• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

Bleona: Do jem e realizuar me një “Grammy”, një film dhe një fëmijë

Nga Adela Xhamani

E para shqiptare në faqen e parë të “iTunes”, e para në faqen zyrtare “VEVO”, e para në “MTV”, e para në “i-HeartRadio”, e para në “Playboy”. Po flasim për Bleona Qeretin, personazhin kontrovers që kur vjen në Tiranë bën aq shumë “rrëmujë”, sa na ndodh që shpesh t’i harrojmë arritjet e saj. Kjo nuk është hyrja e një interviste ku gazetari i bën elozhe personazhit, por ku gazetari radhit si fillim arritjet e tij, ato që padashur këtu te ne mbeten jashtë lojës. Mirëpo, ndonëse harrojmë që një vajzë e jona ka ecur përpara në tregun botëror, sërish ne nuk mund të rrimë pa folur për të, pa i komentuar veshjen, trupin, celulitin, sjelljen, reagimin. E teksa ne vazhdojmë e flasim për Bleonën, duke qenë krah për krah me median që shpërthen në tituj bombastikë sa herë këngëtarja shkel në Tiranë, nuk mendojmë fare se si mund të ndihet ajo. Dhe, siç po e parashikoni, ajo ndihet shumë mirë. Bleona e shijon të gjithë këtë. Në një rrëfim për “WHO”, ajo na tregon se vëmendja është ajo për të cilën ka punuar gjithë jetën, dhe, në çfarëdo forme që t’i ofrohet, ajo e gëzon. Më tej artistja tregon, se kësaj here u largua me një shije më të mirë nga Tirana, pasi më në fund i vendosi pikat mbi ‘i’. Ashtu siç mendon se ka nisur t’i vendosë edhe në Amerikë. Pritshmëritë e saj janë të mëdha, e planet për më vonë edhe më të mëdha akoma. Ju ftojmë t’i lexoni të gjitha në radhët e kësaj interviste. Dhe, meqë e nisëm me harresë, po e mbyllim duke ju kujtuar se Bleona është Bleona, ajo gjithmonë e meriton një kopertinë! 

Bleona, na e përshkruaj pak këtë periudhë të jetës tënde, sa po e shijon suksesin e “Take you over”?

Në fakt nuk e di se si ndihem për suksesin e këngës “Take you over”, sepse unë gjithmonë e kam ëndërruar këtë moment. Mendoja se do të ndihesha ndryshe, dhe e vërteta është që nuk ndihem ndryshe. Jam njësoj, Bleona që ka qenë gjithmonë. Thjesht çdo ditë zgjohem në mëngjes, marr lajme të reja dhe mezi pres t’i nxjerr në “Instagram”. Ky është i vetmi ndryshim. Ndonjëherë të gjithë ne artistët jemi duke ndjekur një ëndërr që, mbi të gjitha, është një iluzion. Sepse, të gjithë ne kujtojmë se do të ndihemi ndryshe, por në fakt nuk rezulton gjithmonë kështu. Sigurisht, unë sot ndihem e kënaqur.

Mendon se kjo këngë ka arritur maksimumin e asaj që mund të japë, apo pret akoma rezultate edhe më të larta?

Jo, nuk mendoj që ka arritur maksimumin. Mendoj që ka vend akoma për sukses. Kënga duhet të hyjë patjetër në top-listën e 10 këngëve më të mira në Amerikë. Ky ka qenë edhe synimi im që nga fillimi. Në momentin që hyn në “Top 10” dhe duke qenë një artiste e pavarur, futesh në radarin e firmave më të mëdha muzikore. Macklemore kur nxori “Thrifshop” ka qenë një artist i tillë, i pavarur, i cili ka refuzuar të jetë me kompanitë më të mëdha muzikore, dhe janë pikërisht këto kompani tani që i shkojnë mbrapa. Kështu që, unë përfundimisht pretendoj të jem në 10 këngët më të mira në “Billboard” në dy javët e ardhshme.

Po të ardhura, a po gjeneron kjo këngë? Ke filluar t’i marrësh mbrapsht paratë që ke investuar për të?

Sigurisht që ka gjeneruar të ardhura, por jo të gjithë investimin që unë kam bërë në këta 5 vjet. Por linku i këngës është në “iTunes” dhe klikimet më të mëdha kanë ardhur nga mediat sociale dhe reklama që i është bërë këngës në përgjithësi në “Billboard” dhe në Amerikë në të gjitha vendet. Shitjet janë shumë të mira. E di që e mira s’ka fund, dhe jo vetëm mua, po asnjë artisti nuk i duket shumë kur shet një numër të konsiderueshëm singëlli. Sepse, në momentin që shet 100 mijë dëshiron 200 mijë, pastaj shet 300 mijë e do 500, kur bën 500 thua ‘sikur t’i kisha bërë 1 milion’ (qesh). Kështu që e mira s’ka fund.

