• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

Aurela dhe Blerta, historia e motrave Gaçe (Intervista + Foto Ekskluzive)

 

EKSKLUZIVE/ Dy artiste, nga një familje. Dy motra, me të njëjtin pasion. Sa ndikuan në rrugën e njëra-tjetrës? Cila është marrëdhënia që kanë sot? Aurela dhe Blerta, në të parin rrëfim të përbashkët…

NGA ERALDO REXHO

Gjatë jetës, ju do të njihni njerëz që vijnë, njerëz që ikin, njerëz që ju duan, njerëz që ju lënë, njerëz që ju shkelin, njerëz që ju rrëzojnë, njerëz që ju mbajnë dorën, njerëz që ju zënë rrugën. Dikush, do kërcejë me ju në shi përmes stuhisë, të tjerë do ju lënë në furtunë. Mes atyre që vrapojnë, gjithnjë në krahun tuaj e në një hap me ju do të jetë familja.

Këto radhë më vijnë ndërmend, kur lexoj tashmë të shkruar intervistën me dy motrat Gaçe, Aurelën e Blertën. Këngëtaret, vijnë në një rrëfim për fëmijërinë, rininë, dashurinë, atë “dorën e shtrirë” dhe të besuar, supin ku mbështetesh, strehën ku gjen paqe, mendimin pa të keq, nevojën për dashuri.

Një rrëfim që nis në Vlorë, në një fëmijëri ku njëra ishte prindi e tjetra fëmija, kujton 6 vitet e Amerikës, e mandej, rikthimin, për të vënë në pah ngjashmëritë dhe ndasitë, e dy njerëzve të ndryshëm që janë të lidhur mbas një rrënje shumë të fortë. Aurela dhe Blerta janë imazhi i një dashurie pa kushte. Të dyja artiste, me profile të ndryshme, vajzat e tingujve ndajnë me ne marrëdhënien mes dy motrave, njëra protektive e tjetra e përkëdhelur. Natyra të forta, femra në karrierë, tregojnë për kohët kur ende përkundnin ëndrra, kur njëra ishte “kukulla e dashur e së motrës”, e më pas për kohën kur jetojnë ëndrrat e tyre. Rrëfimi që vijon nuk lë mënjanë as debatet, kritikat, këshillat, sikundër një vend të rëndësishëm zënë edhe nëna, babai dhe vëllai, e mesmja e tyre e artë. Roli i artistëve në shoqëri, përtej të dhuruarit art, është të japin mesazhe, dhe motrat Gaçe na mësojnë të dhurojmë dashuri.

Dy motra, dy artiste; si ndiheni me njëra-tjetrën?
AURELA: Në radhë të parë jemi një gjak, jemi motra, dhe si të tilla jemi vetëm në mbështetje të njëra-tjetrës, dhe sigurisht kritiket më të mëdha. Nëse e do familjen, sigurisht nuk mund ta shikosh të gabojë e të rrish duke thënë “eh, ç’më duhet mua”. Blerta që e vogël më jepte mendime, pasi dëgjonte shumë muzikë, rryma të reja, i njihte të gjithë artistët dhe më sillte shembuj që mua më ndihmonin, qoftë edhe në hapjen e horizontit. Sigurisht, me çfarë di e më ka mësuar jeta, i bëhem krah dhe më pëlqen që ka idetë e veta, këmbëngul, beson te diçka që i fle asaj, dhe për mua ky është hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm.

Aurela, në ditëlindjen e Blertës këtë vit, ti ndave me të gjithë ndjekësit e tu një kujtim shumë të bukur. Ti ke dashur, madje e ke ndjerë, që fëmija i tretë në familjen tënde do të ishte vajzë, pra që do bëheshe me motër… E ke dëshiruar shumë Blertën? Si ishte kur ajo erdhi? 

