Personazhet e njohur mundohen që në çdo moment të krijojnë një identitet të tyre, që të jetë i pangatërrueshëm. Megjithatë në disa raste, për shkak të një koicidence publiku është konfuzuar dhe kjo mund të ketë ndikuar në identitetin e të famshmëve. Shpesh kemi dëgjuar që dy personazhe të njohur të kenë të njëjtin emër dhe mbiemër, ndonjëherë edhe të njëjtin profesion, duke e bërë pak më të vështirë dallimin mes tyre nga ana e publikut. Të tilla raste janë të shumta edhe në radhët e personazheve të famshëm në Shqipëri, megjithatë ata ja kanë dalë të identifikohen nga njëri-tjetri dhe që secili të jetë i suksesshëm në fushën e tij.
Ervin Bushati:
Të gjithë e njohin këngëtarin shkodran Ervin Bushati që prej vitesh është dalluar për muzikën e bukur që realizon. Ai ka bërë dhe një sërë bashkëpunimesh me artistë të njohur si Irini Qirjako apo Anjeza Branka.
Mirëpo, po ashtu të gjithë njohin Ervin Bushatin tjetër si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Suksesi në këtë rast flet mjaft qartë.
Arta Marku:
E kur jemi te qarku i Shkodrës, emrat e njejtë vijojnë. Arta Marku është një ndër prokuroret shqiptare më të njohura në vend. Ajo vjen nga Puka dhe ka një karrierë të gjatë në drejtësi. Kulmi i saj u shënua kur u emërua kryeprokurore e Shqipërisë në 18 dhjetor të vitit 2017. Interesant është fakti që kur Marku u emërua kryeprokurore të gjithë u bën aq shumë kurioz sa filluan t’i dërgonin ftesa në rrjetet sociale gazetares së kulturës me po të njëjtin emër. Kujtojmë që kjo e fundit, doli dhe e sqaroi menjëherë ngatërresën e bërë. Gazetarja Arta Marku ndër të tjera është dalluar për përkthimet e kryera nga gjuhë të ndryshme.
Artan Hoxha:
E kush nuk e njeh gazetarin investigativ Artan Hoxha. Ai është ndër më të mirët në Shqipëri në këtë lloj fushe. Hoxha ka zbardhur shumë ngjarje të rëndësishme në vend me përpikmëri. Epo ‘adashi’ i tij, nëse mund ta quanim të tillë, është po aq i suksseshëm. Ai dikur ka qenë ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik, ndërsa sot është dekani i fakultetit të Drejtësisë. Hoxha gjithashtu është një nga opinionistët e njohur lidhur me çështjet ekonomike, ligjore, institucionale dhe politike me një aktivitet të spikatur mediatik në median televizive dhe shtypin e përditshëm.
Luan Rama:
I pari ka qenë ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës korrik 2002 – tetor 2003 të qeverisë socialiste. Aktualisht është sekretar i Përgjithshëm i LSI-së dhe një nga 140 deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Ai i përket Lëvizja Socialiste për Integrim, në qarkun e Tiranës.
Ndërkohë Luan Rama i dytë është kineast, studiues arti, publicist, shkrimtar, dhe ka lobuar si ambasador (1991-1992) në Paris, Francë. Rama ka qenë dhe diplomat kulturor i Shqipërisë (1997-2001), duke e përfaqësuar vendin edhe në UNESCO.
Enver Hoxha/j:
E kush nuk e njeh liderin komunist Enver Hoxha? Ne nuk po ju flasim për diktatorin, fundja historia dhe vitet që ai ka udhëhequr vendin flasin vetë. Po ju tregojmë për ministrin aktual të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn. Ky i fund ndoshta nuk ka të njëjtën famë, po ka po të njëjtin sukses. Me 9 janar 2008, Enver Hoxhaj u zgjodh ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, nga ku ka paraqitur zërin më të fuqishëm për çështje të arsimit, rinisë dhe të modernizimit të Kosovës. Një arritje e shënuar në histori…
Kida:
Edhe në botën e muzikës ndodhin të tilla ‘përplasje’, këngëtarja Kida është një ndër më të pëlqyerat e momentit. Çdo këngë që ajo lançon kthehet në hit të padiskutushëm. Mirëpo një tjetër artist i është shtuar së fundmi muzikës shqiptare me po këtë emër. Kida është reperi që bëri dikur menaxherët e këngëtares Zap and Chriss të paralajmëronin se do e kalonin çështjen deri në gjykatë. Aktualisht kjo çështje mbeti pezull, pasi Orkidea Latifi me emrin e artit Kida mbylli kontratën me ‘Onrecords’. E pra në këtë rast emri i përbashkët nuk ‘u adhurua’ shumë, por shkaktoi problem…
Labinot Gashi:
Kur dëgjojmë këtë emër, i pari që na vjen nëpërmend është moderatori i njohur kosovar që drejton ‘1 Kafe me Labin’. Ai është nje ndër figurat më të dashura prej vitesh për publikun në Kosovë. Mirëpo, askujt nuk i ka shkuar ndërmend që mund të jetë edhe dikush tjetër me po të njëjtin emër po aq i dashur për publikun. Reperi shqiptar me famë botërore, Gashi, së fundmi ka dhënë një intervistë për ‘The New York Times’, ku ka folur mbi familjen e tij shqiptare dhe se sa e vështirë ka qenë karriera e tij që në fillim e deri tani. Ai gjithashtu ka zbuluar se emri i tij i vërtetë është Labinot Gashi. Ky fakt i ka surprizuar të gjithë. Mesa duket djemtë nuk i bashkon vetëm emri, por edhe suksesi në fushat e tyre. /revistawho.com