Ndërkohë, axhenda jote e koncerteve si është?

Realisht axhenda ime e koncerteve dhe shfaqjeve nëpër tapetet e kuq ka qenë vërtet shumë e ngjeshur, sidomos gjatë muajit tetor. Kam pasur shumë përplasje datash, pasi një kohë të madhe unë e kam kaluar dhe në Rusi. Kam qenë e detyruar që në Amerikë të anuloja koncertin e datës 22. Po ashtu isha e detyruar të anuloja edhe shumë intervista me “BBC”, “Fox”, “Voice of Amerika”, sepse thjesht nuk kam qenë në Amerikë në atë kohë. Shpresoj që këto intervista që humba gjatë muajit tetor, t’i rikuperoj tani në nëntor kur të kthehem. Megjithatë, edhe tani do të jetë pak e vështirë, pasi do të qëndroj në Amerikë vetëm për një javë, për të bërë prova me grupin tim për performancën e radhës, që do të jetë në “Russian Music Box Awards” më 19 nëntor.

S’ka pak javë që je larguar nga Shqipëria; me çfarë shijeje ike këtë herë?

Zakonisht unë iki gjithmonë me shije shumë të mirë nga Shqipëria. Këtë herë shija ishte edhe më e mirë, sepse mua më është dukur se i kam vënë pikat mbi ‘i’ (buzëqesh).

Thuajse gjithmonë kur je në Shqipëri, ardhja jote, për një arsye apo për një tjetër, bëhet ngjarje e madhe mediatike; të ka lodhur kjo?

Kjo puna e bujës së madhe mediatike, mua më ndjek nga pas. Një fjalë e urtë amerikane thotë: “Ki kujdes nga ajo që dëshiron, sepse mund edhe ta arrish”. Është pikërisht kjo që ka ndodhur gjithmonë me mua. Ne artistët duam të jemi shumë të famshëm, në vëmendje të të tjerëve, dhe tani që ka ardhur kjo kohë, unë nuk mund të mërzitem me këtë. Është një këshillë që realisht e kam marrë nga Gani përpara 10 vitesh. Në momentin që erdhi një fans në tavolinë për të bërë foto me mua dhe unë isha shumë e përqendruar që të impresionoja Ganin. Fansi më bëri foton, dhe unë që thosha: “Obobo tani këta na mërzitën”. Gani ishte i vetmi njeri që më tha: “Po mirë, ti ke punuar gjithë jetën për të qenë ky person, pse mërzitesh tani?!” Dhe, me thënë të drejtën, është ndër fjalitë që më ka mbetur në mendje. Kur vij në Shqipëri dhe bëhet një bujë aq e madhe, thjesht jam e përgatitur për këtë, asgjë më shumë. Po absolutisht jo e mërzitur! E di që nuk kam asnjë lloj privatësie, por jeta ime private në përgjithësi nuk ekziston, ndaj mua nuk më shqetëson ky fakt.

Herën e fundit, cila ishte pjesa më e bukur dhe ajo më e shëmtuar e vizitës tënde në Tiranë?

Zakonisht kur vij në Tiranë kam vetëm pjesë të bukura. Për mua të paktën, janë të bukura edhe kur shumicës së njerëzve i duken të shëmtuara. Për mua ardhja e kësaj here në Tiranë, siç thashë dhe më herët, ishte për të vënë pikat mbi ‘i’. Dhe për t’u thënë të gjithë atyre që nuk besuan tek unë në fillim, që unë ia dola. Me mënyrën time, e pavarur, pa asnjë lloj mbështetjeje, ia dola! Të paktën depërtova në një vend ku shumë këngëtarë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Europa, pra këngëtarë që nuk janë amerikanë, e kanë ëndërr të hyjnë. Për mua ka qenë kënaqësi çdo pikë.

Kur ke në plan të kthehesh sërish në Shqipëri?

Nuk kam asnjë plan të afërt. Jam shumë e zënë me axhendën time të koncerteve nëpër botë dhe, sigurisht, do të fillojë fushata për singëllin e dytë, që do të dalë në janar. Do të jem vërtet shumë e zënë. Ndoshta në periudhën janar-shkurt, kur të dalë kënga, do të vij edhe një herë në Tiranë, për të ndarë suksesin me bazën e fansave të mi, por akoma nuk e kam vendosur.

Domethënë nuk do të na duhet të presim gjatë për të dëgjuar këngën e radhës…

Kënga e radhës është gati, nuk është problemi i këngës së radhës. Është problemi që duhen gjetur njerëzit e duhur për të bërë videon, për të bërë veshjen, flokët, grimin, me qëllim që të mos përsërisim “Take you over”. Qëllimi është të vij ndryshe dhe t’u tregoj të gjithëve që kam edhe dimensione të tjera. Ndaj, me këngën e dytë duhet të kem shumë kujdes, për të bërë diçka tjetër nga “Take you over”.

