• youuinsttaaffccbb
TEST
2, Breaking News, Instant Articles, Lajme

Kimi në skenë dhe videoklipe, ja kush janë artistët që zgjodhën të bashkëpunonin disa herë bashkë

Ndodh që një bashkëpunim të jetë aq i suksesshëm sa artistët të zgjedhin të rikthehen sërish me një projekt të ri muzikor me të njëjtin koleg. Të shumtë kanë qenë personazhet VIP nga estrada shqiptare të cilët kanë sjellë më shumë se një herë një bashkëpunim me të njëjtin artist. Kur themi këtë i referohemi të gjitha dysheve që vërtetuan se 2 janë më mirë se 1, pasi këngët e tyre u kthyen në hite menjëherë dhe sot numërojnë miliona klikime në kanalin e ‘Youtube’.

Fansat dhe ndjekësit e këtyre artistëve i aprovuan këto bashkëpunime duke treguar kudo në rrjete sociale preferencat e tyre. Shumë prej tyre kanë kërkuar me ngulm një tjetër bashkëpunim nga këngëtarët e tyre të preferuar, të cilët shkëlqyen duke u shfaqur bashkë në skenë.

Lyrical Son dhe Mc Kresha është një nga dyshet më të pëlqyera të ‘showbiz-it’ shqiptar. Dy reperët numërojnë një sërë bashkëpunimesh dhe kanë arritur që me çdo dalje të tyre publike të çojnë peshë zemrat e fansave me performancat e tyre ‘live’.

Dafina Zeqiri solli një vit më parë së bashku me Lumi B këngën me titull ‘Kalon’, e cila deri më tani numëron 47 milionë klikime, tregues ky i suksesit të dy artistëve të cilët zgjodhën të sjellin shumë projekte të tjera me njëri-tjetrin. I fundit titullohet ‘Lule lule’ dhe ka rezultuar të jetë pëlqyer po aq sa klipet e tjera të mëparshme të këngëtarëve.

Elvana Gjata, Capital T dhe 2po2 u bënë bashkë për të sjellë këngën me titull ‘Lejla’ e cila u dëgjua kudo në verën e vitit 2017. Ky bashkëpunim i risolli edhe njëherë artistët për muajt e nxehtë të këtij viti me ‘Fustani’, i cili u publikua vetëm 2 javë më parë dhe deri më tani numëron 10 milionë klikime.

 

Ghetto Geasy dhe Majk sollën në verën e vitit 2015 këngën me titull ‘S’jena mo’ e cila shënjoi definitivisht një nga bashkëpunimet më të pëlqyera të publikut shqiptar. Pas këtij projekti dy reperët kanë sjellë një sërë këngësh të tjera si ‘Paris Milano’, ‘Ajo’, apo ‘Malena’.

Pasi konfirmuan lidhjen e tyre për të gjithë publikun shqiptar, Mozzik dhe Loredana zgjodhën që të ishin ‘çift’ edhe në jetën artistike. Dy reperët sollën ‘Bonnie& Clyde’, një këngë e cila tregonte më shumë për historinë e tyre të dashurisë. Pas tij prindërit e Hanës vendosën të sjellin ‘Romeo&Juliet’, e cila u kthye në një hit dhe ky do të ishte fillimi i një epoke të re në jetën artistike të të dyve, pasi dyshja nisi koncertet bashkë, ndërsa aktualisht janë duke u përgatitur për turin e tyre të verës së bashku me reperin Getinjo.

Miriam Cani dhe Alban Skënderaj janë cilësuar gjithmonë si një nga dyshet më të dashura të publikut shqiptar. ‘Duamë’ riktheu vëmendjen maksimale nga historia e dashurisë së çiftit që dikur e nisën me këngën ‘Let Me Die With You’ dhe disa projekte të tjera muzikore.

 

Olsi Bylyku dhe Lorenc Hasrama sollën në kompeticionin ‘Kënga Magjike’, ‘Si të flas’, një bashkëpunim i cili arriti të mbërrinte deri në natën finale dhe të vlerësohej me një çmim. Pas këtij momenti dy artistët sollën edhe disa bashkëpunime të tjera si ajo me titull ‘Opium’, ndërsa së fundmi janë duke xhiruar klipin e këngës ‘Ama’.

Kjo verë ka rikthyer edhe njëherë fuqishëm vëmendjen nga bashkëpunimet e artistëve të cilët me këngët e tyre janë kthyer në dyshet artistike më të pëlqyera të ‘showbiz-it’ shqiptar. Nuk dihet se çfarë tjetër premtojnë se do të sjellin emrat më të njohur të muzikës shqiptare, por me siguri muajt në vazhdim do të na njohin me të tjera bashkëpunime të suksesshme./revistawho.com