Në SHBA u publikua seria e gjashtë e dokumentarit shumë të përfolur “Allen V. Farrow” prodhuar nga HBO, që ka në qendër historinë e vërtetë të Dylan Farrow, vajzës së adoptuar të regjisorit dhe aktorit Woody Allen, e cila në fillim të viteve 1990 e akuzoi për ngacmim seksual.
“Për një kohë të gjatë jam munduar të tregoj të vërtetën e kësaj çështjeje dhe nuk ka rëndësi çfarë mendon se di, gjithmonë do jetë vetëm maja e ajsbergut”,- u shpreh Dylan në episodin e parë të dokumentarit duke mos pranuar të tregojë më tepër. Nga ana tjetër e ëma, Mia Farrow ka pranuar se raporti më Woody është gjëja për të cilën pendohet më shumë në jetën e saj.
Vetë regjisori apo gruaja e tij aktuale nuk kanë reaguar për këto akuza, as nuk kanë dhënë deklarata. Megjithëse Allen e dha versionin e tij për historinë me një shkrim të publikuar vitin që shkoi në formën e një tregimi të shkurtër ‘memoir’, që u mohua tërësisht nga protagonistja.
Mes rrëfimeve nga miqtë, videove të papublikuara më parë, apo kujtimeve të Mia Farrow ju tregojmë në 5 pika çfarë e bëri të diskutohet kaq shumë këtë dokumentar.
Woody Allen dhe fiksimi i tij për të bijën Dylan
Miq të familjes, fëmijët dhe ish-bashkëshortja e regjisorit tregojnë se ai ka qenë i fiksuar pas Dylan Farrow për vite me radhë. “Woody tregonte intensitet të frikshëm ndaj së bijës. Ai donte ta kishte gjithmonë pranë vetes”, thotë një prej tyre. Një nga fëmijët është shprehur se Dylan arriti në një pikë që kishte frikë të rrinte me të atin. Vetë ajo ka treguar se i ati e përkëdhelte kur ishin në shtrat vetëm me të brendshme. Mia, e ëma e vajzës tregon se përpiqej t’i shikonte këto gjeste si të pafajshme.
Opinioni i psikologëve
Mia Farrow ka pranuar se e kuptoi që diçka nuk shkonte kur një psikologe e famshme e telefonoi për t’i thënë që kishte diçka që nuk ishte në rregull me sjelljet e Allen krah të bijës në ambiente publike.
Dashuria toksike për Mian
Carly Simon, mik i hershëm i Mias ka rrëfyer se Woody Allen donte që ta izolonte gruan e tij. “Ai i mori pak nga pak vetëbesimin dhe dashurinë për veten Mias. Ai nuk e linte atë të takonte miqtë e saj dhe e mbante të izoluar. I thoshte gjëra të tmerrshme si një strategji për ta kontrolluar”, ka rrëfyer ai.
Polarodiet e Soon – Yi
Në dokumentar, Mia Farrow ka shpjeguar se ka gjetur disa polaroide red-light të Soon – Yi (vajzës së saj të adoptuar) në shtëpinë e Allen, kur ajo ishte vetëm një adoleshente. “As PlayBoy nuk do i publikonte ato foto aq shqetësuese ishin”, ka kujtuar ajo. Sot, Soon – Yi është e martuar me regjisorin.
Woody Allen përpiqet të pushojë median
Një nga gjërat më shqetësuese kur akuzat e Dylan u bënë publike ishte fakti që Woody Allen e çoi atë në një spital për ta ekzaminuar e për të vërtetuar se nuk është përdhunuar. Metodat e përdorura mbi të janë konsideruar të tmerrshme dhe brutale. Këtë raport përfaqësuesi i PR-it të regjisorit ua dërgoi mediave. Ai donte të tregonte që e bija ishte detyruar për të folur siç kishte bërë. Madje ai ka kërcënuar disa nga përfaqësuesit e mediave të asaj kohe.
Regjisori gjithmonë ka deklaruar se arsyeja pse Dylan ka deklaruar këto akuza të rënda ishte se e ëma Mia, e shtynte të fliste kundër tij.
Sot e kësaj dite Woody Allen nuk është vënë kurrë para gjykatës dhe nuk ka marrë ndëshkim për gjithë këto ngjarje, as pasi humbi kujdestarinë e fëmijës së tij për papërgjegjshmëri./revistawho.com