Renato Mekolli, ka ndarë sot me të gjithë lexuesit e Dritare.net, tri receta magjike, të cilat do ta bëjnë më të bukur ditën tuaj të Shën Valentinit. Lexojini ato dhe bëhuni gati, t’i bëni një surprizë të bukur njeriut të zemrës, këtë të diel. Sepse dashuria kalon nga stomaku…
Përshëndetje të dashur miq!
Gëzuar Shën Valentinin. Sa më shumë dashuri për njeri-tjetrin. Jo vetëm sot, por çdo ditë. Duke qenë se sot kemi këtë ditë të veçantë, kam menduar që t’ju përgatis edhe 3 receta të veçanta. Me shumë pasion dhe dashuri. Kështu që përveshni mëngët, meshkuj apo femra, dhe filloni të përgatisni këto 3 receta shumë të thjeshta, por edhe të bukura. Dhe në fund të recetave, ashtu si edhe javës që kaloi, do të keni disa sekrete për gatimet tuaja.
Recetat për sot janë:
1 – Sallatë me fruta pasioni
2 – Fileto viçi me kungull dimri
3 – Supë me luleshtrydhe dhe verë të kuqe
- SALLATË ME FRUTA PASIONI
Për 2 persona duhen:
½ sallatë valeriana
½ tufë kopër
1 tufë rukola
1 lugë mjaltë
½ shegë
2 fruta pasioni
4 luleshtrydhe
1 limon
50 ml vaj ulliri
Kripë
Piper
Përgatitja:
Pasi kemi pastruar sallatën dhe kemi prerë frutat në kuba të vegjël, i vendosim në një enë dhe i trazojmë të gjitha produktet bashkë.
Më pas, e ndajmë në 2 pjata dhe sipër i hedhim frutin e pasionit.
- FILETO VIÇI ME KUNGULL DIMRI
Për 2 persona duhen:
100 gr kungull dimri
50 gr gjalpë
200 gr spinaq
100 gr kërpudha
½ gotë verë të kuqe
Kripë
Piper
Vaj ulliri
400 gr fileto viçi
Përgatitja:
Fillimisht marinojmë mishin mirë në vaj ulliri, me pak thelpinj hudhrash, pak rosmarinë, kokrra piperi dhe thimo.
Vendosim në një tenxhere kungullin e dimrit të prerë në kuba me gjalpin, pak fare ujë, kripë dhe piper. E lemë të zbutet dhe e kalojmë në blendër për ta bërë pure.
Skuqim spinaqin me kërpudhat me vaj ulliri, kripë dhe piper dhe i vendosim në dy pjata.
Pasi kemi skuqur edhe fileton, e shuajmë me verën e kuqe dhe e vendosim bukur në pjatë. Purenë e vendosim anash ose poshtë filetos.
- SUPË ME LULESHTRYDHE
Për 2 persona duhen:
½ kg luleshtrydhe
400 ml verë e kuqe e ëmbël
1 vanilje
100 gr sheqer
1 lëkurë nga portokalli
Përgatitja:
Vendosim të gjithë produktet në tenxhere (pa luleshtrydhen). Pasi ka zierë mirë dhe ka shkuar në gjysmë, vendosim edhe luleshtrydhet. I lëmë për 1 minutë vetëm. E heqim tenxheren nga zjarri dhe e vendosim supën në një enë. E lëmë të ftohet. Më pas, futet në frigorifer të ftohet dhe e servirim me një akullore sipër.
Shënim: Kjo supë është mirë të përgatitet 6 orë para
Ju bëftë mirë dhe bëfshi qejf sot!
“Tip of the day”
Nëse skuqni peshk në shtëpi dhe nuk e duroni dot aromën e peshkut, mos u shqetësoni fare. Në një tenxhere vendosni shkopinj kanelle dhe lëkurë portokalli mjaftueshëm që të ndihet aroma. Hidhni në tenxhere pak ujë dhe lërini të ziejnë nga fillimi i përgatitjes së peshkut, por edhe pasi të keni mbaruar me peshkun. Kjo mënyrë, do të ndihmojë që ambienti juaj të ketë aromë kanelle dhe portokalli.
Nëse pastroni hudhra dhe keni inat aromën që lë në duart tuaja, thjesht fërkoni duart me një domate sa herë i pastroni hudhrat. Dhe duart tuaja nuk do kenë aromën e keqe të hudhrave.
Nëse pastroni qepë dhe ju dalin lot nga sytë tuaj, ajo që duhet të bëni është që, pasi të keni hequr lëvozhgen, vendosini qepët në një kupë me ujë të vakët, me pak uthull dhe lërini për 10 minuta. Më pas pritini dhe nuk do qani më, do të jeni të qeshur me të gjitha këto sekrete që keni sot. /dritare.net/