Aktori Guljelm Radoja ka ndërruar sot jetë për shkak të Covid-19. Mësohet se aktori ishte futur në intubim në spitalin “Shefqet Ndroqi” prej dy ditësh, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Pak javë më parë, djali i tij, Redi Radoja, tha se gjendja e artistit ishte rënduar pasi i janë prekur mushkëritë dhe tani e humbi betejën me sëmundjen e rëndë.
Kujtojmë se Guljelm Radoja ka luajtur në kinematografi më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”./revistawho.com