• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë, Në shtëpinë e...

AIDA SHTINO, KU JE? – MODERATORJA E NJOHUR HAP DYERT E SHTËPISË DHE RRËFEN RIKTHIMIN NË EKRAN (FOTO)

Nga Ervin Kurti / Fotot: Geljant Kaleci / Veshjet: Madison Avenue

Ishte viti 2005 kur Aida Shtino u shfaq në televizion, asokohe në “Telenorba Shqiptare”, me një emision që deri atëherë nuk ishte parë në ekran, me titullin “Ku je”. Historitë e emigrantëve shqiptarë të humbur prej vitesh, drama nënash që vajtonin për bijtë e tyre dhe burra që tymosnin duhan pasi dhimbja i kishte mposhtur deri në deje. Kjo ishte sfida që Aida mori përsipër! Rrugëtimi i saj në disa media, si “Vizion Plus”, “Klan” e së fundmi “TVSH”, rriti frikshëm audiencën e këtij programi, duke fituar famën si më i shikuari. Aida u shndërrua në sinonimin e shpresës, ringjalljes së besimit që shumë familjarë thuajse e kishin humbur dyerve të institucioneve. Mijëra raste të zgjidhura dhe qindra të tjera në investigim e sipër, shënuan suksesin e këtij programi me një shpërndarje gjeografike që cekte pjesën më të madhe të botës, sepse shqiptarët ishin të shumtë e solidariteti qe i madh… Prej më shumë se një sezoni, Aida nuk del më në ekran. Heshtja e tejzgjatur zgjoi kureshtjen e të gjithëve dhe kudo shikuesit pyesnin: “Ku je, Aida Shtino?”. Ajo shfaqej tek-tuk në rrjetet sociale me komente dhe statuse, por jo më në televizion. Ne e kërkuam dhe kuptuam që ajo nuk ishte “zhdukur”. E “gjetëm” atë në shtëpi, vendin ku ajo aktualisht po kalon një pjesë të mirë të kohës e që i ka shërbyer si një oaz qetësie e frymëzimi. Vizituam çdo cep të shtëpisë, ngrimë në foto momentet e saj në kuzhinë, dhomën e pritjes, atë të gjumit e në ballkon. Edhe pse në shtëpinë e saj mbizotëronte stili klasik dhe ngjyra e aristokratëve prej vishnjeje, Aida zgjodhi të mos ishte klasike në intervistën e saj, përkundrazi, u tregua po aq njerëzore sa ç’ishte edhe kur drejtonte “Njerëz të Humbur”.

Aida, me çfarë po merreni këto kohë?

Po punoj për një projekt të madh televiziv, i cili do të vijë pranë publikut shumë shpejt. Kam një vit që po merrem intensivisht me të dhe besoj se do të jetë një punë që do të pëlqehet shumë.

Do të na zbuloni më shumë në lidhje me këtë projekt?

Do të jetë një emision vërtet i rëndësishëm dhe që nuk është realizuar më parë në Shqipëri, ku protagonistë do të jenë shqiptarët, do të ketë në qendër të tij doza optimizmi dhe shumë sukses. Kaq mund të them për momentin, megjithëse mendoj se fola shumë!

Kjo do të thotë se “Njerëz të Humbur” nuk do të ekzistojë më?

Kush e tha?! Ai ekziston në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, por nuk mund të them që do mbetet një e shkuar. “Njerëz të Humbur” është projekt shumëvjeçar dhe nuk mund të harrohet aq lehtë.

Ju merr shumë kohë puna?

Me thënë të drejtën po, por mundohem që ta alternoj me strehëzën time të ngrohtë që është shtëpia.

 

Sa kohë kaloni në shtëpi?

Unë nuk kaloj shumë kohë në shtëpi, për shkak të orareve të zgjatura të punës, impenjimeve që kam, por gjithmonë më ka pëlqyer shtëpia, sepse më duket si një fole e ngrohtë, e sigurt, dhe kudo që ti shkon, udhëton, lëviz nëpër destinacione të ndryshme, të merr malli të kthehesh në shtëpi.

