Të gjithë ata që kanë pasur fatin të bëhen prindër kanë treguar se dashuria për fëmijën është sublime. Është e vështirë të krahasohet me një dashuri tjetër dhe njëkohësisht të përshkruhet me fjalë. Megjithatë artistët që arrijnë të hyjnë edhe në pjesët më të thella të shpirtit kanë arritur që këtë ndjenjë, jo vetëm ta përshkruajnë, por ta kthejnë edhe në art. Një pjesë e këngëtarëve shqiptarë që kanë provuar ndjesinë e të qenurit prind e kanë përkthyer këtë ndjenjë dhe dashurinë për fëmijët në nota muzikore. Të tilla projekte janë më të rëndësishmet për ta dhe me siguri do të mbeten si një nga kujtimet më të bukura në karrierën e tyre.
Jonida Maliqi
Jonida Maliqi nuk ishte njohur ende me vogëlushin e saj, Dan, kur vendosi t’i dedikonte një këngë. Ajo ishte shtatzënë në kohën kur u ngjit për të kënduar në skenën e “Kënga Magjike” dhe sigurisht që emocionet për të në atë kohë duhet të ketë qenë i dyfishtë. Kjo duhet të jetë edhe një nga dhuratat më të bukura që Dan ka marrë nga nëna e tij dhe ndoshta edhe një nga kujtimet më të veçanta për Jonidën.
Tuna
Tuna njësoj si Jonida vendosi të kthente në këngë çdo ndjesi të saj të shtatzënisë. Ajo këndoi “Duam” në vitin 2016 në “Kënga Magjike” dhe në gjithë tekstin tregonte se dashuria e madhe për vogëlushin e saj e ndryshoi si njeri.
Adelina Ismaili
Për nisjen e vitit të ri, Adelina Ismaili i bëri një dhuratë të bukur vetes dhe vogëlushit të saj, Uliksit me projektin muzikor “Sa 1000 engjuj”. Me disa nota muzikore dhe një tekst të mbushur me fjalë të ndjera, Adelina shprehu gjithë dashurinë si nënë për fëmijën e saj të vetëm. Me siguri në gjithë këngën e Adelinës të gjithë prindërit duhet të kenë gjetur veten.
Alban Skënderaj dhe Miriam Cani
Me rastin e ditëlindjes së vajzës së tyre, Ameli, Miriami dhe Albani publikuan këngën “Dhurata”. Ameli i ka dhënë kuptim jetës së tyre dhe gjithë dashurinë që ndjejnë për të ata e shndërruan në një këngë. Madje edhe videoklipi u ndërtua në një mënyrë të atillë që të mbarte kujtimet më të bukura të tyret me Ameli, që për ta mbetet për gjithë jetën si një nga dhuratat më të bukura.
Visjan Ukcenaj
Visjanin e kemi parë gjithmonë në rolin e komedianit, por kur vjen puna tek djali i tij, Divin, gjithçka ndryshon. Aktori i njohur vendosi që gjithë ndjenjat për vogëlushin t’i shprehte në këngën “S’ka si ti”. Pavarësisht se nuk është profesionist i muzikës, Visjani arriti të realizonte një nga dedikimet më të bukura dhe të prekte zemrat e çdo prindi. /revistawho.com