AURELA: Ehhhhhh, më duhet të them se unë isha 11 vjeçe kur Blerta erdhi në jetë. Isha koshiente se çfarë dhurate mora. Vëllai ishte më i vogël dhe, nuk di, ndjesitë mund të kenë qenë të ndryshme për ne. Unë di të them se, që nga ai moment, unë mora rol mëmësie pa dashje. E ushqeja kur mami ishte në punë, e laja, e ndërroja… E, normal që e kam lënë edhe të qajë, sa kanë arritur komshinjtë të lajmërojnë prindërit, se unë flija dhe nuk dëgjoja asgjë (qesh). Sado që mundohesha, isha edhe vetë fëmijë.

A ishte Blerta, kukulla jote e preferuar?

AURELA: Kukulla the? S’kam lënë çentro divanesh pa i vendosur në kokë. Kur mbushi 1 vjeç, mami e babi ia kishin prerë flokët ndërkohë që unë isha në shkollë. Sa hyra në derë, e mbajta frymën te krevati i saj. Oh sa kam qarë kur pashë që ia kishin hequr ondet e bukura! Kam arritur të shkoj te koshi i përbashkët i plehrave, që t’i gjeja e t’i merrja. Kukull është pak të them.

Aurela ka qenë gjithmonë ‘mbrojtësja’ jote, Blerta… A ka pasur momente kur ke dashur që ajo të mos përzihej në punët e tua?

BLERTA: Aurela është sot e kësaj dite protektive. Mendoj që do të jetë gjithmonë. Mendoj që, të gjitha motrat e mëdha e kanë këtë ndjesi. Kemi respekt për njëra-tjetrën dhe të jesh protektive nuk do të thotë që ajo ndërhyn apo “përzihet” me çdo punë timen. Ajo është atje gjithmonë, kur unë shkoj për të marrë dashuri, mbështetje, apo dhe për të marrë këshilla, mendime dhe kritika konstruktive.

Ne dimë që Aurela është zënë edhe me grushte për ty… Apo jo?

BLERTA: (Buzëqesh) Është e vërtetë. Kur kam qenë e vogël, ka qëlluar dikë me grusht. Madje, edhe sot e ka një gisht të dorës jo aq të drejtë. Ajo mund ta tregojë vetë këtë histori, se e tregon shumë bukur (buzëqesh).

[metaslider id=8474]

Çfarë ju bashkon dhe çfarë ju ndan nga njëra-tjetra? Kush është kërkuese e kush më e urtë dhe më e shtruar?

AURELA: Në pamje dukemi të ndryshme. Mami dhe babi e kanë mbajtur me hatër (buzëqesh). Përtej shakasë, jemi sa të ndryshme, aq edhe të njëjta në thelb. Luftojmë njësoj. Më e urtë jam vetë (qesh). Shiko, çdo njeri ka momentet e veta ku është shumë i qetë e normal, që shpërthen nëse e prekin. Dora ka pesë gishta. Të pestë janë të ndryshëm, por dhembin njësoj.

BLERTA: Nuk mund të flas as për ngjashmëritë dhe as për ndryshimet midis nesh. Di që e kam idhull dhe frymëzohem nga ajo përditë. Është bashkë me vëllain, Altinin, dhuratat më të bukura që më kanë bërë prindërit. Ndihem e bekuar.

Zakonisht motrat e mëdha janë më punëtore, marrin përsipër fajet, janë më të urta; në rastin tuaj, si ka qenë?

AURELA: Fatmirësisht, ne të tre fëmijët jemi punëtorë, të përkushtuar shumë në atë që duam. Unë, si e madhja, marr faje, por fajet e mia, jo të të tjerëve. E sa për të urtë, mendoj se vëllai ynë është më i qeti. Nëse unë kam parë mamin e babin duke punuar, po ashtu të njëjtën fotografi ka edhe Blerta në sy. Unë mund të them se, si më e madhe, kisha mundësi të punoja, dhe ashtu siç e thashë me lart, ndjeja se duhej të kujdesesha për motrën që ishte 14-15-16 vjeçe. Kur u rrit, filloi të fitonte vetë me punë ato çfarë duheshin për të paguar faturat e saj, dhe në USA duhet të punosh shumë, se ndryshe nuk ia del dot.

