Fashionistja Armina Mevlani ka pozuar për herë të parë për një revistë prestigjioze ndërkombëtare, siç është “Velvet”, në versionin italian. IshMiss Albania ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram momente nga realizimi i këtij seti mbresëlënës përmes një videoje të shkurtër, ku bie në sy luksi i veshjeve dhe grimi profesional. Bashkë me këtë eksperiencë të veçantë dhe setit të realizuar nga Eugenio Qose, Armina vjen në këtë rrëfim të parë pas fotove ku ishte e pranishme në të njëjtën tavolinë me familjen e partnerit të saj, Shkëlzen Berisha, djali i ishkryeministrit Sali Berisha. Tri vite pasi nisën historinë e tyre të dashurisë, Armina dhe Shkëlzeni, përveçse po bashkëjetojnë, shkëmbejnë vizita në familjet e njëritjetrit, që nënkupton se tashmë lidhja është zyrtarizuar. Po si ndihet në rolin e nuses në familjen e njohur të politikës shqiptare, karrierën si sipërmarrëse e biznesit të veshjeve, bashkë jetesën me Shkëlzen Berishën e hapat më tej, dhe disa sekrete të mbajtjes së trupit në formë ajo i rrëfen për gazetën “Panorama”. Armina zbulon më shumë se si ia del të menaxhojë lidhjen e saj, edhe pse i duhet të udhëtojë shpesh jashtë vendit për punë, dhe kujdesin për formën ideale fizike që e bën të jetë e gatshme për të pozuar si modele në çdo stinë…
Ke pozuar për numrin e fundit të revistës prestigjioze “Velvet”, një eksperiencë shumë e bukur kur e mendon. Çfarë mund të na rrëfesh për paskuintat e një seti fotosh aq luksoz?
Mund të them që ndihem shumë e lumtur, pasi është eksperienca ime e parë në një editorial mode për një revistë ndërkombëtare. Kjo revistë sapo ka dalë në treg dhe menjëherë ia kam ndjerë të mirat për shkak të rritjes sime në rrjete sociale. Bashkëpunimi im nisi si një blogere, pra për shkak të blogut që unë kam tashmë.
Si ishte të punoje për fotot e tyre, çfarë kriteresh duhet të plotësoje?
Sigurisht, puna serioze dhe me orarin më të zgjatur nga gjithë setet e mia fotografike, që kam realizuar deri më tani. Ishin të përpiktë dhe donin që çdo gjë të realizohej në perfeksion, ashtu siç duhet të jetë në fakt. Pata fatin që fotografi ishte shqiptari që tashmë punon më shumë jashtë, Eugenio Qose.
Për çfarë u tërhoqi vëmendjen fiziku yt në konceptin e këtij editoriali mode?
Ideja e këtij editoriali ishte “Boss Lady”, pra një vajzë e re sipërmarrëse. Gjatë jav ës së modës, rastësisht unë takova jashtë një sfilate Eugenion, me të cilin sapo kisha bërë foto. Ai ishte bashkë me kryeredaktoren e revistës, e cila sapo më pa, më pëlqeu dhe më pas më bëri “follow” në Instagram. Pas pak ditësh mora lajmin e setit fotografik që duhet të realizoja, për të cilin isha përzgjedhur.
Partneri yt, Shkëlzen Berisha, është pranë seteve fotografike, dhe për çfarë të këshillon në raste të tilla?
Ka pasur raste kur ka qenë edhe Zeni pjesë e tyre, por shumicën e rastit jam e shoqëruar nga kolegë apo mikesha, që mund të jenë pjesë e kësaj fushe. Zeni më këshillon se çfarë i pëlqen apo nuk i pëlqen në sete të ndryshme fotografike, kur ulemi dhe i shohim fotot para se të përzgjidhen për publikim. Por jo në të gjitha rastet.
Fotot pranë familjes së Shkëlzenit patën bujë në media. Si ndodhi që u bashkuat në një tryezë të ngushtë, dhe a takoheni më shpesh tani?
Unë e kam pohuar edhe më parë që takohemi shumë shpesh, në fundjava apo evente familjare sigurisht.
Ke qenë në shtëpinë e tyre për të gatuar ndonjëherë për prindërit e Shkëlzenit, pasi je shprehur se të pëlqen kuzhina?
Unë jam shprehur thjesht që di të bëj tre apo katër pjata dhe ato di t’i bëj mirë. Nuk është pasioni im gatimi, thjesht kur kam miq të ftuar, më pëlqen t’i respektoj duke bërë diçka të vogël si supë, mish apo makarona. Për prindërit e Shkëlzenit ka ndodhur që kam qenë dhe kam asistuar për t’i ndihmuar, por kaq. Mendoj se ata ushqehen shëndetshëm dhe kjo është diçka shumë e mirë dhe që na bashkon.
Po Shkëlzeni ka qenë i pranishëm në ndonjë darkë të familjes tënde?
Zeni është pjesë e jetës sime, ashtu sikurse është edhe familja ime, ndaj ato nuk mund të qëndrojnë të ndara. Sigurisht që Zeni ka qenë pjese e drekave apo darkave të mia familjare.
Keni një sekret të bashkëjetesës suaj të lumtur?
Sekreti është mirëkuptimi dhe respekti që shkëmbejmë në çift.
Keni bërë ndonjë plan më konkret në çift, dhe çfarë hapi tjetër të rëndësishëm planifikoni të hidhni?
Ne sigurisht kemi diskutuar për hapa të tjerë, por për momentin asgjë konkrete që mund ta ndaj me mediat. Po vazhdojmë të jetojmë së bashku dhe të ndajmë momente të bukura. Mundohemi gjithashtu që jetën private ta mbajmë private shumicën e rasteve.