• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

DANCING WITH ROVENA!

Pjesëmarrja në spektaklin e vallëzimit dhe projektet e reja të këngëtares… Një rrëfim “si n’shpi” nga Rovena Dilo

[metaslider id=2964]

Nga Eraldo Rexho / Fotot: Geljant Kaleci / Ambientet: “Bar Rovena”

Gjysmërrezet e diellit të fillimvjeshtës përthyhen lehtazi para se të shtrohen mbi lulet e “Bar Rovenës”. Dritaret e karriget ruajnë ende një bardhësi të pafajshme, ndërsa një abazhur rreket më kot, t’u imponojë të bardhemen e vet ulëseve të drunjta.

Matanë, një vazo e qelqtë krenohet me disa filiza të gjelbër që i shtohen panoramës së paqtë. Rovena, e veshur me të bardha, ka zënë vend në një prej karrigeve në qoshen e futur të kafenesë, ku është lënë më herët një takim në të cilin do të flitet për pushime e projekte. Tingujt, të ftojnë të vallëzosh mbi tapetet që hijeshojnë ambientin e jashtëm, dhe për një çast Rovena rrëmbehet nga një piruetë, mbështjellë me një fustan që endet rreth saj. Geli fikson çdo çast, për ta bërë të përjetshëm.

Më tutje, brenda lokalit syri të kap një tavolinë të ndërtuar nga libra të mëdhenj, me kapakë të trashë, të vjetër, me fletë të verdha. Mbi ta është vënë një mbulojë e xhamtë që e kthen të gjithën në një tavolinë mbi libra, ndanë së cilës qëndron një ulëse, me krahë të drunjtë, e veshur me beze me katrorë, kaq ftuese për t’u ulur, qoftë edhe vetëm për të kundruar panoramën a për të humbur në mendime, për të ëndërruar Parisin, Romën a Vjenën.

Jashtë në natyrë, a brenda mes librash, kolltukësh, ulësesh, ndenjësesh, mund të ndihesh si në sallonet e kahershme që kemi imagjinuar kur lexonim letërsi angleze a franceze, ngase stilet e arredimit janë të rregullta në parregullsinë e vet dhe ndërthuren paqësisht, si të shkrira me njëra-tjetrën.

Në një tavolinë të drunjtë, një tufë luledielli ngrihen hareshëm, duke u shtuar të verdhën rrezeve të fundit.

Rovena na tregon se arredimi i fundit ka pasur pikërisht këtë qëllim, të përhumbesh e të ndihesh rehat, mes gjelbërimit dhe mobileve, për të dhuruar edhe ngrohtësi, edhe paqe, që të të bëjë njëherësh të harrosh, por edhe të ndihesh ‘si në shtëpi’. “Futesh në këtë gjendjen e një rehatie pa fund. Ndaj edhe në eksterierin që kemi, ndjesitë janë të tjera” – thotë ajo, ndërsa numëron një sërë projektesh, që kanë të bëjnë me zëra të muzikës së vërtetë që kanë qenë ose do të jenë aty për të kënduar.

“Muzika është harmoni, dhe njerëzit e dëgjojnë atë që të ndihen më mirë e që të hyjnë në një botë të re, e cila nuk është ky realiteti ku ne ecim çdo ditë. Muzika të nxjerr nga realiteti i zakonshëm dhe të fut në një realitet të veçantë” – thotë ajo, kur e pyes nëse një ndër qëllimet e përzgjedhjes së artistëve është edhe edukimi i shijeve të holla muzikore për një brez që nëpërdhëmb tekste të pakuptimta, gjysmatekstesh që nuk thonë asgjë, por që janë trendi i momentit, trendi komercial që i zë vend muzikës së vërtetë, asaj që të jep një tjetër gjendje. Ahengu që konsumohet si çorbë e prishur është një tjetër shqetësim i saj si këngëtare, e një brezi që bënte muzikë, e jo zhurmë.

Mandej biseda sillet rreth pushimeve në jug dhe në Greqi, këngës së re me të cilën ajo po punon, një dite të zakonshme të saj dhe një prej sfidave që ka marrë përsipër, “Dancing With The Stars Albania”, ku ajo do të jetë një prej konkurrentëve. “I was born a dancer-singer, por, kërcimi mbeti aty në sirtarin e ëndrrave të mia, ndërkohë që, për fat të mirë, kënga nuk mbeti ëndërr”, – thotë, kur e pyet se si po e pret këtë projekt, duke shtuar se i tha “Po”, pa frikë, pa droje e pa hezitim ftesës së produksionit. “Është një moment që në jetë më duhet një spektakël i tillë, i bukur, me drita, me ngjyra, me kërcime, me një atmosferë pozitive. Më duhet ai pozitivitet dhe ia hodha duart në qafë”, – nënvizon këngëtarja, ndërsa ndan me ne më poshtë edhe mendime të tjera.

