Armend Rexhepagiqi iu rikthye skenës pas një mungese të gjatë pa prodhime muzikore për veten e as për të tjerët. Siç e dini, së fundmi ai ka realizuar muzikën e ‘Tavolina e Mërzisë’ një bashkëpunim me Elvana Gjatën dhe mban vulën e kompozimit të këngëve në albumin e Tunës. Gjithashtu ai këndon bashkë me këngëtaren e njohur në një prej këngëve të ‘Furtuna’.
Pas këtij rikthimi me punë të mrekullueshme, kompozitori është ftuar në ‘NIN’ me Alaudin Hamitin, i cili publikoi pak orë më parë në llogarinë e tij në ‘Instagram’, një përmbledhje të intervistës që do transmetohet të hënën mbrëma.
Muzikanti i njohur tregoi këndvështrimin e tij për largimin nga muzika, për të cilin është shprehur edhe më herët, se ka qenë i ngopur, ndaj edhe u tërhoq. “Ngopesh nga skena sipas meje nëse je njeri normal. Nëse nuk je normal dhe ke atë urinë e brendshme që gjithmonë të të adhurojnë dhe të të lavdërojnë. Nëse ke dëshirë të dukesh gjithmonë më i miri, nuk ngopesh kurrë”,-u shpreh ai.
Më tej Armendi theksoi se ndihet borxhli ndaj atyre që e duan vërtetë, për të cilët nuk ishte i vetëdijshëm se ishin kaq shumë në numër. “Njeriu për veten nuk e di dhe unë e kam detyrim për të mos e besuar këtë, sepse përndryshe luan”,-përfundoi ai komentin me modestinë që e karakterizon.
https://www.instagram.com/p/BvThp0ZHUDj/
Malli për muzikë të mirë duket se ka qenë i madh, jo më kot rikthimi i Rexhepagiqit është mirëpritur. /revistawho.com