• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

Dashuria, dhurata më e bukur për Rudinën

Nga Eraldo Rexho / Fotot: Geljant Kaleci

Ndërsa dhjetori ka trokitur me ndriçimin shumëngjyrësh të festave, Rudina Magjistari rend mes punës dhe organizimit të një fundviti të këndshëm. Ajo po jeton ditë të bardha. Prej disa kohësh tashmë, prezantuesja e dashur e “Takimit të Pasdites” në “Tv Klan”, të cilin e drejton prej pothuajse 6 vitesh, ndan ditët dhe mbrëmjet e saj me një djalosh simpatik, tek i cili ka gjetur dashurinë dhe paqen që ajo jep. Një histori që nisi me një ftesë për në program nëpërmjet “Facebook”-ut, e që u pasua me mesazhe e telefonata të gjata, derisa Xhavit Bajrami, 8 herë Kampion i Botës në Kickbox, vendosi të ‘braktisë’ jetën jashtë kufijve tanë, për t’u shpërngulur në Tiranë, krah së bukurës Rudinë…

Moderatorja e njohur, që vijon prej vitesh gjithmonë suksesshëm aktivitetin e saj në media, vjen në “WHO” me një rrëfim për dashurinë, për pasionet, për mbrëmjet e qeta, për mëngjeset plot dritë, për ditët që nisin përkrah dikujt që të dhuron më shumë se buzëqeshje. Kur për herë të parë lexoi emrin e Xhavit, ajo kurrë nuk e mendoi se ato shkronja, çdoherë më vonë, do t’i krijonin asaj ndjesitë më të këndshme që një femër mund të ketë. Ka marrë prej tij mesazhe nga kënde të ndryshme të botës, por, një mesazh i dërguar nga Tokio në fillimet e historisë – “Hello from Tokyo” – vlen sa për shumë të tillë. Në prag festash, është koha e duhur për të marrë e dhënë dashuri, dhe Rudina këtë e bën më së miri përgjatë gjithë vitit. Veçse, në këtë prag feste, ajo ndan me ne detaje nga jeta e përditshme, nga ato që u ngjajnë brilanteve: të vogla dhe të çmuara. “Ky muaj festash më gjen të qetë e të kënaqur, rrethuar nga njerëz që më duan e i dua shumë, duke bërë ditë pas dite, një punë që e adhuroj, duke takuar njerëz të ndryshëm, duke folur për tema interesante, duke lexuar propozimin e fundit të ‘Klubit të librit me Rudinën’, ‘Paula’, duke iu gëzuar pemës dhe dekorimeve shkëlqyese të Vitit të Ri e duke bërë plane për pushimet e festave”, – tregon ajo.

Rudina Magjistari

Pjesën më të madhe të ditës së saj e zë puna për programin e përditshëm. “Kështu që jam ca më e ngarkuar se zakonisht, sepse programet festive kërkojnë impenjim, duke pasur parasysh që vijnë çdo vit njësoj dhe që ti, çdo vit duhet të bësh diçka të ndryshme. Plus që përgatisim edhe në avancë programet e ditëve të pushimit, në mënyrë që takimin me publikun të mos e ndërpresim asnjëherë.”

Kur e pyet për jetën e saj të re dhe si është të jesh pranë Xhavit Bajramit, Rudinës, një dritë i ndriçon fytyrën, sytë e saj dhe qeshja që i vesh buzët flasin shumë. “Kam pasur fatin të njoh një njeri shumë të veçantë e të mrekullueshëm, që më plotëson e më mbështet në gjithçka. Të jem pranë tij më bën të ndihem e lumtur”, – thotë ajo shkurt, duke përmbledhur në pak fjalë një botë të tërë.

