• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

ANDRRA & SINANI: Ja sa fëmijë duam të kemi

Si u njohën dhe si u dashuruan çifti që “ftoi” në dasmë të gjithë shqiptarët

 

[metaslider id=2079]

 

Nga Eraldo Rexho / Fotot: Endrit Mërtiri / Lokacioni: Pallati i Brigadave

Një histori dashurie e nisur krejt rastësisht në një prej rrugëve më të bukura të Dortmundit shkoi drejt altarit këtë verë, duke bërë për vete qindra shqiptarë që e ndoqën me kërshëri nga mediat a rrjetet sociale. Imazhet e dhëndrit me helikopter dhe nuses së veshur me të bardha mbajtën për disa ditë të mbërthyer artdashësit, fansat e Sinan Hoxhës dhe ata që sa e sa herë e kanë dëgjuar të këndojë në dasmat e tyre.

Vetë dasma e ndarë në disa ditë e në disa vende, shënoi ngjarje duke mbledhur së bashku disa prej artistëve më në zë të vendit.

Takimi i parë mes Andrrës dhe Sinanit, në një prej qyteteve më të mëdha gjermane, ishte edhe një dashuri me shikim të parë; ai një këngëtar i njohur, e ajo një vajzë e ëmbël. Edhe pse Sinani nuk njihet si një njeri i pasjellshëm, në sytë e Andrrës ditën e parë la një shije arrogance, veçse ai, nuk iu nda më. Të nesërmen, para universitetit ku ajo studionte do ta gjente te shkallët, e jo vetëm atë ditë, çdo ditë më pas, derisa e bindi që ata të vendosnin të ndanin së bashku jetën. Edhe pse koncertet i kishte mbaruar, Sinani shtyu biletën dhe nuk u shkul nga Gjermania. Jo pa Andrrën!

Të dy pranojnë se janë një çift tradicional; ajo, edhe pse e rritur në Gjermani, tejet e lidhur me traditën shqiptare, e ai, edhe pse i “rritur” gjithandej nëpër botë, ende shumë shqiptar. Këngëtari, madje rrëfen se edhe veshjen si dhëndër e ka bërë sipas traditës, madje nën vargje këngësh që e përshkruajnë adetin, me nënën që e vesh e fqinjët që i këndojnë. Nga rrugët e Europës në shtëpinë në Tiranë, Andrra dhe Sinani ndajnë me ne emocionet e tyre, dhuratat e miqve, ndjesitë që kanë përjetuar dhe planet për një familje me katër fëmijë, në një shtëpi ku zonja është në domenin e saj, por ku as bashkëshorti nuk rri duarkryq.

Një gjë është e sigurt, as muzika e as bukuria nuk do t’i mungojnë kësaj familjeje, që sot është ende në muaj mjalti.

Si ka nisur marrëdhënia juaj? Si jeni njohur?

SINANI: Krejt rastësisht! Për çudi, të dy një ditë kishim dalë për ‘shopping’ në një qendër tregtare në Gjermani. Pasi kisha mbaruar koncertin, mendova të dilja të blija një palë xhinse dhe hyra në një nga qendrat me dyqane të Dortmundit. Pashë disa vitrina dhe shëtita disa dyqane, e në fund u ula për të pirë një kafe. Aty ishte ulur edhe Andrra me disa shoqe të universitetit. Kështu nisi e gjitha.

Andrra, si të propozoi Sinani?

Në fakt, ditën që jemi njohur unë isha në pushimin e drekës dhe universiteti im ndodhet afër qendrës tregtare. Me shoqet e klasës kishim dalë për kafe dhe për të blerë disa gjëra që më duheshin. Bashkë me mua ishte edhe e vetmja shoqe shqiptare që kisha, Valmira. Ajo e pa Sinanin të ulur në anën tjetër të lokalit dhe më tregoi se kush ishte në të njëjtin lokal me ne… U gëzua shumë dhe menjëherë donte të bënte një foto për vëllain e saj, pasi ishte fans i madh i Sinanit. Mirëpo, të them të drejtën, s’di pse unë po këmbëngulja që të mos shkonte (qesh). Ajo më dëgjoi. Por në momentin kur ne po ngriheshim, Sinani kaloi pranë tavolinës sonë për të ikur dhe Valmira i foli… Aty jemi parë për herë të parë dhe reagimi i tij më habiti e më nervozoi pak. Nuk është se bëri ndonjë gabim, por thjesht iu drejtua Valmirës dhe i tha: “Shoqen e paske shumë të bukur”. S’di pse nuk e mora si kompliment, por m’u duk arrogant dhe i pasjellshëm (qesh). Koha tregoi se isha gabim. Sjellja e tij me mua, më lë pa fjalë çdo ditë që jam me të. Sinani e quan dashuri me shikim të parë, megjithëse, siç më tregon tani, kurrë s’kishte besuar te kjo formulë.

Si vazhdoi historia? Apo ti pranove direkt?

ANDRRA: Jooo! Në asnjë mënyrë (qesh)! Pasi u pamë atë ditë për herë të parë dhe Sinani më komplimentoi, kur u largova, fjalët e tij fillova t’i ndjej ndryshe. U mërzita me veten. Thashë, “sa budallaçkë jam që i qëndrova aq ftohtë”. Mirëpo të nesërmen, ai ishte thjesht përpara shkollës sime. Nuk do ta harroj kurrë momentin kur m’u afrua. S’gjej dot fjalë ta përshkruaj se si u ndjeva. Pastaj, pjesa tjetër e historisë, siç e merrni me mend, është e gjatë. Ai e anuloi biletën dhe vazhdoi të vinte të më takonte edhe për shumë ditë të tjera. E kam lodhur pak (qesh). Por ato kanë qenë ditë vërtet të bukura për mua, të cilat i kujtoj me nostalgji.

