëj shaka me Besnikun, apo filloj e bëj kombinime të çuditshme, në fund të ditës, dua të ketë shëndetin e mirë dhe sido të jetë krijuar këtu brenda meje, me çfarëdolloj kombinimi apo ngjashmërie për mua do të jetë qenia më e bukur në botë.

Sa fëmijë dëshironi të keni?

Sa herë ka rënë diskutimi për fëmijë, unë dhe Besniku gjithmonë kemi qenë pro më shumë se sa një fëmijë. Tre ka qenë numri perfekt, por ta provojmë njëherë të parin (qesh).

Një fëmijë do të thotë angazhim maksimal. A mendon se përkushtimi i mëmësisë do të largojë paksa nga karriera?

Unë si natyrë e kam të kultivuar angazhimin në çdo gjë kam marrë përsipër ta bëj apo jeta ma ka sjellë. Dhe nuk kam frikë nga një angazhim akoma më i madh, më i madhi mendoj që mund të kesh, përkundrazi, mendoj që do më motivojë të jem akoma dhe më e përkushtuar ndaj profesionit. Nuk e mendoj aspak të lehtë, padiskutim, por nuk jam as e para dhe as e fundit që do jem një nënë që është gjithashtu shumë e përkushtuar edhe në karrierë. Një femër shumë mirë mund t’i bëjë të dyja, madje edhe më shumë. Mendoj që të jesh femër është bekim nga Zoti.

Si është të jesh çdo javë në një sfidë me bashkëshortin? E jetoni vërtët si sfidë?

Kur e nisëm projektin “Gjith’ fiton Jonida”, padiskutim e nisëm për t’u argëtuar ne dhe për të argëtuar edhe publikun me lojrat e sfidat tona, në një periudhë aspak të lehtë, siç ishte izolimi që kaluam. Dhe të tillë e kemi vazhduar çdo ditë, por do ti që kjo puna e sfidave javore na doli pak ndryshe nga sa e menduam (qesh). E nisëm për t’u argetuar, por hera-herës futej ndonjë dozë e lehtë serioziteti apo xhelozie kur shihnim që gjatë javës njëri kishte avancuar më shumë se tjetri. Na hyri pak shpirti garues në mes. Por ajo që nuk ka ndryshuar asnjëherë gjatë gjithë këtij projekti, ka qenë sinqeriteti dhe vërtetësia në çdo gjë që kemi bërë. Totalisht pa filtra, pasi unë dhe Besniku vetë të parët kishim nevojë për diçka të tillë për të kaluar ditët që nisën të duken pafund të karantinës, e menduam pse jo ta ndanim e me publikun. / RevistaWho.Com