• youuinsttaaffccbb
TEST
Lajme, Teknologji

Apple ka nisur krijimin e ‘iPhone 8’

Apple është duke i krijuar në zyrat e saj në Izrael pjesët përbërëse elektronike të “iPhone 8”, që pritet të dalë në shitje vitin e ardhshëm, me një dizajn krejtësisht të ri, sipas një punonjësi të Apple atje.
Detajet për iPhone 8 janë shumë të pakta aktualisht, por disa raporte sugjerojnë se telefoni i ri mobil nga Apple do të ketë një ekran mbi tërë sipërfaqen e tij, duke eliminuar nevojën për kornizat e zeza lart dhe poshtë, ku ndodhen aktualisht kamera për selfie, përkatësisht sensori për gjurmët e gishtave, raporton Business Insider.

Disa pjesë përbërëse të iPhone 8 janë duke u krijuar në Herzlija të Izraelit, sipas një punonjësi lokal të Apple, i cili ka thënë se punonjësit në Izrael angazhohen në prodhimin e të gjitha produkteve të reja të Apple, transmeton Gazeta Express.

Punonjësi në fjalë, identiteti i të cilit nuk zbulohet, saldon komponentë në pajisjet e Apple. Ky person nuk ka dhënë shumë informacione për pajisjen e re mobile, përveçse ka treguar se ajo do të jetë “ndryshe” nga iPhone 6s dhe iPhone 7, që janë kritikuar për ngjashmërinë e tyre me paraardhësit e tyre.

Në një bisedë me Business Insider jashtë zyrave të Apple në Herzlija, punonjësi i Apple ka thënë se stafi në Izrael është duke punuar në produktet “e ardhshme” të Apple, duke përmendur në mënyrë specifike “iPhone 8”.

Punonjësi i Apple ka përdorur vetë termin “iPhone 8” – dhe kjo është mjaft interesante, pasi që emri i iPhone që do të dalë në shitje më 2017 logjikisht do të duhej të ishte “iPhone 7s”. iPhone 8, logjikisht, do të duhej të arrinte më 2018, kur dihet se Apple ka një cikël dyvjeçar të krijimit të modeleve të iPhone.
Sidoqoftë, disa analistë theksojnë faktin se iPhone 7 nuk ndryshon shumë nga paraardhësit e tij, iPhone 6s apo iPhone 6. As modelet e serisë S të iPhone nuk ndryshojnë shumë nga paraardhësit e tyre, por telefoni që do të vijë më 2017 në vendin e atij që do të duhej të ishte “iPhone 7s” pritet të sjellë një ndryshim shumë më të madh në krahasim me pajisjet paraprake.

Prandaj, disa njerëz besojnë se Apple mund të ndryshojë traditën e saj emërtuese më 2017, dhe të kapërcejë emrin iPhone 7s, për t’i dhënë iPhone të vitit të ardhshëm një numër të ri, apo një emër jashtë traditës aktuale. “iPhone 8” është një opsion serioz.

Punonjësi i Apple në Izrael ka thënë se iPhone 8 do të ketë një kamerë më të mirë se iPhone 6s dhe iPhone 7 – diçka e pritshme sa herë që një iPhone i ri vjen në treg.

I pyetur se për çfarë e përdor Apple qendrën e saj në Izrael, punonjësi ka thënë shkurt: “Për produkte të reja”. Por, ai ka shtuar se në këto zyra të Apple nuk bëhet montimi i produkteve.

E, zyrtarisht, Apple nuk ka pranuar të flasë rreth këtyre informacioneve. Një zëdhënës i saj ka thënë se kompania nuk komenton rreth thashethemeve apo spekulimeve. /Express/

iphonex_1475082255-8853375