BLERTA: Nuk e di për të urtë. Nuk më duket se ndonjëra nga ne të dyja është e urtë (buzëqesh). Por, motra ime më e madhe është më e mira në botë për mua. Është e ëmbël, “kalon ylberin” për familjen dhe të bën për të qeshur kur je e mërzitur. Çfarë mund të kërkosh më shumë se kaq?!

Po kur u rritët, sa ndikuat te njëra-tjetra?

BLERTA: Vijojmë të mbetemi njësoj. I marrim mendim njëra-tjetrës edhe sot, pothuajse për çdo gjë.

Aurela, ti kë ke pasur model, kujt doje t’i ngjaje?

AURELA: Kur kam qenë më e vogël, nuk e kam menduar këtë. Por me kalimin e kohës, kuptova se isha si të dy prindërit. Kam energjinë si mami, komplet, detajiste si babi. Jam ata të dy.

Po ti Blerta?

BLERTA: Model dhe idhull kam dy gjyshet e mia, mamanë time dhe motrën. Janë perfekte në sytë e mi.

Blerta, a të ka ndihmuar Aurela në muzikë, a të ka hapur rrugë? Apo ke qenë hija e saj?

BLERTA: Aurela më ka ndihmuar në ëndrrën time, sepse ajo e di shumë mirë se ç’do të thotë të luftosh për të arritur atë që do dhe e ke pasion. Ëndrra ime i kalon kufijtë e muzikës. Jemi familje që bëjmë shumë për njëri-tjetrin. Dhe për të gjithë ne, familja është kryesorja. Dua të shtoj që, një artiste kaq e zgjuar sa Aurela, nuk do të mbështeste një motër që nuk do kishte gjë për të dhënë ose që nuk do punonte fort për veten e saj. Unë i jam pa fund mirënjohëse, ashtu siç u jam mirënjohëse të gjithë njerëzve që kanë besuar tek unë gjithmonë, dhe shpresoj t’i bëj krenarë një ditë. Sa për rrugën, ajo duhet shtruar vetë. Unë po eci në trajektoren time. Kam një vizion timin, që nuk ka lidhje me karrierën e saj e me të asnjë artisti tjetër.

AURELA: Këtu do të më duhet të kthej përgjigje edhe unë, paçka se pyetja i drejtohet Blertës. Që të kuptohet mirë nga njerëz që ndoshta nuk kanë provuar se çfarë do të thotë ta duash njeriun tënd pa kushte. U largova nga këtu pa u menduar dy herë, sepse ime motër, vetëm 15 vjeçe, kishte nevojë për praninë e familjes. Nuk është e lehtë të jetë një fëmijë vetëm në një vend tjetër. Nuk është e lehtë as për të rriturit. Nuk mund ta mendoja që unë të flija e qetë nëse prindërit këtu nuk i zinte gjumi për fëmijën e tyre më të vogël. Paçka se kisha ëndërruar aq shumë të bëhesha këngëtare, paçka se isha në kulm të asaj që mund të quhej karrierë, unë i lashë të gjitha pa m’u dridhur qerpiku. Gjashtë vjet pa u kthyer këtu, mund të ndodhte që të mos rikthehesha më si më parë në muzikën që aq shumë e doja, mund të ndodhte të mos isha më në vëmendje të publikut. Po, mund të ndodhte, por ama unë di që isha afër njeriut që, nëse vuan, më bën mua e prindërit të vuajmë me të. E thashë të gjithë këtë, sepse nuk mund ta kuptoj se si njerëzit mund të mendojnë garë mes motrave. Mbase ngaqë jemi mësuar të shohim që vëllai vret vëllanë për një gardh. Jemi mësuar të shohim shumë smirë kudo, dhe kur shohin dy motra, nuk besojnë dot në dashurinë pa kushte. Mua vërtet më habisin disa njerëz që përpiqen të hedhin helm për njerëzit e familjes. Më vjen keq për ta, më saktë, sepse me sa duket, s’i ka dashur kurrë njeri e nuk i duan as motrat e vëllezërit e tyre. Fakti që nuk kemi bashkëpunim, është shumë i thjeshtë. Sepse Blerta po përpiqet të hedhë hapat e saj, komplet të ndryshëm nga unë. Nuk ka pse të kemi asnjë ngjashmëri. Njerëzit atë presin. Ndërkohë harrojnë se jemi dy njerëz të ndryshëm, por me dashuri të pakufi për njëra-tjetrën. Ajo po përpiqet të krijojë diçka tjetër nga unë sepse, beson në skenën, në dashurinë për të, por i qaset skenës ndryshe. Fakti që s’kemi bashkëpunim, është qesharake të mendohet se “unë s’jam ndihmë”. Përkundrazi, unë po e lë të lirë të prekë vetë ëndrrën e saj, të bëjë zgjedhjet e saj. Madje edhe në studio ka punuar vetëm. Unë jam gjithmonë aty nëse do t’i duhem. Shkova në prapaskenë tek “E diela shqiptare” bashkë me Skerdin e Gracen, pa i thënë. Sepse ngrohtësia e familjes është energji e bukur, e ngrohtë. Për t’i dhënë ato që gjithmonë i japim njëri-tjetrit, edhe me vëllanë: mbështetje, interesim, dashuri. Nëse Blerta më pyet se si duhet bërë diçka, ia tregoj. Por, i lë hapësirën ta ndërtojë vetë atë që do. Dhe, më duhet ta them se ajo vetë ma ka kërkuar këtë dhe unë jam shumë e lumtur. Bashkëpunimet presin (buzëqesh).

