• youuinsttaaffccbb
TEST
2, Breaking News, Instant Articles, Lajme, Vetëm në WHO

Nga studiot muzikore ndanë jetën, cilët janë çiftet shqiptarë që i bëri bashkë kënga?

Në një nga romanet më të lexuar të letërsisë botërore citohet: “Dy gjëra që të vijnë papritur në jetë janë dashuria dhe vdekja”. “RevistaWho.Com” ka zgjedhur sot t‘ju prezantojë me të gjithë këngëtarët shqiptarë, të cilët shkuan në studion muzikore për të realizuar një këngë dhe përfunduan duke ndarë jo vetëm karrierën, por edhe jetën…

Miriam Cani & Alban Skënderaj:
Miriami dhe Albani janë një ndër çiftet më të pëlqyer të skenës shqiptare. Në çdo dalje televizive, ata trasmetojnë vetëm pozitivitet. Mirëpo, gjithçka mes tyre ka nisur prej një kënge. Ishte i ati i Miriamit, që e donte këtë bashkëpunim dhe i prezantoi me njëri-tjetrit. Ata u bënë bashkë në një studio muzikore dhe më pas marrëdhënia e dy këngëtarëve mori tjetër rrjedhë. Sot, pas kaq vitesh lumturi, ata janë prindër të një vajze, të cilën e kanë pagëzuar me emrin, Ameli.

Shpëtim Saraçi & Mira Konçi:
Kompozitori Shpëtim Saraçi dhe këngëtarja Mira Konçi janë një nga çiftet më jetëgjatë të showbiz-it shqiptar. Ata kanë përballuar çdo lloj sfide që i ka ofruar jeta, më e fundit gjendja shëndetësore e përkeqësuar e kompozitorit të njohur dhe pavarësisht gjithçkaje janë bashkë. Megjithatë shkëndija e tyre e parë ka lindur në një studio muzikore për shkak të një bashkëpunimi. Sot ata kanë dy fëmijë, Erën dhe Drinin.

Juliana Pasha & Altin Llakaj:
Juliana në kohën kur u njoh me Altinin ishte një vajzë e re që vinte nga qyteti i Burrelit me dëshirën për t’u bërë e njohur. Kështu ndodhi, sot ajo është një nga këngëtaret më të mira të muzikës live. Mirëpo me bashkëshortin e saj si arriti të ishte kaq e lumtur? Muzika është çelësi i suksesit të tyre. Dikur ata i bashkuan provat e gjata mes një kitaristi dhe një këngëtare, ndërsa tashmë kjo gjë i mban ende të gjallë si dikur.

Julka & Andi Dj:
Në kohën kur Julka dhe Andi janë njohur me njëri-tjetrin, ky i fundit sapo ishte kthyer nga Italia. Në fillim u duk sikur ata i bashkoi radio, por jo vetëm. Këngët e bukura të Julkës në bashkëpunim me Andin janë prova numër 1 e dashurisë së tyre. E kush nuk i dëgjon ende sot “Amin”, “Rio de Janerio”, “Të ndjej”…

Eneda Tarifa & Erion Zaloshnja:
Në vitet kur Eneda u njoh me Erionin ishte një adoleshente e apasionuar pas muzikës dhe mesa duket ëndrrën e saj diti ta realizonte vetëm ai, duke i shkruar këngën e parë. Nga një studio muzikore, sot çifti janë bërë dhe me një vajzë, të pagëzuar me emrin Aria. Edhe pse ata tashmë nuk janë më bashkë, i bashkon dashuria për vogëlushen dhe muzikën…

Vesa Luma & Big Basta:
Është e habitshme po ta mendosh që dy këngëtarë do të mendojnë për dashurinë në një skenë vallëzimi si “Dancing with the stars”. Por ja që ndodh, Vesën dhe Bigun nuk i bashkoi vetëm muzika. Mirëpo nga hitet që ata lançuan, u kuptua fare qartë sekreti i dashurisë së tyre jetëgjatë. Sot, ata ndajnë jo vetëm studion, por dhe shtëpinë, ku i shoqëron vogëlushi i tyre Lian.

Silva & Dafi:
“Të ka lali shpirt” e dëgjoi jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota. Ishte ky hiti që bashkoi zemrat e çiftit Silva dhe Dafi. Nga studio, koncertet, intervistat, ata tashmë ndajnë dhe shtëpinë. Kanë sjellë në jetë dhe një djalë, për të cilin kanë zgjedhur një emër të veçantë, Dalvi, bashkimin e emrave të tyre.

Marsida Saraçi & Arbër Arapi:
Ndonëse janë shkëputur prej kohësh nga skena, çifti kujtohen gjithmonë për ëmbëlsinë. Njohja e tyre ka qenë nga spektakli i talenteve të reja “Ethet e së premtes mbrëma”, por vetëm si miq. Dashuria mes tyre lindi nga një bashkëpunim në një studio muzikore. Sot ata jetojnë në Gjermani dhe janë bërë prindër të një djali.

Klea Huta & Elgit Doda:
Klea dhe Elgiti janë një ndër çiftet më preferuar të momentit. Ata janë njohur edhe më herët me njëri-tjetrin, por dashuria lindi pas kaq vitesh. Orët e gjata të Kleas në studion e Gitit nuk bënë vetëm që ajo ta merrte seriozisht muzikën, por dhe ta shikonte shokun e saj si diçka më shumë. Prej pak ditësh çifti kanë hapur akademinë e tyre, për të përgatitur talentet e vegjël drejt rrugës së artit.

Venera Lumani & Lind Islami:
Njohja e Venerës dhe Lindit ka ardhur gjatë spektaklit “The voice of Albania”, ku Venera u shpall fituese. Mirëpo dashuria mes tyre ka lindur shumë më vonë, teksa këndonin në lokalet e live-t me njëri-tjetrin. Ata shpenzonin kohë jo vetëm në skenë, por dhe jashtë saj  pasi frekuentonin të njejtat vende, duke nisur nga studio muzikore, ku bënin provat. Sot janë një ndër çiftet më të ëmbël të skenës dhe këngët që publikojnë kthehen në hite.

Eni Koçi & Genc Prelvukaj:
U desh që fansat të prisnin për shumë kohë, derisa çifti të konfirmonte lidhjen e tyre. Edhe në këtë rast ata i bashkoi muzika. Këngët e shkruara nga Genci për Enin e reflektuan mjaft qartë njohjen e tyre të dashurisë. Tashmë, këngëtarët shënojnë disa bashkëpunime me njëri-tjetrin dhe jo vetëm. Janë një ndër çiftet më të komentuara të showbiz-it.

Krusita Stafa & Kledi Bahiti:
Ndonëse nuk e kanë konfirmuar ende lidhjen e tyre, shenjat tregojnë të kundërtën. Këngëtarja më e re e skenës shqiptare, Krusita dhe kompozitori më i këkuar i momentit Kledi janë bashkë. Pas pjesëmarrjes së Krusitës në festivalin “Kënga Magjike” nisën dyshimet e para të publikut. Deklaratat dhe veprimet e këngëtares në emisione e konfirmonin edhe më tepër lidhjen e tyre. Megjithatë, nëse ka diçka të vërtetë,  gjithçka mes artistëve duhet të ketë lindur nga orët e gjata që kanë kaluar në studio./revistawho.com

CLOSE
CLOSE