Me siguri nuk ju kanë shpëtuar pamjet shumë të bukura nga eventi i kulinarisë gjatë javë së shkuar, duke bërë bashkë personazhe të njohur publikë.
Loris Marinetto ka vendosur që ndalesën e tij të radhës ta bëjë pikërisht në kryeqytetin e Tiranës. Shefi italian i lindur dhe rritur në shtetin fqinj ka udhëtuar në vende të ndryshme të botës, ku ka njohur kulturat e ndryshme, por dhe ku ka mësuar të ndërthurë produktet e kulturave ndërkombëtare me atë të Italisë. Loris ka pohuar se recetat e tij pasqyrojnë të gjithë eksperiencën e fituar gjatë gjithë udhëtimeve që ai ka bërë.
Marinetto ka studiuar në Shkollën e Hotelerisë së Castelfrancos në Treviso. Pas përfundimit të studimeve filloi të punonte në kuzhinat italiane ku mori përvojën e parë në restorante si “Le Calandre” (3 stelle Michelin); “Cipriani” dhe RAI (Radio Televizioni italian). Udhëtimet në mbarë botën i krijuan një identitet të vetin kulinar.
Në një intervistë për ‘Iconstyle’ ai ka pohuar se dëshiron të sjellë një kuzhinë të re në Shqipëri duke thënë: “Dua të sjell një kuzhinë të re në Shqipëri, pasi mendoj se duke qenë një vend në zhvillim të vazhdueshëm, e tillë është dhe shija e shqiptarëve për ushqimin: janë gjithnjë në kërkim të diçkaje të re e të papritur. Të gjithë më këshilluan të mos e bëja, por unë e kuptova sapo shkela në Shqipëri se ky vend ka diçka speciale, ndaj vendosa të hap restorantin tim në Tiranë”.
Talenti në kuzhinë e ka bërë shefin kuzhinës të provojë eksperienca nga më të ndryshmet dhe të jetë pjesë e disa prej restoranteve më të famshme si: “Casa Tua” në Miami, “Le maree” në MonteCarlo, “Grand Hotel Courmayeur” në Courmayeur, në Belmond Copacabana Palace në Rio de Janeiro, në Perù, Spanjë, Gjermani, Kroaci etj.
Falë këtyre ka grumbulluar njohuri të gjera rreth traditave dhe teknikave kulinare të vendeve ku ka punuar.
Loris Marinetto ka zbuluar gjithashtu për ‘Iconstyle’ se gjithë familja e tij, nëna, tezja dhe xhaxhai i tij gatuajnë në mënyrë të shkëlqyer dhe se ai është rritur duke provuar shije të shkëlqyeshme. Ai ka shtuar se vendimi për të qenë një kuzhinier ka qenë një nga vendimet e marra në momentet e fundit, pikërisht një ditë para se Loris të regjistrohej në studime për teknik dentar.
Në momentin e fundit Marinetto kuptoi se kjo kurrsesi nuk ishte rruga e tij dhe vendosi të bëjë shkollën profesionale të kuzhinës në Castelfranco, Treviso.
Këto hapa të hedhur shumë vite më parë, e kanë sjellë tashmë kuzhinierin e dashur në qytetin e Tiranës, në zonën e ish-Bllokut, në rrugën ‘Ismail Qemali’, ku ai është duke u përgatitur të hapë dyert e një prej restoranteve me shijet më të përzgjedhura që gjithë njerëzit kanë provuar deri më sot./revistawho.com