• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

EKSKLUZIVE / Adelina Ismaili: Më mungon aroma prej nëne, ja çfarë do t’i tregoj bebes sime për Monën (PJESA 2)

Nga revistawho.com

RevistaWho.Com solli dje intervistën e parë të Adelina Ismailit për periudhën më të bukur të jetës së saj. Ndërsa sot vijon rrëfimi për humbjen më të madhe që ka pësuar, nënën e saj. Ajo (Mona Ismaili) ishte gruaja që i bënte gjyqe vetes pse mëhalla e gjykonte veçse prej flokëve biondë. Liria për të qe të privoheshe nga kënaqësia, ndërsa për të bijën është e krejt kundërta. Një grua e ashpër po aq sa dhe e ëmbël, protektive, udhëheqëse, drejtuese, një zonjë që iu desh të bëhej nënë e baba, duke qenë edhe frika edhe paqja. Pak kohë pas ndarjes nga jeta të gardianit të saj mbrojtës, këngëtarja që theu tabutë, Adelina Ismaili flet pak edhe për të ëmën (sepse ende e ka shumë të vështirë) – gruan e “ashpër” që doli nga Lufta, e etiketuar separatiste, sepse punonte në bibliotekë, jepte mësim, rriste tre fëmijë dhe gjente kohë edhe për demonstrata… Një copëz rrëfimi për gruan që e detyronte të mësonte, që nuk e linte të dilte, gruan që urrente ata që pasuroheshin brenda natës. Ajo ishte gjykatësi më i rreptë në jetën e Adelinës, por asaj i duhej një i tillë. E teksa Adelina fluturonte pa i njohur rreziqet, ajo grua e kthente me këmbë në tokë. Ndoshta kjo është arsyeja, pse Adelina që njohim sot nuk i pëlqen lazdrimet prej dive, por është e thjeshtë dhe e mirëkuptueshme, ndonjëherë edhe më shumë se ç’duhet… Në këtë pjesë të dytë të intervistës ekskluzive me revistawho.com, diva e skenës flet edhe për këndvështrimin e saj për muzikën sot..

Adelina, e di që kjo është një pjesë për të cilën ty të pëlqen të flasësh pak ose aspak, po unë dua të di si kanë qenë këto muaj pa atë që ti e quajë mbretëreshë të jetës dhe showbiz-it: Mona Ismailin…

Ishte një tmerr. Nuk njoh dhimbje më të madhe dhe ende nuk dua që ta elaboroj këtë temë.

Çfarë të bëri të kuptosh humbja e saj?

Më bëri të kuptoj sa e bekuar jam që kam Emën dhe Zanin.

Çfarë do të të mungojë më shumë nga ajo?

Aroma prej nëne.

Çfarë do t’i tregosh fëmijës tënd për të?

Të gjitha. Çdo gjë që mbaj mend. Do mundohem t’ìa transmetoj dashurinë me vepra që e falte ajo tek ne. Sakrificën dhe mundin. Kohën e saj, ëndrrat, të gjitha.

adelina-me-nenen-mone_1461661919-6804224

E di që na mungon shumë neve. Duam të dëgjojmë një këngë të re prej teje, a do të kthehesh në muzikë?

E di, më mungoni dhe ju mua. Lidhja jonë është e çuditshme, kemi 30 vjet së bashku. Unë nuk bëj plane, ti e di. Pastaj që në këtë moment jam e neveritur nga show-biznesi. Më duket se ka ndryshuar shumë, ose thjesht kam ndryshuar unë. Por sa të jem gjallë nuk do t’i kuptoj ata që sakrifikojnë gjëra kaq të shenjta për të qenë 120 sekonda lajm interneti me gabime gjuhësore. Mbase jam shumë shtatzënë (qesh). Nuk di, kam një jetë që ëndërroj familjen time të vogël dhe nuk jam duke menduar asgjë tjetër në këtë moment.

Kanë kaluar shumë vite nga dalja jote e parë dhe askush nuk e ka zëvendësuar Adelinën… Si të bën të ndihesh kjo?

Faleminderit! Kisha fat që u rrita në një rreth ku mbështetesha nga të gjithë. Jam me Valin që më motivon në çdo sekondë. Nuk rresht së përmenduri shkollimin dhe disiplinën e punës, me shpresën që dikush që e lexon këtë intervistë dhe e percepton botën e muzikës ashtu siç është, pra një shenjtëri e cila kërkon shumë sakrifica. Po mundohem të gjej arsyetime që t’i ik asaj “e pazevendësueshmja”, sepse diku thellë më dhemb që ende nuk doli dikush ta bëjë më fort se unë. Dhe nuk mund ta mohoj që krenohem shumë (qesh).

Si e sheh sot muzikën dhe skenën shqiptare?

Ka kohë që nuk e shoh fare. Në përgjithësi, jemi vende të vogla që mundohemi me dy këmbë të çala t’i ndjekim hapat e Amerikës, e cila ka thjeshtëzuar muzikën deri në masën më qesharake. Unë votoj për kulturën europiane. Pra, asgjë që po ndodh sot as mund të më pëlqejë dhe as të më neverisë.

Je lodhur nga showbiz-i, jeta si e famshme? A është kjo shkëputje e jotja një ‘dorëheqje’ nga hipokrizia që rrethon të famshmit?

Nuk jam lodhur, thjesht në jetën time ndodhën shumë gjëra tronditëse. Qoftë të bukura, qoftë jo të bukura. Besoj çdo njeri normal do caktonte prioritetet e veta si unë. Hipokrizi ka pasur gjithmonë. Thjesht, kam zgjedhur të mos eci në atë rrugë, shtrova rrugën time dhe ecja mirë nëpër të. S`ka dorëheqje (qesh).

Cili është urimi që do t’i bëje artistëve të rinj shqiptarë?

Ju pafsha të gjithëve të dashuruar.

Po atyre të vjetërve?

Ju pafsha të gjithëve prindër.

Po fansave të tu dhe shqiptarëve?

Fansave iu them “Ju pafsha të gjithëve me dhurata për mamin Adelina. Nga unë dhurata nuk do të mungojë asnjëherë”, kurse shqiptarëve i uroj më shumë ëndrra të realizuara, familje të shëndosha dhe pafund dashuri në zemra. / revistawho.com