• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Breaking News, Instant Articles, Intervista, Lajme, Vetëm në WHO

Ekskluzive/ Genta Ismajli: Shtatzënia ime dyfish e ëmbël, që e kisha pritur aq shumë

Një shtatzëni e shumëpritur. Me shumë lutje dhe dashuri për të pasur një bebe në duar, Genta Ismajli u bekua me binjakë. E fshehu lumturinë e saj më të madhe për ta bërë publike muajt e fundit të pritjes së ëmbël dhe tani më e gëzuar se kurrë na tregon ca sekrete për gjithë muajt e pritjes. Nga vështirësitë, tek momentet e lumtura, padurimi dhe emocionet e përjetuara me bashkëshortin Usta, Genta rrëfen ekskluzivisht për WHO emocionet për vajzën dhe djalin që vijnë shumë shpejt në jetë.

Na e përshkruan dot periudhën e pritjes së ëmbël me tre fjalë?

Nënë, dashuri, shëndet.

 

Si ju gjeti lajmi se do bëheshit me bebe?

Kishim kohë që e planifikonim krijimin e një familjeje dhe mezi e prisja të bëja test shtatzënie çdo muaj, me shumë lutje e pritje. Gjithçka ndodhi një ditë krejt papritur. Kam thënë vetëm: faleminderit Zot dhe fillova të qaj. Isha shumë mirënjohëse dhe e lumtur.

Reagimi i parë kur morët vesh se nuk ishte një, por dy bebe?

Në familjen time kam dy halla binjake dhe e mendoja shpesh: Po sikur t’i ngjaja gjyshes time? Unë ose njëri nga fëmijët në familje mund të ndodhte që të kishte binjakë dhe doli që isha ajo me më shumë fat.

 

Çfarë të ka mësuar kjo përvojë?

Kuptova që asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti dhe se duhet ta vlersojmë atë më shumë se çdo gjë. Në radhë të parë, të ruajmë veten.

Si ka ndikuar në marrëdhënien me partnerin tënd?

(Qesh) Ka disa gjëra që kanë ndryshuar, ca si shumë (nëse më kuptoni për çfarë e kam fjalën 😉). Jemi përballur me ndryshime të mira, por edhe të vështira. Pak hormonet, pak gjërat e tjera, por kemi mësuar t’ia dalim. Ne e duam njëri-tjetrin pa kushte dhe kjo periudhë na ka mësuar shumë për secilin prej nesh. Tani çdo gjë është në vendin e vet dhe jemi shumë të lumtur.

Janë gjetur emrat, janë blerë rrobat, është mobiluar dhoma?

Jemi habitur sa e vështirë qenka për të gjetur emra, pasi nuk e dimë as se si duken bebushat. Kemi kohë që kërkojmë kudo, por unë besoj se emrat do na vijnë në momentin final. Ama jam e sigurt për një gjë, që emrat do ia lëmë motrave të mia Anda dhe Mani, të cilat janë shumë të lumtura dhe nuk i zë gjumi nga qejfi i pritjes. Vetë Anda është një nënë e mrekulleshme e dy fëmijëve të bukur, Gian dhe Ayan, të cilët i dua shumë.

Sa i përket veshjeve, Anda i ka bërë gati të gjitha gjërat që i duhen një nëne të re. Jam e bekuar që i kam dhe lutem: Mos më lëntë Zoti pa motrat e mia.

Ka qenë një shtatzëni e mbarë apo ka pasur edhe momente vështirësie?

Shtatzënia ka qenë marshalla, shumë e mbarë, por jo e lehtë. Ato që janë nëna më kuptojnë për çfarë e kam fjalën.

 

Të është dashur të heqësh dorë nga diçka gjatë kësaj periudhe apo jeta ka vazhduar njësoj?

Angazhimet e mia në muzikë janë reduktuar, pasi realisht nuk kam mundur, kam qenë e rënduar. Megjithatë disa foto e video sa për t’i pasur kujtim ne, familja, fansat dhe ndjekësit nuk i lamë pa bërë. Edhe pse me pak vështirësi (por shumë qejf) ja dolëm.

 

Cilat janë ëndrrat e një gruaje që pret të bëhet mami dy herë?

Që të mos lë mënjanë asnjërin prej tyre dhe ta ndaj dashurinë njësoj për të dy. Kur ata të vijnë në jetë do mësoj edhe unë shumë gjëra të reja si nënë binjakësh. Me siguri ëndrrat për ta nuk do kenë fund. Por do mundohem t’i rris fëmijët e mi siç të jetë më e mira për ta, që ta zbukurojmë edhe më shumë kombin shqiptar me njerëz të denjë si kjo gjeneratë e re që po vjen.

Pse pritët aq shumë për ta ndarë lajmin me të gjithë?

Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç do…

Gjithsesi, dua ta mbyll me një urim për të gjithë: Ju uroj më të mirat të gjithë atyre që po e lexojnë këtë intervistë. Zoti ju bekoftë dhe mos hiqni dorë kurrë. Ju dua me zemër./revistawho.com