Sinan, si janë këto ditë të para pas martesës?

Ditët e para të martesës janë si në përralla ose, siç thotë populli, ‘filli i qypit’. Ne jemi akoma te mjalti tani, për më vonë s’e di (qesh).

Andrra, ty si po të duken?

Unë jam pafundësisht e lumtur, dhe këtë lumturi të madhe ma jep vetëm gjysma tjetër imja. Sinani më bën të qesh dhe të jem e lumtur në çdo moment.

Si do t’i ndani detyrat në shtëpi?

SINANI: Janë të ndara me shekuj punët te ne shqiptarët; burri është burrë e gruaja, grua (qesh).

ANDRRA: Sinani e thotë me humor, por në të vërtetë unë, megjithëse jam rritur në Gjermani dhe e rrethuar nga shoqëria me të huaj, në këtë drejtim jam pak tradicionale shqiptare. Ndaj Sinani do të jetë shumë në rregull në këtë pjesë, sepse edhe mua më kanë mësuar se gruaja në shtëpi është “shefja” e punëve.

Sa e vështirë ishte të merrje vendimin për të braktisur gjithçka në Gjermani që të vije të jetoje këtu me Sinanin?

ANDRRA: Dashuria më ka verbuar (qesh)! Bëj shaka. Në kohët në të cilat jetojmë Gjermania është shumë afër. Mundem të shkoj sa herë të dua. Pastaj, Shqipëria më ka tërhequr gjithmonë, pasi çdo vit me familjen pushimet verore i kemi bërë këtu. Tirana më pëlqen shumë, por edhe Hamburgu ku jeton familja ime, gjithashtu. Është e thjeshtë: do të udhëtoj shpesh.

Ç’marrëdhënie keni me vjehrrën dhe vjehrrin, të dy respektivisht?

SINANI: Dhëndri gjithmonë i ka të mira. Sa për nusen, nuk e di, ja se do të përgjigjet vetë.

ANDRRA: Ooo, i dua shumë! Janë prindër të jashtëzakonshëm, si vjehrri, edhe vjehrra. Ne jetojmë vetëm me Sinanin, por sinqerisht do të kisha shumë dëshirë të jetoja edhe me ta. I dua vërtet shumë. Sinani ka dy prindër të mrekullueshëm!

Çfarë dhuratash morët për dasmën?

ANDRRA: Kemi marrë dhurata nga më të ndryshmet, duke filluar nga aksesorët dhe gjërat e tjera të zakonshme, duke mos harruar dhe dhuratën tradicionale shqiptare, zarfin (qesh). Për mua, dhurata më interesante ishte një pikturë me fotografinë tonë. Kanë qenë vërtet aq shumë, dhe ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë të ftuarve. Dhe, siç thuhet në të tilla raste, ua kthefshim për mirë!

Çfarë dhuratash i bëtë njëri-tjetrit?

SINANI: I bëmë njëri-tjetrin pra; pse, pak është?!

A solli Andrra pajë?

SINANI: Po, solli dhe më la pa fjalë… Për mua ishte vërtet surprizë paja e nuses, nuk e prisja!

Pamë gjatë dasmës që doje ta shtyje sa më shumë momentin e djegies së shamisë së beqarit, Sinan; pse kështu?

Ishte thjesht për lojë, për shaka. Se, të them të drejtën, isha lidhur me beqarninë dhe e kam shijuar në maksimum, aq sa m’u venit (qesh).

Cili është momenti që s’do ta harroni kurrë nga dasma?

SINANI: Momenti kur u bëra dhëndër. E bëmë sipas traditës, në shtëpi, me nënën që më vishte kostumin dhe gratë që këndonin këngën tradicionale “ja dhondër shtyllë e shtëpisë, hiq rrobet e beqarnis, vish rrobet e dhondërris”. Më kishin thënë që është moment shumë emocional, por them që ishte edhe më tepër se aq…

ANDRRA: Për mua ka qenë momenti i celebrimit. Hyrja në altar, ku më shoqëronte im atë. Ishte shumë emocionuese. Nuk do ta harroj kurrë!

Çfarë do ndodhë tani me ju? Do të të ndjekë Andrra në koncerte, Sinan?

SINANI: Nëse është dëshira e saj, po, patjetër që mund të vijë. Për mua nuk ka asnjë problem. Përkundrazi, është kënaqësi.

ANDRRA: Jo, nuk mendoj. Ndoshta mund të shkoj me Sinanin kur të ketë koncert në ndonjë vend që mund ta vizitoja, për shembull në ndonjë shtet apo qytet që s’e kam parë, por jo gjithë kohën. Unë kam profesionin timin, ndërsa Sinani të vetin.

Keni në plan të shtoheni në numër me një fëmijë?

SINANI: Tanimë dihet që unë vij nga një familje me shumë fëmijë. Po ashtu i dua fëmijët dhe do të doja të kisha shumë fëmijë, por kjo nuk është krejtësisht në dorën time. Duhet pyetur edhe Andrra (qesh).

ANDRRA: Poo, dua! Dhe shumë madje, jo një. Do të doja katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Por, siç tha Sinani, kjo nuk është në dorën e tij e as në dorën time. Është në dorë të Zotit, ndaj paçim sa ta ketë shkruar Ai.