Cili është këndi juaj i preferuar?

Këndi im i preferuar është një kolltuk që unë kam diku në një qoshe të shtëpisë sime, ku ulem, lexoj apo punoj me laptopin tim dhe nga dritarja duket mali i Dajtit…

Sa tituj keni në bibliotekën tuaj?

Kam në fakt disa tituj, enciklopedi të ndryshme, autorë shqiptarë dhe të huaj.

Cili është libri i fundit që po lexoni?

Tani jam duke lexuar “Zhozefine Bonoparti” e Sandra Gulland. Është një përmbledhje shumë interesante nga jeta e Zhozefine Bonapartit dhe martesa e saj me Napoleon Bonapartin.

A merret Aida me punë shtëpie?

Kur kam kohë, merrem. Më pëlqen të ndryshoj herë pas here vendin e mobilieve, që çdo herë të më duket diçka e re. Nuk më pëlqen monotonia dhe mundohem ta rifreskoj shpeshherë modelin e shtëpisë; ndryshoj pozicionin e mobilieve, më pëlqen të krijoj atmosferë të ngrohtë në shtëpi, dhe kjo më jep kënaqësi, të merrem me vendosjen e rregullit dhe arredimit kur është e nevojshme.

Çfarë marrëdhënieje keni me gatimin?

Kam marrëdhënie shumë të këndshme me gatimin. Më pëlqen të gatuaj gjëra të reja, receta të reja me shije. Sepse gjithmonë mendoj dhe e kam bindje, se dashuria kalon nga stomaku së pari. Nuk gatuaj shpesh, por di të gatuaj shumë mirë.

Cili është specialiteti juaj?

Kam disa specialitete, por di të bëj shumë mirë peshkun me kripë.

Po me TV-në, shpenzoni kohë?

Shpenzoj aq kohë sa kam, sepse unë jam pjesë e medias dhe më duhet të ndjek gjithçka të re që del, si nga televizionet shqiptare, ashtu edhe ato të huaja.

Çfarë ju pëlqen më tepër?

Më pëlqen çfarë ka të bëjë me gazetarinë e vërtetë, me emisionet e ndryshme, te të cilat gjej vërtetësi dhe që përcjellin mesazhe me vlera te publiku i gjerë.

  

Ndiheni mirë me stilin që keni zgjedhur në arredimin e shtëpisë?

Po, ndihem shumë mirë. Unë si tip jam klasike dhe kam zgjedhur stilin barok. Mendoj se klasikja nuk ikën kurrë nga moda dhe nuk të mërzitet asnjëherë. Më ka pëlqyer gjithmonë ajo epokë, ku gjërat kanë qenë shumë romantike, të prekshme, dhe besoj se në atë periudhë janë shkruar më së shumti kryeveprat botërore. Do të kisha dashur shumë të kisha jetuar në atë epokë, nëse do të kthehesha mbrapa në kohë.

Mbani lule në shtëpi, kujdeseni vetë për to?

Po, kam shumë lule në të dyja ballkonet që kam. Në njërin nga ballkonet kam krijuar atë oazin tim me lule, ku unë shpeshherë gjatë pranverës dhe verës ulem dhe pushoj duke udhëtuar në botën e fantazisë. Mendoj se lulet të zbukurojnë jetën. Zoti, ngjyrat që ne do të përcaktonim në jetën tonë na i dha përmes luleve. Për mua, lulet kanë shpirt dhe janë si ne njerëzit: kanë nevojë për përkujdesje dhe dashuri, përndryshe thahen dhe vyshken. I dua shumë lulet dhe gjithmonë gjatë gjithë jetës sime më kanë shoqëruar kudo, e nuk mund të imagjinoj një shtëpi pa lule; do të më dukej si pa jetë…