• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Lajme, Vetëm në WHO

‘Fjetëm dhe u zgjuam me melodinë e tyre’, nga ‘The Dreams’ tek Aurela Gaçe këto janë 10 këngët hit të dekadës 2000

Muzika është ilaç për shpirtin dhe për këtë nuk ka dyshim. Dëgjojmë shpesh të thuhet se këngët në ditët e sotme nuk kanë të njëjtën peshë si dikur, pasi tekstet janë shumë të shkurtër, fjalët në të shumtën e rasteve janë në gjuhë të huaj, më shumë rëndësi i jepet klipit e komente të tilla. Sot ‘RevistaWho.Com’ ka zgjedhur t’ju kthejë një dekadë pas, duke ju kujtuar këngët që akoma dhe sot nuk rreshtim së dëgjuari.

Viti 2000

“1000 ëndrra” ishte kolonë zanore e vitit 2000. Motrat Libohova bën për vete të gjithë publikun me performancën e tyre në “Pallatin e Kongreseve”, por jo vetëm. Irma dhe Eranda u vlerësuan edhe nga kolegët e tyre me çmimin e parë në festivalin “Kënga Magjike”.

Viti 2001

Viti 2001 mund të cilësohet pa frikë si viti i grupit “The Dreams”. Ishte koha kur të gjithë vuanin me zërin e Flori Mumajesit, teksa këndonte hitin e vitit “Gënjeshtarja “.

Viti 2002

Ishte viti 2002, kur Orinda Huta “bëri namin” me këngën e saj të parë “Tani e di”. Edhe pse sot kanë kaluar 17 vite nga ajo këngë, vazhdon të dëgjohet me të njëjtën entuziazëm si dikur. “Se dua të të puth në mbrëmje deri në mëngjes, dua të të them të dua dhe pastaj të vdes…”, me siguri askush nuk e ka harruar këtë varg kaq të ndjerë.

Viti 2003

Ishte koha e festivalit muzikor “Mikrofoni i artë” dhe padyshim i hitit “Më beso”, kënduar nga Besa dhe grupi ‘Produkt 28’. Nuk mbeti radio pa e transmetuar dhe njeri pa e dëgjuar. Besa e nisi mbarë karrierën e saj.

Viti 2004

2004 ishte viti kur u krijua dhe festivali “Top Fest”. Shumë këngëtarë patën dhe daljet e tyre të para. Mirëpo ai që u veçua ishte Shpat Kasapi. Shpati shpërtheu me këngën ” Për pak magji” dhe të gjitha vajzat u “çmendën” për të.

Viti 2005

“Nuk dua tjetër” tha Genta Ismajli dhe ne e mësuam të gjithë se kush ishte ajo. 2005 ishte viti më i artë në karrierën e këngëtares, që me pjesëmarrjen e parë u shpall fituese.

Viti 2006

“Diçka” ishte kënga që nuk ngeli njeri pa e dëgjuar. Alban Skenderaj dhe grupi ‘Kthjellu’ u kthyen në kolonën zanore të çdo shqiptari.

Viti 2007

2007 ishte rikthimi i Aurela Gaçes pas një pauze të gjatë në muzikë. “Hape veten” jo vetëm që fitoi “Këngën Magjike”, por u dëgjua pafundësisht.

Viti 2008

“Mamës” ishte klipi i parë i Elvana Gjatës dhe albumi i parë mori këtë titull. Gjithandej dëgjohej vetëm Elvana dhe askush tjetër. 2008 ishte dhe viti që shënoi kthesën në karrierën e këngëtares.

Viti 2009

Deri përpara 2009 kishim dëgjuar dedikime për ditëlindje me këngë nga më të ndryshmet. Por një këngë vërtetë e bukur që u kthye në një himn ishte ajo e Kaltrina Selimit, “Ditëlindja”. Që nga pjesëmarrja në festivalin “Kënga Magjike” edhe sot pas 10 vitesh vazhdon “të bëjë namin” duke u përdorur si një dedikim ndaj kujtdo.

Viti 2010

“Origjinale” është kënga që shpërtheu verën e vitit 2010. Zëri i Marselit kaloi kufijtë shqiptar duke u dëgjuar kudo. Energjia e divës Aurela Gaçe dhe Dr. Florit i zgjoi të gjithë. Nuk kishte moshë, që nuk e dëgjonte. “Ja ku po vjen ajo, toka bën tërmet, eksplozivi shpërthen”, u përsëritën e u përsëritën pafund. /revistawho.com