D.m.th., për këtë shkak nuk keni asnjë bashkëpunim bashkë? 

AURELA: Unë besoj se, po të mos më njihnin mua njerëzit, Blerta do ta kishte më të lehtë. Në momentin që më njohin mua, automatikisht bëjnë krahasimin. I ftoj ta shohin pastër, pa paragjykuar, ashtu siç shohin çdo të re që del në ekran.

BLERTA: Gjithsesi, edhe këngën e duhur nuk e kemi gjetur ende (buzëqesh).

Çfarë këshillash i jepni njëra-tjetrës?

AURELA: Qoftë për veshjen, qoftë për njerëzit që na rrethojnë. Unë jam përballur këtu me shumë dallgë. Këtu e në USA. Blerta është rritur duke pasur para syve vetëm punë. Kështu që, në këtë pikë, s’kam nevojë fare për t’i dhënë këshilla, sepse punon shumë.

BLERTA: Janë shumë. Unë marr më shumë këshilla, se jam më e vogla. Përveç këshillave, marr edhe shumë dashuri dhe inkurajim nga motra.

Jeni kritike?

AURELA: Po, sigurisht! Pse, si e duam njëra-tjetrën, vetëm puç puç?!

BLERTA: Unë jam kritike me veten. Aurela është kritike e drejtë dhe e vërtetë, që nuk të mban me hatër (në lidhje me mua).

Ka motra që duhen shumë, po nuk hapen me njëra-tjetrën; ju, a jeni shoqe? 

AURELA: Po edhe jo. Mendoj se këtu fajin e kam pasur unë. Duke mos u hapur unë, besoj se e bëra edhe Blertën të tillë. Madje ka qenë Blerta ajo që gjithmonë ka shtyrë çdo gjë në drejtimin e të më pasurit shoqe.

BLERTA: Jemi motra, jemi shoqe, jemi gjithçka për njëra-tjetrën.

Sot, kush bën më shumë për prindërit?

AURELA: Të dyja. Edhe vëllai.

BLERTA: Aurela.

Cila nga ju është më shumë vlonjate?

AURELA: Vlonjate? Çfarë do me thënë ekzaktësisht? Vajzë e fortë që punon shumë? Vajzë e sinqertë dhe që shpreh atë që mendon? Nëse me “vlonjate” nënkuptoni këto që thashë më lart, atëherë jemi të dyja.

BLERTA: Jemi të dyja vlonjate mjaftueshëm.

Ndodh që të ziheni? Për çfarë? 