Xhavi, siç i thërret shkurt ajo, jeton mes Zvicrës dhe Shqipërisë. Këtu ka hapur një palestër të madhe, “JAVA GYM Albania”, shumë të frekuentuar, me një shërbim mjaft cilësor dhe të kompletuar, si dhe ka organizuar, prej një viti tashmë, për herë të parë Federatën Kombëtare të Kickbox-it në Shqipëri, duke e drejtuar atë me shumë pasion e duke organizuar, edhe pse në pak kohë, mjaft aktivitete, turne apo kampionate. Vendosja e tij këtu edhe me punë, bën që pjesën më të madhe të kohës ata të jenë bashkë. E kanë nisur bashkëjetesën krejt natyrshëm, si për t’i dhuruar vetes më shumë qetësi, më shumë përkujdesje e më shumë paqe. Mes tyre nuk ka detyra të ndara, ndaj, pyetjes “Kush e bën mëngjesin?” Rudina i përgjigjet krejt natyrshëm. “Gjithmonë na pëlqen që gjërat t’i bëjmë bashkë. Shpeshherë edhe mëngjesin. Duke ndihmuar njëri-tjetrin, duke biseduar, duke shijuar çdo moment së bashku.” Ndaj dhe kafeja e tyre e parë është në shtëpi. “Kafenë e parë e preferojmë në shtëpi. Pastaj gjatë ditës, si të qëllojë; nëse na del koha edhe për një kafe jashtë, por gjithsesi s’ka një vend të përcaktuar”. E përveç kohës që i dedikojnë punës, janë pothuajse gjithmonë bashkë. Drekën, herë e kalojnë në shtëpi, e herë të tjera drekojnë jashtë, në varësi të orareve të punës së tyre, që shpeshherë përfshin edhe kohën e drekës. Mbrëmja për ta mbase është pjesa më e rëndësishme e ditës. “Mbrëmja është e mezipritur, për t’u takuar me mall pas një dite pune, për të biseduar e për t’u çlodhur me një darkë të lehtë e me ndonjë film.”

rudina-e1425282026292

Nga vetëm në të dashur, e nga të dashur në dy njerëz që bashkëjetojnë, jeta e tyre në praninë e njëri-tjetrit ka sjellë ndryshime. Vetë Rudina thotë se “kjo jetë e re, është më e plotë, pa diskutim. Duke pasur të njëjtat shije dhe interesa në përgjithësi, e shijojmë plotësisht çdo gjë që bëjmë bashkë. Na pëlqen të udhëtojmë në fundjavë, sa më pranë natyrës mundësisht. Po kështu, të jetuarit shëndetshëm, me ushqim, regjim, aktivitet fizik, tashmë është diçka e zakonshme në jetën tonë”.

Profesionet nuk duket se i pengojnë në marrëdhënien e tyre, është më shumë koha që ato iu marrin, por edhe kjo është një pengesë e kapërcyeshme. “Nuk do thosha që na pengojnë. Profesionet në vetvete, jo vetëm që s’na pengojnë, por janë shumë në harmoni me njëri-tjetrin. Kurse referuar konceptit ‘punë’, ajo ka vendin dhe rëndësinë e vet në jetën e çdo njeriu. Sigurisht që ajo merr nga koha që mund të kishim ndenjur bashkë, por, ju siguroj që është shumë më mirë kështu.”

