Erik Fullani është, pa dyshim, një ndër personazhet më të ndjekur nga mediat si dhe në rrjetet sociale. Me çdo foto, me çdo status të tijin, Eriku shndërrohet menjëherë në lajm. Jo pa habi është parë edhe dalja e tij në klipin më të ri të Noizy-t. “Grande” titullohet kënga që ka sjellë djaloshin simpatik këtë herë krejt ndryshe nga sa jemi mësuar ta shikojmë. Ndaj nuk mund t’i shpëtonte vëmendjes sonë për të pasur një prononcim, nga të rrallat e Erik Fullanit.
Për “Bluetooth”, ai tregon se si u bë pjesë e kësaj kënge si dhe projektet e reja. “Ne e kishim diskutuar disa herë pjesëmarrjen time në një klip të Noizy-t. Derisa një ditë më telefonon dhe më thotë të bëhem gati, së bashku me djemtë e tjerë, miqtë tanë, pasi do të xhironim atë natë. I telefonova shokut tim dhe u bëmë bashkë. Shkuam te Korpusi dhe për dy orë kemi regjistruar klipin ‘Grande’.
Faktikisht ne kishim planifikuar të bënim klipin e një kënge tjetër, por deri në fund realizuam këtë këngë”, – shprehet Eriku. Jo pa batuta ka komentuar edhe pjesën e pagesës. Interesi ynë ishte të dinim nëse është paguar për të qenë pjesë e këtij klipi, edhe pse është mik i Noizy-t. “Të them të drejtën, m’i dha 50 mijë lekë të vjetra, por nuk ia pranova(qesh). Natyrisht që jo! Ne jemi shokë dhe gjithçka e kam bërë për një dëshirë timen, jo për t’u paguar”. Por me sa duket, karriera muzikore e Erikut nuk do të ndalojë me kaq. Me aq sa na thotë, djaloshi ka në planet e tij një këngë.
“E kam menduar seriozisht t’i hyj rrugës së muzikës. E kam diskutuar edhe me Noizy-n; kemi ndërmend të ulemi dhe të shkruajmë diçka, me të cilën unë të debutoj në skenë si një këngëtar. Do të jetë një bashkëpunim me Noizy-n, një këngë hip-hop. Mendoj se jam gati tashmë ta gjej veten edhe si këngëtar. Deri më tani janë afruar gjithë ata njerëz që mendojnë të më sponsorizojnë klipin, pasi e dinë pasionin tim për muzikën”. Por ajo që vihet re teksa shikon profilin e Erikun në rrjetet sociale është edhe një mungesë e fotove që ka pasur me të dashurën e tij.
Eriku dhe brunia simpatike kanë qenë në një lidhje prej disa vitesh. Çifti nuk i ka kursyer fotot apo edhe statuset me dedikime dashurie shumë shpesh, por duket se diçka ka ndodhur mes të dyve, pasi të gjitha fotot janë larguar nga rrjetet sociale. Nuk ka dashur të flasë për historinë e tij, duke u shprehur se dëshiron ta mbajë larg mediave jetën private. Megjithatë, mund të themi se Eriku sot po shijon jetën si një prej beqarëve më të kërkuar. E kur bëhet fjalë për një djalosh simpatik si ai dhe të famshëm, normalisht që nuk do të mungojnë edhe fanset e shumta që do t’i afrohen.