• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Instant Articles, Lajme, Vetëm në WHO

Të gjitha ‘A-të’  që kanë shkruar historinë e televizionit shqiptar

Konkurenca në botën e ekranit është aq e madhe sa çdo ditë shohim të lançohen figura të reja. Pavarësisht kësaj, ka personazhe të cilët ‘kanë ngulur’ rrënjët në spektaklet më të njohura dhe ndonëse vitet ikin, ata janë po të njëjtët si herën e parë. RevistaWho.Com ka zgjedhur t’ju prezantojë me të gjitha ‘A-të’ e famshme që kanë shënjuar historinë në televizionet shqiptare dhe vazhdojnë ta shkruajnë atë.

Ardit Gjebrea:

Ardit Gjebrean e kemi parë në të gjitha dimensionet, këngëtar, kompozitor, moderator, autor programi. Në fillim me ‘Telebingon’ dhe ‘Këngën Magjike’ Arditi solli ndryshimin në ekranin shqiptar. Prej një dekade, Gjebrea ka krijuar emisionin e fundjavës ‘E diela shqiptare’ dhe vazhdon të jetë ndër më të ndjekurit, pavarësisht lançimeve të tjera që mund të shfaqen vit pas viti. Arditi është cilësuar si Paolo Bonolis shqiptar dhe kjo është një krenari më vete.

Adi Krasta:

Figura e Adi Krastës është gjithmonë e lidhur me Arditin, ata janë parë të dy gjithë kohën në një ‘luftë të hapur’, ndonëse vitet e fundit, Krasta ka qenë më shumë i fokusuar në emisionet politike dhe aktualitetin. Mirëpo, ai gjithmonë do të kujtohet për prezantimet e shumë festivaleve në Radio Televizionin Shqiptar, për emisionin e parë të talenteve të reja në Shqipëri ‘Ethet e së premtes mbrëma’ e shumë transmetime radiofonike. Së fundmi, Adi shfaqet në prime-time me ‘A Show’ në News 24, ku trajton të gjitha ngjarjet që ndodhin në vendin tonë brenda një jave. Ai është një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar.

Alketa Vejsiu:

Figura e Alketa Vejsiut është e lidhur ngushtësisht me regjisoren Vera Grabocka, pasi kjo e fundit në çdo spektakël të saj, ka zgjedhur Alketën në prezantim. Vejsiu është rritur në ekran, duke nisur nga ‘Top Albania Radio’ e duke vazhduar me spektaklet më të ndjekura të momentit si “Dance With Me”, “Në kurthin e Piter Pan”, “X Factor” e shumë  të tjerë. Alketa është dalluar gjithmonë për shkathtësinë e saj dhe shpejtësinë në artikulim. Ndonëse vitet shkojnë, ajo vazhdon të përcjellë të njëjtën energji pozitive si gjithmonë.

Arbana Osmani:

Arbana Osmani është një nga figurat më të çiltra të ekranit shqiptar. Fillimet i ka pasur në ‘Top Albania Radio’ si një adoleshente me ëndrrën për t’u bërë pjesëe e ekranit dhe ia doli. Sot , Arbana është një ndër femrat më të suksesshme në vend. Programet e saj janë gjithmonë më të ndjekurit, nisur nga “Big Brother” e duke vazhduar me “Dua të bëj të lumtur”.

Albana Osmani:

Dikur në ‘Abetaren shqipe’ ka qenë një vjershë për fëmijë, ku për një shkronjë që ti mund të ngatërroje gabimisht, e gjithë fjala merrte tjetër kuptim. E njëjta gjë ndodh dhe me dy vajzat e njohura, Arbana dhe Albana. Ato të dyja e kanë nisur nga ‘Top Albania Radio’, nga ‘Top Channel’ dhe mbi të gjitha ‘Top Fest’. Mirëpo Albana, ndryshe nga kolegia e saj u fokusua dhe në veprimtari jashtë ekranit, siç është nisma e ndërrmarë ‘ Ti je një Lule Dielli’. Tropojania ka vendosur të mos dorëzohet derisa të ndihmojë të gjithë fëmijët e prekur nga sëmundje të rënda. Deri më tani ia ka dalë bindshëm duke kaluar dhe trojet shqiptare.

Alban Dudushi:

E kur jemi tek ‘Top Channel’, nuk kishte se si të mos mungonte një ndër figurat më shquara të këtij televizioni, Alban Dudushi. Albani prej vitesh moderon ‘Top Show’, madje mund të cilësohet si një ndër emisionet më jetëgjatë të Shqipërisë. Ai ka krijuar një imazh të palëkundur duke i qendruar besnik këtij programi. Ndonëse është munduar të jetë pjesë e programeve të tjera si pçr shembull ‘E diell’, Dudushi është rikthyer sërish tek dashuria e tij e parë.

Amarda Toska:

Amarda Toska është një nga femrat më të ëmbla të ekranit. Në fillimet e saj, ajo njihej si Ami e “Portokallisë”. E kur jemi tek kjo e fundit, Ami do të kujtohet gjithmonë si një ndër prezantueset më të mira të këtij spektali humori. Viteve të fundit, Ami ka zgjedhur të eksperimentojë si në “Dancing with the stars” apo “ Lufta e nuseve”. Sidoqoftë, diçka është e sigurt, aty ku është bukuroshja ka gjithmonë sukses. Çifti që ka krijuar me Ermalin e bën edhe më të dashur në sytë e publikut.

Agron Llakaj:

Kur jemi tek ‘Portokallia’, një ndër figurat më të njohura të saj ka qenë aktori, njëherazi dhe moderatori i saj, Agron Llakaj. Ai është njohur si legjenda e humorit shqiptar, pasi ndër vite i ka sjell ekranit vetëm buzëqeshje. Nisur nga “Telebingo”, më pas me “ Portokalli”, e tashmë me “Al Pazar”, Agroni nuk është vetëm një aktor humori, moderator, por dhe një producent i shkëlqyer. Një ‘pasuri’ e ekranit tonë…

Anila Çela Teliti:

Ndoshta nuk e dinë të gjithë, por Anila karrierën e saj televizive e ka nisur në ‘Tirana Tv’. Ajo, në atë kohë ka qenë një studente, që prezantonte play-listat muzikore shqiptare. Mirëpo me kalimin ‘Vizion Plus’, gjithçka ndryshoi dhe Anila u bë një nga figurat kryesore të këtij televizioni. Ajo ka prezantuar shumë programe të ndryshme nisur nga mëngjesi e deri pasditeve. Bukuroshja syblu i ka qëndruar besnike këtij ekrani, pavarësisht ofertave tunduese që ka pasur. Së fundmi, Anila pritet të prezantojë formatin “Nga e para”, të cilin më herët e ka drejtuar missi i parë shqiptar, Valbona Selimllari.

CLOSE
CLOSE