Çfarë ka të re nga jeta artistike e Tiranës? “revistawho.com” sjell një guidë për këtë javë.
Gent Rushi, koncert xhazi në Teatrin e Metropolit
Në sallën “Shekspir” të Teatrit Metropol do të ngjitet një koncert xhaz, më 28 janar, ora 19:00. Koncerti i parë i kësaj natyre në këtë teatër, do të përfshijë një program me muzikë standarte xhaz dhe pjesë të riaranxhuara shqiptare. Pjesë kryesore te koncertit do të jetë kuarteti i xhazit me të cilin Gent Rushi performon prej shumë vitesh. “Ky koncert është në rradhën e projekteve të mia, në bashkëpunim me artistë, miq të mitë. Vetëm se këtë rradhë ne vendosëm që të bënim diçka më të madhe për ne sikurse dhe të krijonim hapësira dhe për muzikantë më të rinj”, – tregon lideri i grupit, muzikanti Gent Rushi. Sipas tij, gjysma e stafit të grupit janë artistë të rinj dhe pjesa tjetër me eksperienca të ndryshme. “Ideja e këtij projekti është e thjeshtë. Të prezantojmë muzikë të mirë, pa pretendimin për të parë majtas apo djathtas apo çfarë do të vij më vonë. Ky është një koncert, i cili unë nuk dua të ngelet këtu. Pas tij, synoj koncerte të tjera dhe pjesëmarrje në evente të ndryshme, festivale, regjistrime, etj”, – thotë Genti. Grupi ka përbërje sax, piano, bass, trompë dhe trombone. Gjithashtu, do të këndohet live nga Kamela Islamaj. Koncerti do të zgjasë rreth 1 orë e 30 min. Grupi përbëhet nga: Gent Rushi piano, Emiljan Dhimo drums, Dritan Hekurani bass, Kamela Islamaj vocal, Ermal Rodi sax, Flavio Sefa sax, Eno Gjoka sax, Taulant Hatija tromb,Raikard Bardhi tromb, Ilir Vorbsi trombone dhe Pëllumb Delija trombone.
Baletet e Preljocaj, “La Stravaganza” dhe “Noces” në Teatrin e Operës
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në datat 28-29 janar, do të vijë në skenë edhe njëherë baletet “La Stravaganza” dhe “Noces” të koreografit të njohur shqiptar në perëndim, Angjelin Preljocaj. “Noces” është krijim i vitit 1989 me muzikë të Igor Stravinski “Les Noces” dhe në të interpretojnë: Loreta Bala, Odeta Dishnica, Rovena Shqevi, Adela Muçollari, Elda Logo/Ledia Sulaj, Gerd Vaso, Eltjon Merja, Kristi Dushmani, Dion Gjinika, Andi Vrapi/Endri Shkoza. “Gjithmonë dasmat më janë dukur si tragjedi të çuditshme. Ndoshta, nisur nga tradita ballkanase apo thjesht prej fantazisë së gjallë të një fëmije, instiktivisht e kam ditur që kishte një mister që shoqëronte figurën e nuses, e cila asnjëherë nuk shfaqej gjatë festimeve të dasmës së saj”, ka thënë vetë koreografi i cili ka pranuar se është frymëzuar nga dasmat shqiptare. Ndërsa, “La Stravaganza” është krijim i vitit 1997 me muzikë të Antonio Vivaldit. Në të, interpretojnë: Ledia Sulaj, Loreta Bala, Odeta Dishnica, Adela Lami, Adela Muçollari, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Gerd Vaso, Dion Gjinika, Ervis Nallbani, Eltjon Merja, Endri Shkoza, Kristi Dushmani. “Simbol i emigrimit për ata që largohen dhe udhëtojnë për të ndërtuar diçka tjetër, kjo ide e një kontinenti të rimë është shfaqur me forcë gjatë këtij krijimi. ‘Stravaganza’ më sjell ndërmend historinë time personale, rrugën që unë kam ndjekur”, – është shprehur koreografi Preljocaj.