Bleona, ti je angazhuar maksimalisht për të arritur atë që do në karrierën tënde. Por, ku është kulmi për ty, çfarë do të të bënte të ndiheshe e realizuar?

Kam idenë që, me karakterin që kam unë, nuk kam kulm (qesh). Por them që do të ndihesha e realizuar nëse do të merrja një “Grammy”, nëse do të bëja një film përkrah një aktori të njohur, që në Amerikë quhen “a list actor”, dhe në momentin që do të kisha një fëmijë. Ky për mua do të ishte realizim. Sigurisht, jo kulm, kuptohet. Kam idenë që pastaj targeti im kryesor do të ishte Meryl Streep, që është aktorja më e madhe në Hollywood dhe që i heqin të gjithë kapelen (qesh). Unë tani nuk guxoj ta ëndërroj këtë gjë, po pse jo?! Ëndrrat janë të bukura.

Të shohim që udhëton shpesh sa në një shtet në tjetrin; te cili prej tyre mezi pret të shkosh? Ku ndihet më mirë Bleona?

Mua më pëlqen jeta në avion. Siç e kam thënë edhe më parë, duke qenë se unë nuk kam jetë private, do të ishte shumë e mërzitshme që të rrija vetëm në një vend. Sepse atëherë do ta kuptoja vërtet që jam vetëm. Më pëlqen jeta nëpër avionë, nëpër hotele. Më pëlqen të shkoj nga një qytet në tjetrin, të njoh sa më shumë njerëz dhe të informoj sa më shumë njerëz kush është Bleona si artiste. Sa i takon qytetit, besojeni ose jo, për mua qyteti më i mirë në botë në këtë moment është Los Angeles. Aty ndihem në shtëpi. Kur vij në L.A. ndihem rehat. Ndërkohë, atje ku gjithmonë pres me padurim të shkoj është Tirana. Tani, të shkosh në Tiranë është bërë si “uuu, hajde të shkojmë në Tiranë të shohim çfarë do të ndodhë”. Por prapë them: Los Angeles. E di që shumë njerëz do të mërziten nga kjo përgjigje, por Los Angeles është, përfundimisht, qyteti im i dashur. Ju mund të mendoni që unë do të thoja Parisin ose Londrën. Mua më pëlqen Evropa, por absolutisht e adhuroj Amerikën dhe nuk mund të jetoj në asnjë vend tjetër të botës përveçse atje.

Jo pak herë të kemi parë që shkon në Rusi. Çfarë të lidh ty me këtë vend?

Ajo që mua më lidh me tregun rus, është pikërisht dominimi i tregut rus. Unë i kam hyrë kësaj pune dhe do bëhem e famshme në Rusi. Ndihem pothuajse njësoj si në vitet ‘97-’98, kur mundohesha të merrja tregun e Kosovës. Është pothuajse e njëjta strategji. Vërtet, unë kam shpenzuar shumë kohë në Kosovë në vitet ‘97-’98, kur ishte luftë këtej nga ne dhe kur Kosova ishte akoma pa çliruar. Dhe unë isha atje, pothuajse deri në vitin 2001, derisa e mora tregun në dorë. E njëjta gjë ndodh tani edhe me Rusinë; janë 141 milionë njerëz që, sigurisht, unë dua t’i kem fansat e mi. Ata kanë një shije shumë të mirë për ‘glamour-in’, vdesin për femrat “bling bling” siç jam unë, vdesin për diamante, me fustane si abazhur dhe veshje të stilit tim. Ndaj koncerti im i radhës do të jetë në Rusi, në “Russian Music Box Awards”, që është një arritje shumë e madhe, sepse është një nga shfaqjet më të mëdha televizive, që do të transmetohet në televizionin nacional rus. Do të jenë yjet më të mëdhenj nga Rusia dhe unë aty do të kem mundësinë të prezantoj veten se kush jam. M’u deshën tri javë në Rusi që të rrija të organizoja punën. Siç dihet, unë jam artiste e pavarur dhe nuk kam kompaninë që do të m’i organizojë këto punë, jam unë ajo që i bëj të gjitha.

Bleona, e ke menduar çfarë do bësh pas 20 vitesh, kur të mos kesh më bukurinë dhe fuqinë e sotme? Si e imagjinon veten?

Kam idenë që kjo nuk ka lidhje fare me bukurinë apo me atë se si dukesh. Ka lidhje me mënyrën se si ndihesh. Unë e ka thënë edhe më përpara: kënga mua më bën të lumtur. Sigurisht që vendi im pas 20 vitesh do të jetë në skenë! Se në çfarë forme do të jetë, nuk e di, se po flasim për një kohë shumë të largët për ta parashikuar. Por përfundimisht do të jetë në skenë në një lloj forme apo mënyre, qoftë kjo si këngëtare, aktore, producente, të gjitha ëndrrat që kam unë. E shoh veten edhe me shumë artistë të tjerë të rinj, të cilët do t’i marr nën menaxhim në të ardhmen.