• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Jetë, Lajme

“Çifti i çuditshëm”, një pjesë teatri në Tiranë që nuk duhet lënë pa parë – Nga Mira Meksi

Fillimtetorin e vitit 2010, në “Théâtre des Nouveautés” të Parisit 9, pashë komedinë e paharrueshme “Drôle de couple” (Një çift i çuditshëm) të shkrimtarit amerikan Neil Simon, një pjesë që ishte luajtur në Broadway që në vitin 1965 (The odd couple), e cila kish frymëzuar Gene Saks-in për të realizuar në vitin 1968 filmin e sukseshëm me të njëjtin titull. Ndonëse e kërkova filmotekave të njohura të Parisit kohë të tëra, nuk arrita ta gjeja dot. Ndërkohë, 30 vjet më vonë, pra më 1989 ishte realizuar pjesa e dytë e filmit “ The odd couple 2”.
Pjesa teatrale ishte një klasik i vjetër që më bëri ta dashuroja përnjëherë. Ishte vënë në skenë nga aktorja dhe regjizorja e njohur franceze Anne Bourgeois dhe protagonistët kryesorë ishin aktorët e famshëm Martin Lamotte dhe Bernard Farcy. Kur një maniak pastërtie me emrin Feliks, të cilin e shoqja e nxjerr në rrugë të madhe, dhe një i divorcuar shkataraq me emrin Oskar vendosin të jetojnë së bashku, lind një çift vërtet shumë i çuditshëm që mund të krijojë veç humor.
E dashuroj teatrin. Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar përjetova emocione të forta, të cilat bëheshin edhe më të thekshme nga nostalgjia e teatrit parizian. “Cifti i çuditshëm” i Simon-it, në shqip, vënë në skenë nga regjisorja e njohur Inis Gjoni, me artistë të shkëlqyer ku spikasnin aktorët shumë të dashur për ne të gjithë Romir Zalla dhe Gentian Zenelaj, ishte përpara meje. Që minutat e para të shfaqjes, kur startonte ritmi i lojës që vetëm do të lartësohej 100 e ca minutave që zgjati shfaqja, dhe ku unë, pa dashur, përpiqesha të krahasoja lojën e dy kohërave dhe dy skenave, atë të kaluarën e Parisit dhe të tashmen e Tiranës, kuptova se jo vetëm do përjetoja kënaqësinë e dikurshme të “Théâtre des Nouveautés” porse ca më tepër. Kimia e harmonishme dhe njëkohësisht shpërthyese midis Zallës dhe Zenelaj ishte jo vetëm e sinqertë, por edhe çelësi i humorit të hollë dhe të mrekullueshëm të shfaqjes. Vërtet që regjisorja Inis Gjoni luante me vlerat e sigurta të kësaj komendie të rrallë klasike, por ajo e kish gatuar atë mjeshtërisht në salcën shqiptare. Ndonëse në sfond të dekorit shiheshin qiellgërvishtëset e Nju Jorkut, realiteti i dekorit ndihej shumë i afërt, familjar, ndërsa vërtetësia e gjithçkaje bazohej edhe në batutat e kripura me humor, erëzat dhe piperi i fortë dhe aromatik i gjuhës shqipe. Dy personazhet e zhurmshme dytësore të luajtura aq bukur nga Radi dhe Lika ishin tepër efikase, dhe ishin qershia mbi tortën e suksesit të vënies në skenë kaq origjinale të komedisë “Çifti i çuditshëm”. Ishte një mbëmje fundvjeshte e rrallë.