• youuinsttaaffccbb
TEST
Lajme

Dy propozimet e “Pegi”-t për lexime pushimesh

Titulli: Jehona ngacmimesh të çuditshme
Autori: Edmond Tupja
Zhanri: Skica erotike
Data e botimit: qershor, 2021
Numri i faqeve: 138
Çmimi: 700 lekë

Informacion i përgjithshëm rreth librit
“Jehona ngacmimesh të çuditshme” është vëllimi i tretë me tregime erotike
shkruar nga Edmond Tupja. 41 skicat e shkruara ndër vite përshkruajnë
situata subtile erotike, të cilat përmes gjuhës, alegorisë, simboleve dhe
metaforave e shtyjnë lexuesin drejt fantazisë, rizgjimit të dëshirës e pasionit
dhe gjithashtu drejt eksplorimit të mënyrave të reja për ta kuptuar dashurinë
dhe erosin.

Autori
Edmond Tupja (1947) është përkthyes, publicist, leksikograf dhe shkrimtar
shqiptar. Ka studiuar në Francë dhe konsiderohet si një nga përkthyesit më
të mirë të gjuhës shqipe. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre
me temë erotike, si p.sh., “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e
trupit tënd”, “Fjalor erotik i gjuhës shqipe”, “Fjalor erotik frutash, lulesh e
perimesh” dhe “Po shkoj të kap Enisin” . Ai është gjithashtu autor i veprave
autobiografike “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.

Fragmente nga libri

1) Papritmas, lulja nisi të lëvizte, a thua se frynte erë, majtas-djathtas,
djathtas-majtas, me një rregullsi të harmonishme. Pastaj, si për çudi,
m’u zhduk nga sytë, sikur ta kishte përpirë nata, por nuk vonoi dhe u
rishfaq në tërë freskinë e saj blu. Një dëshirë më lindi e më kaploi një
si ethe përvëluese: të shndërrohesha në kërmill, t’i ngjitesha ngadalë,
shumë ngadalë, ta përkëdhelja me brirthët e mi, ta njomja me lëngun
tim thelbësor, t’i lëpija, pija, përpija vesën mbi petla; pastaj ndërrova
mendim: më mirë të kthehesha në bletë të egër, të shkoja e t’i futesha
mes petlave, t’i thithja nektarin, nektarin blu, për të prodhuar një mjaltë
qumështor të rrallë.

2) Befas u drodh: iu kujtua se një psikologe, mikja e saj e ngushtë, grua e
ditur, e emancipuar dhe sexy, i kishte thënë para disa muajsh se kishte
blerë njëfarë fjalori erotik ku kishte lexuar se shprehja “trekëndësh i zi”
paskësh kuptimin “baqth, fundi i barkut”, sidomos kur flitet për
femrën.

3) Befas, ndjeu sërish drithërimën e qëparshme në fund të barkut. Një
dyshim i fshiku ndërgjegjen e topitur nga nxehtësia: mos vallë po
bymehej diku, në qendër të vullkanit, në sy të ciklonit, në epiqendër të
tërmetit më instinktiv të qenies së vet? Në një përpjekje të
stërmundimshme për të menduar si krijesë shoqërore, iu duk sikur një
zë i mekur i pëshpëriti të kthehej menjëherë në kurriz nëse nuk donte
të linte nam në mes të plazhit, në mes të ditës, në mes të njerëzve.
4) Muzeu i trupit tënd, o zyshë, kurrë s’do të më kishte shkuar mendja se
mund të vizitohej aq lehtë. Me vështrim, sigurisht. Unë që rrija në
bankën e fundit, o zyshë, u mërzita shumë kur ti the se në orën tënde
do të rrija gjithmonë në bankë të parë, mu përpara tryezës sate. Por me
t’u ulur atje, ndodhi mrekullia: parfumi yt i lehtë sikur më dehu dhe unë
zbulova se ti kishe një trup të mrekullueshëm, pavarësisht fytyrës sate
të rëndomtë.

1) “E ëmbla ime, po vij, po rend, po fluturoj drejt teje! Të përfytyroj
madhështore e mbretërore në lakuriqësinë tënde që më eksiton, tërbon,
kafshëron. Për pesë minuta jam aty, brenda në vaskë, pranë teje, sipër
teje, brenda teje. Më prit që të kënaqemi së bashku! Të ndaloj
rreptësisht të vetëdëfrehesh, siç bën nganjëherë kur unë vonohem disa
minuta më tepër se ç’të kam premtuar. Ja, po vij të të shkatërroj
lumturisht për të të rindërtuar të pavdekshme në kulmin e ekstazës.
Përbindëshi yt i mrekullueshëm”.

Titulli: E gjelbër smeraldi
Titulli në origjinal: Smaragdgrün
Autori: Kerstin Gier

Përktheu: Sabina Dhrimo
Zhanri: Fanta-shkencë
Data e botimit: Korrik, 2021
Numri i faqeve: 400
Çmimi: 1200 lekë

Libri me një fjali
Një libër që me ironi, fantazi dhe origjinalitet të mban pezull dhe të zbavit,
duke të shëtitur përgjatë mijëvjeçarit, në përmbushje të një misioni në të mirë
të njerëzimit.