Nga fotot e bukura të Geljantit ndihet një erë ndryshimi në “Bar Rovena”…

Po, është e vërtetë. Është një menaxhim i ri nga brand-i “Si n’shpi”. Ata i kanë dhënë më shumë ngjyra dhe e kanë bërë më të dashur e më të ngrohtë ambientin, ndryshe nga ambienti i parë, që qe i bardhë dhe shumë puritan.

Kam përshtypjen se, siç ka emrin patenta “Si n’shpi”, është një dëshirë e madhe të rrish në një ambient që të ofron komoditetin e një shtëpie shumë eklektike, që nuk ka një stil të përcaktuar, por që të kujton pak ato sallonet franceze e angleze. Futesh në këtë gjendjen e një rehatie pa fund. Ndaj edhe në eksterierin që kemi, ndjesitë janë të tjera e Geljanti ka punuar me shumë kënaqësi.

Ka edhe një lloj ndriçimi që krijon atmosferë…

Sigurisht, mendoj se ngjyrat e dashura, siç janë tani ngjyrat e mureve, në një të kuqërremtë në tullë, e kanë bërë më të ngrohtë dhe kjo e ndihmon fotografinë, pasi ngjyrat i japin asaj tjetër atmosferë. I japin, mbi të gjitha, shumë më tepër se bardhezia.

Cilat janë projektet e reja që presim nga Rovena?

Së pari, projektet e reja janë në ambientin e lokalit tim. Do kemi shumë ‘live’. Kemi filluar dhe kemi pasur të ftuar këngëtarë interesantë si: Dren Abazi, Jenet in five, një grup rus, Landin me grupin e tij, “Downtown Lovers”, do të kemi dhe DJ të njohur së shpejti. Është një listë e gjatë aktivitetesh që “Bar Rovena” e “Si n’shpi” ofrojnë për Tiranën, për klientelën e përzgjedhur dhe për ata që realisht pëlqejnë e frekuentojnë një lloj arti të mirëfilltë dhe një art vërtet eklektik.

Bëhet fjalë për një art elitar që nuk i përzien të gjitha rrymat?

Nuk i përzien të gjitha llojet; jemi larg tallavasë, larg ahengut, larg atij turqizimit e arabizimit të plotë të muzikës shqiptare dhe larg trendeve, sepse kam vënë re që trendet janë turqizuar shumë (pa fyer shtetasit turq, as artin e mirë turk). Çdo gjë është bërë një lloj klisheje, një lloj stampe, dhe duket sikur gjithçka tingëllon njësoj, e kundër kësaj, është një shtresë e mirë e Shqipërisë që mundohet të dalë jashtë këtij trendi, që për mua është i lodhshëm, është njëngjyrësh dhe është një trend që tashmë edhe gjuhën e ka unifikuar me një gjuhë e slogan rruge. Duket sikur çdo këngëtar shqiptar mundohet të këndojë në një lloj gjuhe që unë pothuaj nuk e njoh dhe kam përshtypjen që nuk e njeh një fashë e gjerë dëgjuesish të muzikës së mirë. Duam të sjellim elitën e shijes së Tiranës.

A është ky një lloj edukimi i shijeve muzikore?

Po, sigurisht! “Ushqimi” që po hanë është pak a shumë një çorbë e prishur, mendoj unë. E, me gjithë kuptimin e fjalës: është një çorbë e prishur që mund ta hash 20 vjeç, por kur je 25 vjeç e lart të dhemb stomaku.

Dhe besoni që ka njerëz që ende e duan atë shijen e hollë muzikore: që ka një tekst me mesazh, një muzikë që të bën të ndjesh?

Sigurisht! Shqipëria nuk është vetëm tallava e aheng, e do më vinte keq ta pranoja këtë, sepse unë jam shqiptare. Nuk mund ta pranoj që nuk ka njerëz të tjerë si unë, ka shumë si unë; ka njerëz me shije, që e duan gjuhën shqipe të vijë në këngë e bukur, me kuptim, e madje me mesazh e me ndjenjë. Kur dëgjojnë muzikë, duhet edhe të rrëqethen, jo vetëm të harbohen, jo vetëm të ndjejnë që janë në trend. Në fund fare, muzika është harmoni, dhe njerëzit e dëgjojnë atë që të ndihen më mirë e që të hyjnë në një botë të re, e cila nuk është ky realiteti ku ne ecim çdo ditë. Muzika të nxjerr nga realiteti i zakonshëm dhe të fut në një realitet të veçantë. Unë nuk mendoj që sloganet e vogla nëpër këngë si “Ça ke bo”, “Pse e ke bo”, janë ajo që të bëjnë të ndjesh. Muzika është tjetër gjë.