AURELA: Po, normal, jemi njerëz. Njeriu zihet edhe me veten. P.sh., ne zihemi se kush duhet të rrijë në shtëpi të ziejë fasulet (qesh). Mundohemi të respektojmë mendimet e njëra-tjetrës. Nëse unë bëj diçka ndryshe nga motra ose vëllai, nuk do të thotë që unë kam të drejtë e ata gabim. Për prona nuk zihemi, se s’kemi (buzëqesh).

BLERTA: Debatojmë, por gjithmonë arrijmë në një konkluzion të përbashkët. Nuk zihemi.

Aurela, sapo mbushe 41 vjeç; cilat janë sadisfaksionet e kësaj moshe?

AURELA: Ehuuuu, duhet një natë dimri të sqaroj një herë si erdha deri në 41… Kur e ke të mbushur jetën plot me dashuri, punë, emocion, rrëzime, ngritje, vuajtje, lot, buzëqeshje, lumturi, me plotësim ëndrrash, atëherë 41-shin as nuk e kupton saktë si moshë. Unë zgjohem çdo ditë me dëshirën për të përjetuar diçka të bukur. Qoftë edhe kur mërzitem, e kujtoj veten se sa e shkurtër është kjo jetë dhe se nuk ia vlen të vlerësosh asgjë tjetër përveç shëndetit tënd e të familjes. Me këtë dëshirë për të jetuar, 41-shi më duket 21-sh. Jam një adoleshente e pandreqshme! Edhe kur të më mbulojnë rrudhat, do ta jetoj jetën me të njëjtën dëshirë!

[metaslider id=8479]

Po Blerta, kur do të martohet?

AURELA: Pse, kanë ardhur kërkesat në redaksi? (qesh).

BLERTA: Unë do të martohem kur të më mbushet mendja (po m’u mbush mendja!).

A i bën Aurela presion për këtë gjë?

AURELA: Aurela? Unë mirë që u martova vetë, aq kisha hall.

BLERTA: Jo. As Aurela, as ndonjë pjesëtar i familjes nuk më ka bërë “presion” për t’u martuar.

Si është Blerta, teze? 

AURELA: Grace nuk ka pasur ndonjë ankesë deri tani (buzëqesh).

BLERTA: Duhet të pyesim Gracen për këtë (buzëqesh). Unë mendoj se jam “Tezja e Vitit” (buzëqesh).

E njihni shijen e njëra-tjetrës?

AURELA: Eeee, përmendësh. P.sh., “sajesat” e mia nëpër kokë e veshje, nuk do t’i bënte asnjëherë. Mos, ja, as këtu Blerta nuk qenka si unë! Ah moj Blerta! Ti s’duhet të jesh vetja. Ti duhet të më ngjash mua edhe në “sajesa” (qesh). Jemi kaq të ndryshme, por kaq shumë njësoj në pasion, në përkushtim.

Blini dhurata?

BLERTA: Po.

Takoheni shpesh? Mblidheni për dreka, darka?

BLERTA: Po, normal!

Si është të punosh me motrën?

AURELA: Lëre, skandal. Ajo m’i shkul flokët, prandaj i mbaj të shkurtër unë (qesh). Përtej humorit, është shumë mirë për çdo njeri të dijë se në këtë botë i do dikush. Si është më mirë, të punosh me njerëz që janë kalimtarë? Se unë p.sh., në 24 vjet kam punuar me shumë-shumë njerëz, çdo ditë. Shumë pak nga ata janë akoma aty, si miq. Ndërkohë, familja ngelet aty për ty edhe kur të mos jesh i zoti të punosh më.

BLERTA: Është shumë mirë, sepse mëson shumë! Është shkollë më vete. Dhe, mbi të gjitha, ke besim te motra. Kush ka motër e vëlla, botën ka!

Është mirë ta kesh motrën në të njëjtin profesion me veten?

AURELA: Normal, pse jo?! Në momentin që ke kuptuar se këtë profesion e ke dashuri e jo garë, atëherë çdo gjë rrjedh vetë.

BLERTA: Absolutisht! Është gjithmonë me avantazh.

Çfarë do të ketë të re nga ju të dyja?

AURELA: Po përveç atyre që duken, kemi për të dhënë një intervistë së bashku për revistën “Who”.