Informacion i përgjithshëm rreth librit
“E gjelbër smeraldi” është vëllimi i tretë i trilogjisë së gurëve të çmuar: ai vjen
pas “E kuqe rubini” dhe “Blu safiri”.
Kjo trilogji është bërë e famshme në të gjithë botën dhe është botuar në mbi
27 gjuhë, përfshirë gjermanisht, anglisht, kinezisht, çekisht, danisht, frëngjisht,
greqisht, hungarisht, italisht, japonisht, holandisht, spanjisht etj. Vetëm në
Gjermani janë shitur më shumë se 2 milionë kopje. Në Amerikë “E kuqe
rubini” fitoi dhe çmimin “Libri më i mirë për të rinj” dhënë nga American
Library Association.
Tashmë, Guendolina duhet të përmbushë fatin e saj, por askush nuk mund t’i
thotë se çfarë duhet të bëjë. Qysh kur ka mësuar se ajo vetë është Rubini,
anëtarja e fundit e Rrethit të të Dymbëdhjetëve që udhëtojnë në kohë, bashkë
me Gideonin kanë kryer udhëtime të shumta në të shkuarën. Ata lidhen me
anëtarë të humbur të Rrethit, me qëllim që t’u marrin kampionët e gjakut për
t’i shtënë në kronograf, duke plotësuar kësisoj Rrethin dhe duke bërë të
mundur realizimin e profecisë së fshehtë.
Ajo dyshon se themeluesi i Rrethit, Konti i Sent Zhermenit, po thur një plan
djallëzor, por askush nuk i zë besë fjalës së saj. Nga ana tjetër, dëshpërimisht
e dashuruar me Gideonin, Guendolina pandeh se ai po e shfrytëzon për
qëllime të tjera të këqija.
“E gjelbër smeraldi” është përfundimi i jashtëzakonshëm e kësaj trilogjie, që
nis aty ku janë ndërprerë ngjarjet e “Blu safirit”, duke arritur maja të reja
intrigash dhe romantizmi, ndërsa Guendolina më së fundi, zbulon sekretet
e shoqërisë së udhëtimit në kohë dhe mëson fatin e saj.
Më 7 korrik 2016, doli në kinematë gjermane edhe filmi “E gjelbër smeraldi”
bazuar pikërisht në vëllimin e tretë të trilogjisë.

Kritika

Admiruesit e trilogjisë së gurëve të çmuar nuk do të mbeten të zhgënjyer nga
kjo finale befasuese dhe romantike.
Kirkus Review

Një roman për të rinj, me një ritëm të jashtëzakonshëm, me personazhe të
mahnitshme, që mund të udhëtojnë në kohë, plot me hollësi historike që
s’duhen humbur.
YA Fantasy Addicts

Autorja

Kerstin Gier (1966) është autore gjermane e disa romaneve për të rritur dhe
për lexues të rinj. Ajo e ka nisur karrierën si mësuese dhe qysh prej 1995 është
edhe shkrimtare. Është autore bestsellerësh femërorë, gjithnjë në krye të
klasifikimeve gjermane. Gier është e njohur për trilogjinë e gurëve të çmuar,
që fillon me “E kuqe rubini” e pason me “Blu safiri” dhe “E gjelbër Smeraldi”.
Kjo trilogji ka shitur mbi 3 milionë kopje dhe është botuar në 22 vende të
botës.
Vepra të tjera të rëndësishme përfshijnë Männer und andere Katastrophen (Burrat
dhe katastrofa të tjera), i cili tashmë është ekranizuar. Librat e tjerë të saj kanë
pasur sukses të madh sidomos në Gjermani. Romani Das unmoralische
Sonderangebot (Akordi imoral) fitoi çmimin e romanit më të mirë të vitit në
Gjermani.
Kerstin Gier punon tashmë me kohë të plotë si shkrimtare në profesion të
lirë dhe jeton në një fshat pranë Bergisch Gladbach, në Gjermani, bashkë me
të shoqin dhe djalin e saj.

Fragmente nga libri

1) Kur më puth ti, Guendolina Sheferd, e humbas kontaktin me tokën.
Nuk e di se si e bën apo ku e ke mësuar. Nëse e ke parë në ndonjë film,
atëherë duhet ta shikojmë patjetër bashkë. Kur më puth ti, nuk dua
asgjë më shumë, sesa të të ndiej e të të mbaj në krahët e mi. Ta hajë
dreqi, jam dashuruar kaq keq me ty, saqë ndihem sikur dikush, diku
brenda meje, ka derdhur një bidon me benzinë dhe i ka vënë flakën!

2) [..] në fillim edhe unë kujtoja se do të vdisja nga brenga. Saktësisht, nga
një ndërprerje e njëkohshme e disa organeve. Sepse në të gjitha këto
shprehje ka diçka të vërtetë: dashuria kalon nëpër veshka, godet
stomakun, thyen zemrën, shtrëngon fort kraharorin dhe… eh… bren
mëlçinë… Por: e para, kjo kalon, e dyta, situata nuk është kaq e
pashpresë sa të duket ty dhe, e treta, zemra jote nuk është prej qelqi.

3) Veç kur zbehet Ylli i Dymbëdhjetë,
Shqiponja mbërrin përjetësisht qëllimin e vet.
Ndaj ta dish: një yll digjet dashurie sfilitur,
Kur vdekjen vetes vetë ia ka gatitur.

4) Ndoshta nuk është zgjuarsi, por nuk dua të di se ç’më pret në të
ardhmen…

5) Në të vërtetë, zemrat janë bërë prej një materiali krejt tjetër. Bëhet
fjalë për një material shumë më të fortë, të pathyeshëm e që formohet
sistematikisht nga e para. Sipas një recete të fshehtë.