Në shqip kryevepra e Primo Levit
Një rrëfim rrëqethës dhe një analizë e thellë mbi historinë e kampeve të përqendrimit, mbi fyerjen, poshtërimin dhe degradimin e njeriut, para se të mbërrihet në shfarosjen e plotë të tij. “A është, vallë, njeri…?” është libri i parë i Primo Levi-t, shkruar e botuar më 1947-ën menjëherë pas daljes nga kampi i përqendrimit në Aushvic. Në këtë libër botuar nga “Pegi” e përkthyer nga Genci Pjetri, ai rrëfen përvojën e një viti të tërë, nga shkurti 1944 deri më 27 janar 1945, të kaluar në lagerin e Buna-Monovicit. Buna ishte një ndër 44 kampet satelitë të Aushvicit, në Silezinë e Sipërme, në territorin polak. Historia fillon me internimin e autorit në kampin për hebrenj në Fosoli dhe përfundon me çlirimin e kampit të Aushvicit nga ushtria ruse. Levi arriti të mbijetonte falë ushqimit shtesë, që një punëtor italian, Lorencoja, arrinte t’ia kalonte fshehurazi. Përvoja e Levi-t si një ndër të mbijetuarit e këtij Lageri famëkeq shpërfaqet në një prej librave më realistë e të thellë mbi ferrin që përjetuan gjithë bota e sidomos hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me stilin e zhveshur të një kronike, ai sjell dëshmi tronditëse të asaj mbijetese deri në çnjerëzim. Ky është libri i dinjitetit, i zvetënimit të njeriut përballë mekanizmave të pamëshirshme të shfarosjes në masë. Peripecitë e turmës, që tashmë s’kanë emër, por veç një numër të vulosur si tatuazh i përjetshëm mbi parakrahun e majtë, rikujtohen pa asnjë fije retorike, duke ia lënë komentet në dorë vetë realitetit lebetitës. Nga kori i personazheve të paharrueshëm të librit ngrihet një mesazh i kthjellët moral e qytetar.
“Mëkati fillestar”, një provokim nga Virgjil Muçi
A janë legjendat tona aq të vërteta sa ç’na janë servirur në shekuj? Kjo është pyetja që shtron Virgjil Muçi në librin e tij të ri, “Mëkati fillestar” publikuar nga Botimet “Pegi”. Ernest K., shkrimtar dhe studiues i krijimitarisë popullore shqiptare, gjendet i përfshirë në një situatë të çuditshme të formimit dhe ngritjes së një kënge popullore. Shkrimtarin e kanë ftuar të shohë ngjizjen e një kënge, që një miku i vet malësor ia kushton gruas së të vëllait të vdekur, pikërisht se ajo ishte sjellë si heroinë duke vrarë një burrë që kërkonte t’i merrte nderin. Paçka se gjithçka duket e pastër si drita e diellit dhe këngëtari popullor duhet vetëm të hedhë në letër trimërinë e pashoqe të gruas, disa veprime thuajse të padukshme për një sy të pastërvitur, do ta shtyjnë Ernest K-në, të kthehet gati në një dedektiv, ai kërkon të shohë përtej legjendës, kërkon të gjejë të vërtetën që gjendjet pas patosit dhe epikës së kësaj kënge. Çfarë fshihet në të vërtetë pas kësaj? Cili është mëkati që kërkojnë të mbulojnë? Dhe kjo gjë do ta bëjë të mendojë për qenësinë dhe vërtetësinë e legjendave të “Rozafës” dhe të “Kostandinit e Doruntinës”. Vërtet Rozafa u muros e gjallë për të mbajtur në këmbë kështjellën? Vërtet Kostandini e martoi të motrën larg për hir të miqësisë dhe i dha besën se do ta sillte sa herë që nëna të kish nevojë? Shkrimtari tashmë rrëmon në ndërgjegjen kolektive të popullit për të dhënë një këndvështrim tjetër nga ai që jemi mësuar të shohim prej shekujsh. Ky është një libër që do të shkaktojë debate të shumta mbi vërtetësinë e legjendave. A janë, vallë, patriotizmi, besa, flijimi dhe vetsakrifikimi për hir të atdheut thelbi i vërtetë i tyre?