Atyre nuk iu pëlqen të bëjnë plane, sepse për Rudinën, gjërat ndodhin sepse duhet të ndodhin. Koha le ta përcaktojë se kur. Çifti ende nuk e ka vendosur ku do e kalojë natën e ndërrimit të viteve, por po mendojnë të zgjedhin mes disa alternativave. Një ndër to, ndoshta do të jetë një darkë me familjarët e tyre, që e kanë pritur shumë mirë këtë marrëdhënie, e Rudina duket e qetë për këtë, pasi sipas saj, “kur fëmijët janë të lumtur, edhe prindërit janë po ashtu”. Të qenët persona publikë, sigurisht që ndikon në mënyrën e tyre të jetesës. “Si për këdo që është person publik. Si vetëm, si në çift, është e njëjta gjë: jeta jote është më e vëzhguar dhe me këtë fakt duhet bashkëjetuar. Por, pavarësisht kësaj, jetojmë normalisht duke shijuar jetën tonë”, – sqaron bukuroshja Magjistari, e cila, si për ironi të fatit, këtë rrëfim të parë mbi jetën në çift ma besoi mua, gazetarit që kur dy vite të shkuara botoi lajmin e dashurisë së re, asaj nuk i pëlqeu. E tillë është Rudina, një nga ata njerëz që s’jetojnë dot me inate, nga ata që janë falënderues për gjithçka kanë, por që nuk reshtin së ëndërruari… “Nuk besoj se dëshirat dhe ëndrrat do më shterin ndonjëherë. Ndryshe nuk do kisha motivim për të ecur përpara”. Pyetjes nëse i kanë menduar dhuratat për njëri-tjetrin, ajo i përgjigjet me një “po”, duke lënë pak mister për përmbajtjen e tyre, por edhe duke shtuar se “dhurata më e bukur që mund t’i bëjmë njëri tjetrit është vetë dashuria”. Çka të lë të besosh se një festë speciale do të jenë duke përgatitur, siç është tek e fundit vetë dashuria e tyre…

Xhavit Bajrami
Xhavit Bajrami

Xhavit Bajrami mban titullin “xhentëllmen” në ring dhe ne e pyesim se si është ai në raport me të. “Atë titull nuk ia kanë vënë rastësisht. Unë e admiroj fisnikërinë dhe elegancën e tij.” Para se të vinte në Tiranë, Xhavi ka jetuar në Zvicër, Japoni e madje edhe në disa shtete të tjera. Ndaj, duke menduar se ai e ka pasur të vështirë të ambientohej në fillim me Tiranën, e pyesim Rudinën edhe për këtë. “Fillimi s’është i lehtë gjithmonë, por fakti që ai ka udhëtuar shumë, ia bën më të thjeshtë ambientimin me një vend të ri. Dhe Shqipëria për të ishte e re, sepse për herë të parë e ka vizituar në 2010-ën. Jo pak i habitur me kaosin tonë karakterizues, por edhe ekzotik në të njëjtën kohë, nuk hezitoi aspak të merrte nënshtetësinë shqiptare, pasi, për fat, edhe shteti zviceran e lejon dyshtetësinë.”

Jeta me të, Rudinës i ka dhënë edhe një variacion tjetër: udhëtimet drejt Kosovës. Udhëtime të cilat ajo i shijon pa masë. “Të shkosh në Kosovë sot, për nga distanca, është si të shkosh pak a shumë në Vlorë. Nuk quhet më ngjarje. Përveç asaj radhës së pritjes në kufi, që është shumë e shëmtuar. Por Prishtina është e bukur dhe në Kosovë ka shumë vende mahnitëse turistike, që duhet t’i njohim dhe vizitojmë më shumë. Ia vlen rruga!” – thotë ajo.

Një jetë intensive në kuptimin e plotë të fjalës. Një ndryshim 180 gradë për një nga prezantueset më të dashura shqiptare, që vitet jo vetëm nuk ia kanë zbehur sharmin, por përkundrazi, e kanë bërë më të bukur dhe më të suksesshme. Për të gjitha këto arsye, “WHO” zgjodhi Rudinën dhe dashurinë e saj të madhe për ta mbyllur 2014-ën. Festat e fundvitit janë të gëzueshme për të gjithë ne, apo jo?! Falin shpresë dhe gëzim. Ndërsa këtë vit, për Rudina Magjistarin kanë akoma më shumë kuptim: në këtë fundvit feston përmbylljen me sukses të 12 muajve të gjatë përkushtimi profesional dhe emocionin që të fal një histori e bukur dashurie. Për të cilën, me siguri, nuk gabohemi po të themi se është një nga ato histori që përfundon me “…dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë!”.

Leave a Reply