• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista

Bert Dumani: Si u gjenda në të njëjtin hotel me yjet e serialeve turke

Si një djalë me shije që është, ai ndjek me vëmendje dhjetëra seriale apo telenovela të huaja, derisa vendos për titullin konkret që do të sjellë në Shqipëri. Bert Dumani me 20 vite eksperiencë në televizion, 15 vite si drejtor programacioni dhe 10 vjet që angazhohet me blerjen e prodhimeve ndërkombëtare, tashmë është pa dyshim ekspert dhe nuhatës i mirë i serialeve që mund të na mbajnë mbërthyer para ekranit.

I sapokthyer nga eventi i dytë ndërkombëtar i “TRT Screening” në Turqi, ku mbajti edhe fjalimin e tij, ai rrëfen për gazetën “Panorama” impresionet nga takimi në barin e hotelit ku ishin akomoduar me aktorët më të shtrenjtë të momentit, yjet e serialeve të Turqisë:

Sapo je kthyer nga eventi i dytë ndërkombëtar i “TRT Screening” në Turqi, ku të pamë pranë figurave të famshme të kinemasë turke. Kush prej tyre që takove të la me gojë hapur me bukurinë dhe sharmin?

Pata fatin që të isha i pranishëm në eventin e dytë ndërkombëtar të “TRT Screenings” me 150 profesionistë nga 40 shtete të botës. Aty u mbajt dhe premiera botërore e serialit më të ri historik “Sulltani i fundit”, ku ishin të pranishëm kasti i aktorëve. Çuditërisht, yjet e serialit ishin prezente edhe në barin e hotelit ku ishim akomoduar dhe menjëherë hyra në bisedë me ta. Me “çlodhi” dhe kënaqi sytë sapo e pashë aktorja protagoniste, Ozlem Conker. Ishte shumë e bukur dhe e thjeshtë. Dashuri më vete ishte edhe personazhi i Xhemresë në serialin që po shfaqet aktualisht në “Tv Klan”, “Hakmarrje”, aktorja Ezgi Eyuboglu.

Bert Dumani 1111 unnamed

Dimë që serialet turke kushtojnë. Sa është vlera e serialit më të shtrenjtë që keni blerë?

Serialet e viteve të fundit sa vijnë dhe bëhen më të kushtueshëm si nga prodhimi i tyre, ashtu më pas edhe në blerjen e të drejtave të tyre. Producentët dhe televizionet turke po investojnë shumë në prodhimet e tyre më të fundit, duke i bërë ata të suksesshëm në tregjet ndërkombëtare dhe kështu kërkesa për t’i shfaqur në televizione sa vjen dhe rritet. Duke pasur kërkesë dhe duke qenë të arrirë artistikisht, edhe çmimi për t’i blerë serialet sa vjen e rritet. Mund t’ju them që serialet turke kushtojnë 2- 3 herë më shumë se serialet amerikane, italiane, spanjolle apo braziliane. Blerjet më të shtrenjta janë titujt më të fundit që kam përzgjedhur si” “Cesur ve guzel” (Xhesuri dhe e bukura) me Kivanc Tatlitug dhe Tuba Buyukustun, si dhe seriali tjetër, një superprodhim historik me Beren Saat, “Sulltanesha Kosem”, vazhdimi në kohë dhe pasuesi i “Sulejmani i Madhërishëm”.
Bert Dumani unnamed

A janë aktorët e serialeve turke po aq të rëndësishëm sa aktorët e Hollivudit sa u takon pagesave, apo famës që kanë marrë në botë?

Përsa i përket famës në vendet ku serialet turke po shfaqen, ata janë po aq të famshëm sa ata hollivudianë, madje më të pëlqyer dhe të adhuruar. Edhe në lidhje me pagesat, aktorët turq janë po aq të paguar sa kolegët e tyre europianë.

Thuhet se Beren Saat është më e paguara në Turqi për momentin. Sa është vlera e saj si aktore në shifra?

Ajo paguhet 20-25 mijë euro për episod në një serial.

Nga kjo eksperiencë ke arritur ta kuptosh sekretin e suksesit të tyre, duke pushtuar botën?

Them se kanë sukses sepse janë shumë afër nesh, mentalitetit tonë. Janë shumë më prekës dhe drama e tyre të përcillet shumë natyrshëm. Janë të xhiruar dhe realizuar shumë mirë, që nga skenari, muzika, regjia, aktrimi. Kemi shumë të përbashkëta me ta. Suksesi i serialeve turke është tashmë një trend në shumë vende të botës, përderisa Turqia renditet aktualisht në vend të dytë në botë për eksporte prodhimesh televizive, pas SHBA-ve. Nisur nga ky fakt, tashmë serialet turke kanë mbërritur deri në Amerikën Latine, apo në Europë si: Itali dhe Suedi, ku së fundmi “Sky Italia” ka blerë dy tituj turq dhe “Canale 5” gjithashtu një serial që një vit me parë. Pa përmendur suksesin e tyre absolut në Europën Juglindore dhe Lindjen e Mesme.

Ti i sheh serialet vetë para se të firmosësh blerjen. E ndien se ke krijuar varësi të kushtëzuar nga këto produksione televizive?

Unë shikoj me dhjetëra seriale apo telenovela, derisa vendos për një titull konkret, sepse vetëm në Turqi shfaqen çdo javë rreth 30-40 seriale turke. Seriale amerikane shfaqen edhe me shumë, e kështu me radhë. Për mua është kthyer në profesion dhe jo varësi. I shikoj me kënaqësi, sepse në fund të fundit kjo është edhe detyra ime si drejtor programacioni, të shikoj dhe të vlerësoj se cili është më i miri dhe më i suksesshmi për publikun shqiptar. I shikoj edhe pasi i blej për t’i shfaqur në televizion, sepse më duhet të përgatis edhe atë se çfarë do të ndodhë në episodin e radhës, meqë publiku mezi pret të dijë se çdo të ndodhë në vazhdim.

Ka personazhe VIP shqiptarë që i ndjekin po ashtu me pasion serialet turke, aq sa të të telefonojnë për të mësuar se ç’do të ndodhë në serinë e radhës?

Serialet e Turqisë kanë shumë publik dhe njerëz publikë, sepse kanë shifra shumë të larta në audiencë. Serialet turke janë një pjesë e programacionit tonë dhe një produkt televiziv, i cili pse jo shikohet më shumë se çdo serial tjetër amerikan, italian apo spanjoll, sepse realisht janë prodhime shumë të mira televizive. Janë shumë kolegë të mi në televizione; prezantues, gazetarë, këngëtarë dhe aktorë që i ndjekin. Unë marr telefonata prej tyre, pasi duan të dinë se si do të vazhdojë episodi i radhës…