Si një shkallë për një tjetër nivel të gjendjes së shpirtit?

Është të ndjesh mornica dhe të mos kesh nevojë për drogë apo hashash që të ndihesh mirë, e madje të mos kesh nevojë për ta hapur muzikën deri në fund që të ndihesh mirë apo që makina të jetë me shpejtësi maksimale. Unë them se muzika është e mirë, kur të bën të ndihesh mirë në çdo moment dhe në çdo lloj atmosfere apo ambienti në të cilin ti je duke e dëgjuar. Pra, jo muzika në funksion të gjendjeve, por muzika të të fusë në gjendje. Ajo është bukuria; muzika në vetvete është ajo që të çon në një gjendje tjetër, jo që pasi të kesh gjendjen edhe muzikën.

Një tjetër projekt juaji është “Dancing With The Stars”. Si ndiheni?

Propozimi i fundit i “Vizion Plus” është patenta e famshme, e njohur e më unike që ka pushtuar botën, “Dancing With The Stars”. Unë nuk mund t’i thosha “Jo” Holta Dulakut, e cila është krijuesja e këtij programi. Nuk e di se cili do të jetë partneri im në çift akoma, mbase do të jetë një moment i dytë për ta zbuluar. Kam një lloj emocioni, kam një lloj pritshmërie, është një lloj sfide, sepse nuk është e lehtë dhe nuk është një gjë që do të ndodhë sa hap e mbyll sytë. Është një punë tremujore, e vazhdueshme, është një punë që do stërvitje të përditshme që të nxjerrësh një produkt të mirë në javë, një kërcim dyminutësh. Unë e di se sa e vështirë është të kërcesh, unë e di se sa e vështirë është të krijosh koreografinë e një kërcimi sado të shkurtër në dukje. Shumëkush mendon se është një gjë e lehtë, por ata që e kanë provuar, e dinë shumë mirë se sa mund do.

Si jeni ju me kërcimin?

Është një frazë që më pëlqen ta them në anglisht: “I was born a dancer-singer” (kam lindur kërcimtare dhe këngëtare), por, kërcimi mbeti aty në sirtarin e ëndrrave të mia, ndërkohë që, për fat të mirë, kënga nuk mbeti ëndërr. Për herë të parë unë dola duke kërcyer te kënga “Ne do puthemi” dhe shumëkush u surprizua. Mund të thotë ndonjë që, unë u kujtova vonë të kërceja, por njeriu duhet të bëjë atë që do, në momentin që i vjen ta bëjë, të jetë i sinqertë me veten. Këtë bëra unë në rastin e këngës “Ne do puthemi”; i thashë dëshirës sime, kërkesës së momentit dhe kërkesës së këngës “po”. “Po” i them edhe produksionit “Dancing With The Stars”, e ia them pa frikë, pa droje e pa hezitim. Është një moment që në jetë më duhet një spektakël i tillë, i bukur, me drita, me ngjyra, me kërcime, me një atmosferë pozitive. Më duhet ai pozitivitet dhe ia hodha duart në qafë.

Ju kujton ky konkurs mbrëmjet e dikurshme të vallëzimit?

Jo, nuk më kujton ato. Jam përpjekur të hyj nëpër koreografi edhe kur kam qenë në Greqi. Por koreografia me këngët ‘live’ është shumë e vështirë sepse të pengon. Duhet të kesh një stërvitje që të jesh një singer-dancer, do shumë punë. Kam bërë në Greqi tri këngë me kërcim, por për kërkesat që kisha unë, ose do lije njërën, ose do lije tjetrën, dhe unë lija pak kërcimin e merresha me këngën, që e nxirrja më mirë. Megjithatë, në këtë rast, unë vetëm do të vallëzoj. Është gjë shumë pozitive, sepse do jem tërësisht e përqendruar te kërcimi. Ky konkurs, nuk më kujton gjëra, më kujton veten time; do të jem unë 100%, por jo si janë mësuar të më shohin.

Në “Dancing With The Stars” krijohen situata të këndshme dhe ka disa lloje kërcimesh: charleston, samba, rumba, tango. Ku është më shumë Rovena?

