• youuinsttaaffccbb
TEST
Në Kopertinë, Pikante sot, Vetëm në WHO, Who VIP

EKSKLUZIVE / Flet Arbana Osmani: “Dua të të bëj të lumtur” kalon çdo pritshmëri, mungesat në shtëpi tek Joni dhe rikthimi në “Big Brother”

Nga “revistawho.com

Nesër mbrëma në ekranin e “Top Channel” rikthehet Arbana Osmani. E cilësuar shpesh si prezantuesja më e mirë shqiptare, Osmani do të drejtojë një format të ri, që sipas saj shkon përtej çdo pritshmërie televizive. Ekskluzivisht për “revistawho.com“, ajo tregon emocionet e pritjes për të dalë sërish në ‘prime time’, detaje nga udhëtimet e gjata për punë, menaxhimin e kohës për t’i munguar sa më pak të birit Jon, e raportet me autoren italiane të “Dua të të bëj të lumtur”, Alessia Vessicchio. Me kohën Arbana na ka treguar se puna për të është shumë e rëndësishme e se përpjekjet e saj për të shkëlqyer janë maksimale. Ndoshta kjo është e vetmja rrugë, përtej talentit natyral, që të çon drejt suksesit. Moderatorja po e pret “Dua të të bëj të lumtur”, me emocione shumë pozitive.

2016-10-28-photo-00000087

“Është një format të cilin unë kam patur dëshirë ta realizoj prej shumë kohësh. Ua kam kërkuar vazhdimisht përgjatë këtyre viteve te fundit, drejtuesve të “Top Channel”, por vetëm tani u poqën kushtet dhe ishim gati që ky program të realizohej. Është një format që kërkon shumë përkushtim, dashuri, por edhe një buxhet të madh. Në qendër janë histori njerëzore të jashtëzakonshme, të cilat tregohen jo nga protagonistët, por nga njerëz të tyre të afërt, miq, familjarë që duan t’i bëjnë të lumtur përmes programit. Kemi dashur që të kalojmë pritshmëritë e protagonistëve, por edhe të publikut, shpresoj shumë t’ia kemi dalë sadopak. Unë kam dashur vetë të shkoj me grupin e xhirimit në çdo cep, edhe kur nuk është dashur që unë të jem në video. Kam dashur të takoj personalisht çdokënd që do bëhej pjesë e programit, jo duke i pritur në zyrën time në Tiranë, por duke i vizituar në shtëpitë e tyre, aty ku jetojnë, sepse vetëm kështu do të mund t’i njihja vertet. Ajo që më ka bërë përshtypje dhe më ka bërë të lumtur është mënyra si na kanë pritur në çdo shtëpi. Nuk do ta kisha besuar që këta njerëz kanë kaq shumë dashamirësi ndaj meje dhe televizionit ku unë punoj prej vitesh. Jam ndjerë vërtet e përkëdhelur dhe e privilegjuar”, – thotë ajo. Tingëllon mëse e besueshme kur e thotë një prezantuese dhe bashkëautore e cila me kolegen italiane ka një raport të mirë e flet për të me admirim: “Të punosh me Alessian është një shkollë më vete. Përveç eksperiencës së saj shumëvjeçare në televizion, nga e cila ne kemi ende shumë për të mesuar, ajo grua ka një dimension njerëzor të jashtëzakonshëm. Energjia e saj është frymëzuese dhe aftësia që ka për të parë përtej fasadës tek njerëzit e bën unike”.

2016-10-28-photo-00000088

 

Por çfarë do të shohim nesër, në këtë spektakël për të cilin është folur kaq shumë, e sërish nuk e dimë se si do të jetë? “Aaaaah nuk mund t’ua them të gjitha! Do duhet të shikoni programin. Por ajo që mund t’u them është se kjo është hera e parë që një program televiziv kapërcen kaq shumë kufij me xhirime”. Por të gjithë e dimë se Arbana nuk është vetëm një figurë e suksesshme ekrani. Ajo ka si rol të parë, atë të nënës e bashkëshortes. Si një menaxhuese e mirë, Osmani ka arritur të xhirojë deri përtej kontinentit, e të mos largohet nga i biri për më shumë se dy ditë. “Jam përpjekur të largohem sa më pak nga Joni, duke minimizuar në kulm kohën e udhëtimeve, në mënyrë që të mos isha larg tij asnjëherë më shumë se dy ditë. Edhe kur kanë qenë distanca të largëta si Dubai, kemi xhiruar me një axhendë tmerrësisht të ngjeshur si e si të mbaronim sa më shpejt që unë të kthehesha te im bir. Ai ka gjithsesi fatin të ketë dy gjyshe të mrekullueshme që kujdesen për të dhe i ofrojnë gjithë dashurinë e kësaj bote, duke bërë kështu që ta ndjejë sa më pak mungesën e mamit kur ajo është në punë”, – shprehet Arbana në një rrëfim ekskluziv për “revistawho.com“. Sakaq me emocione edhe më pozitive, Arbana po pret nisjen e edicionit të ri të “Big Brother”, padyshim formati më i ndjekur i shqiptarëve, falë të cilit Arbana është edhe prezantuesja më popullore sot. “Po e pres qetësisht, me emocione pozitive si çdo herë. Këtë vit ndryshe nga më parë, jam akoma më entuziaste pasi skuadra e punës është shumë e fortë. Jam e sigurt që do të jetë një edicion që do të kalojë çdo pritshmëri”, – përfundon Osmani rrëfimin e saj për “revistawho.com“.