• youuinsttaaffccbb
TEST
Jetë, Këshilla, Lajme, Shëndet

Blerina Bombaj, rregullat e arta të shëndetit të dietologes

Jemi mësuar ta shohim dhe ta lexojmë për këshillat e saj të vlefshme se si duhet të ushqehemi. Ajo di të jetë gjithnjë në formë, madje edhe një nënë dhe bashkëshorte shumë e mirë më një familje të bukur dhe të shëndetshme. Bëhet fjalë për dietologen e njohur Blerina Bombaj e cila vendosi të rrëfejë për gazetën “Shëndet Plus” sekretet e arta të shëndetit dhe mirëqenies së saj dhe familjes.

Ju jeni dietologia më me emër në vendin tonë. Në fakt a keni ndonjë dietë që e ndiqni për të qenë në formë?

Natyrisht që shkolla dhe profesioni i dietologjisë me kanë bërë të mendoj ndryshe për zgjedhjet e ushqimit. Them ndryshe në krahasim me çfarë zgjidhja përpara se të fitoja njohuritë e shkencës së ushqimit. Në radhë të parë më ka ndikuar të kem një fare tërheqje nga ushqime të cilat jua di mirë prejardhjen dhe rrugëtimin që kanë bërë deri sa të vijnë në raftet e dyqaneve apo në meny-të e lokaleve ku tregtohen. Së dyti te vetja ime kam gjetur zbatimin e shumë teorive dhe rekomandimeve të ushqyerjes. Psh një nga këto është e ngrëna shpesh dhe pak, ose e ngrëna mirë në mëngjes. Janë dy gjëra qe unë i ndjek dhe më mbajnë në një peshë konstante prej vitesh.

Kulturën e të ushqyerit e keni fituar në vite apo është dhe pasion?

Ushqimi më është dukur gjithmonë një nga temat më interesante sepse vërtet ka shumë për të zbuluar. Kultura e ushqimit është e bazuar jo vetëm në njohuritë dhe eksperiencat që ne kemi mbi të por natyrisht edhe nga tradita e trashëguar në familjet tona. Deri në vitet ‘90 mund të them se ushqyerja e shqiptarëve dhe kulinaria në përgjithësi ka qenë e varfër dhe nuk përbënte prioritet për të investuar në të. Madje akoma dhe sot mënyra e të ushqyerit dhe ruajtja dhe nxjerrja në pah e traditave tona kulinare nuk duket se ka ndonjë mbështetje dhe as rëndësi. Megjithatë shpresoj se kjo do të ndryshojë gradualisht sepse shqiptaret ecim me hapa të shpejtë.

Këtë shkollë e kam dashur shumë dhe e kam bërë vërtet me shumë pasion. Kam pasur gjithmonë ambicie të di gjithçka dhe të jem një profesioniste absolute. Në këtë profesion zhvillimet e reja ndodhin në mënyre shume dinamike dhe te jesh gjithe kohes e azhornuar me shkencën është një adrenaline qe mua me jep një kënaqësi te jashtëzakonshme.

A është e vërtetë që mënyra e të ushqyerit gjatë shtatzanisë ndikon në shëndetin e fëmijës? Sa e keni zbatuar ju ketë duke qenë se keni 2 fëmijë të vegjël?

Mënyra e te ushqyerit të gruas lidhet drejt për se drejti me mbarevajtjen e shtatzanisë dhe zhvillimin e embrionit. Madje pjesa më e rëndësishme është pikërisht në javet e para ku shumimi i qelizave arrin kulmin. E keqja në këtë rast është që shumica e femrave as nuk e dinë që janë shtatzanë dhe fatkeqësisht nuk arrijnë të bëjnë zgjedhjet e duhura në këtë fazë. Megjithatë natyra ka krijuar mekanizmat e saj të jashtëzakonshme dhe femrat pajisen me sinjalet e duhura për tu ushqyer mirë dhe për të mos abuzuar. Gjatë te dyja shtatzanive të mia kam shtuar 20kg! Dhe i kam rrezuar brenda 6 muajve të pare pas lindjes. Pra nuk jam kufizuar gjate shtatzanive. Jam e parimit se njeriu duhet të mësoje dhe të dije të dëgjoje trupin e tij. Jo çdo trup ka të njëjtat nevoja gjatë shtatzanisë. Unë mendoj se kisha nevojë për këto kilograme pasi kam qenë shumë e dobët. Një femër tjetër që është më e shëndoshë ka nevojë për më pak, vetë oreksi do t’ja tregojë (fillova prapë nga këshillat, nuk me rrihet!)

blerina 1

Sa i konsumoni preparatet natyrale që përgatiten në shtëpi?

Unë vetë nuk i konsumoj se nuk kam kohë! Por nuk jam kundër tyre. Disa kanë dhe mbështetje shkencore si psh mjalti me limon për kollën ose me uthull molle për tretjen, mjalti me vaj ulliri për flokët ose për lëkurën etj. Për fëmijët do ti preferoj patjetër.

A bëni kontrolle të herëpashershme te mjeku. Mendon se është e domosdoshme të kesh një kulturë mjeksore?

Nuk jam shumë e fiksuar pas kontrolleve mjekësore vetë por e mendoj të domosdoshme kur ka disa faktorë risku si psh historik familjar, mbipeshë të theksuar, simptoma te ndryshme si lodhje, pagjumësi etj. Tani jetojmë në epokën e parandalimit që do të thotë nëse një sëmundje kapet që herët ka shumë gjasa që të kurohet, ka shumë më tepër sesa po të kapet e avancuar.

Po palestën a e praktikoni?

Fare! Ku ta gjej kohën? Në kohen e lirë të rri me fëmijët apo të shkoj në palestër?

Sa i përdor kremrat e lëkurës?

I përdor patjetër. Nuk shkoj asgjëkundi pa to.

Çfarë kanë përfituar dhe çfarë kanë humbur njerëzit në kohët tona në lidhje me shëndetin

Në kohët që ne jetojmë shkenca e mjeksisë ka arritur suksese të paimagjinuara dhe mendoj se ka shumë akoma për arritur. Por lufta me natyrën nuk është aspak e lehtë dhe në fund prapë se prapë dorën e fundit e jep ajo. Po ta mendosh mirë njeriu sot jeton në një ambjent agresiv që e ndërtoi me duart e tij dhe tani vuan pasojat. Mirëqënia na ka kushtuar shumë. Shohim që fëmijët po bëhen të plogësht fizikisht, të shëndoshë dhe shfaqin sëmundje zemre dhe diabet. Ajri është tepër i ndotur, stresi është i pranishëm gjithnjë e më shumë dhe puna e stërzgjatur nuk e le njeriun ti kushtojë kohë vetes. Komoditeti i tepruar teknologjik por dhe i shërbimit e ka bërë njeriun shumë delikat. Për të gjitha këto është mirë të reflektojmë dhe të kushtojmë energji për të qenë aleat me natyrën dhe jo sfidante!/shendeti