Unë nuk jam romantike, unë jam rock-girl, kështu që pëlqej më shumë zhanret e ftohta, kërcimet e forta. Më pëlqen më shumë të kërcej pop, rock, charleston sesa të kërcej valsin, tangon. Nuk jam romantike në kërcim, jam shpërthyese. Unë do synoj të kem pjesë ekspresive më shumë sesa një kërcim të lehtë. Kërcimet romantike kanë shumë klas e finesë.

Një vjeshtë me shumë punë; po vera, si ishte për ju?

Për mua gushti ka qenë vera. Kam bërë pushimet, kam lëvizur, jam relaksuar, s’kam menduar për asgjë, për asnjë punë dhe për asnjë impenjim. Pushimet nuk mjaftojnë asnjëherë; ato identifikohem me detin, me ujin e kaltër, dhe në këto ditë të nxehta të shtatorit (kur është bërë intervista) e kam gjatë gjithë kohës mendjen te deti. Do doja që të bëja pushime deri në tetor.

Ku i keni kaluar pushimet?

Kam kaluar disa ditë në Vuno, Palasë e Jalë. Kam qenë tri herë nga 4-5 ditë në plazhin tim të preferuar në Kavalla, po këtë herë edhe në një ishull përballë Kavallës, sepse unë nuk i ndahem Greqisë.

Si nis dita juaj këto kohë?

Rreth orës 10:00 unë vij këtu në “Bar Rovena” dhe jam në punë. Por jam e gatshme për të pritur telefonata të ndryshme, për administrimin e lokalit apo për administrimin e karrierës sime muzikore. Janë të ndryshme.

Dhe kur mbyllet?

Në përgjithësi rreth orës 16:00 i mbyll këto impenjime, dhe më pas shpesh kam takime edhe pasdite në kuadrin e këtyre punëve. Edhe në çaste të tilla, kur shijon një kafe, një koktej, bisedon dhe ngre ide për diçka në të ardhmen. Është pak e pamundur të programosh një ditë timen. Ka ndonjëherë telefonata në mëngjes që të ndryshojnë tërë ditën. Kam lënë një darkë sot, për një bisedë që e kemi planifikuar prej disa javësh me një mikeshë. Ditët janë të ndryshme sepse telefonatat e miqve janë të ndryshme. Epiqendra është menaxhimi e administrimi i eventeve të larmishme. Menaxhimi i një kafe-bari nuk është i lehtë, e sidomos kur ke impenjime të tjera. E më pas, nuk dua ta mendoj datën 1 tetor, kur fillon impenjimi në “Dancing With The Stars”, sepse do ketë çdo ditë stërvitje, takime e punë.

Mëngjesi nis me kafe; po mbrëmja, si mbaron? Me një gotë verë?

Jo. Kemi një listë koktejesh fantastike këtu në “Bar Rovena”, madje edhe shpikje të reja. Çdo natë kërkoj nga një koktej të ri. Kam një djalë e një vajzë që i bëjnë shumë të mirë, janë fantastikë! I kam lënë mënjanë verën, birrën e pijet teke.

Sa i takon muzikës, do jeni në festivale këtë vit?

Jo, këtë vit jam jashtë tyre. E kam lënë veten jashtë. Nuk kam pasur qëllim të marr pjesë. Kam në plan një singëll timin, i cili mendoj se do jetë gati deri në pranverë. Kam një projekt shumë më ambicioz e më impenjues se ç’ishte kënga “JO”.

Ndërkohë, mes impenjimeve, fundjavat si i kaloni?

Unë nuk është se jam një nga ata që organizoj lëvizje në fundjavë. Jam pak njeri që përtoj të lëviz shumë. Duhet të jetë shumë intriguese lëvizja ose duhet të udhëtoj jashtë. Nuk jam natyrë që marr makinën e shkoj në qytete të tjera apo rreth e qark Shqipërisë në vendet fqinje. Po sigurisht, po të kisha mundësi të udhëtoja larg e mirë, më mirë se Ballkani, do ikja.

Nga qytetet si Parisi, Roma, Vjena, ku jeni më mirë, ku do të dëshironit të ecnit?

Europa është e gjitha brenda meje dhe është varianti më i mirë ku mund të shkosh. Të gjitha këto janë të bukura. Janë të mrekullueshme Vjena, Roma, Parisi! Kudo.

Ju pëlqen të shëtisni, të bëni foto, të blini?

Më pëlqen të shëtis, të shoh njerëzit, të shijoj atmosferën që këto vende ofrojnë. Janë më mirë se Tirana, pa dyshim, e janë gjithnjë qytete që të lënë jo me gojë hapur, por me ndjesinë: ah sa bukur, ah sa mirë! Të japin një frymë tjetër.