• youuinsttaaffccbb
TEST
Lajme

A po pret familja mbretërore djalin trashëgimtar? Elia dhe Princi, për planet e fëmijëve të tjerë

“Me një djalë”-është shprehja që e ka shoqëruar çdo grua shtatzënë e nuk na tingëlloi çuditshëm kur mësuam se edhe Elias i ndodhi gjatë shtatzënisë. Sidomos për faktin që dikur ka qenë e rëndësishme që familja mbretërore të kishte një trashëgimtar djalë. Themi dikur sepse tani ky koncept nuk ekziston më. Siç tregon Elia në këtë intervistë ekskluzive për “Revista Who”, jemi në shekullin 21 dhe fëmija i parë trashëgon kurorën, qoftë vajzë apo djalë.

Ndërsa Elia dhe Leka kanë menduar që nëse do të kenë një djalë më vonë, të vendosin kur fëmijët të mbushin 18 vjeç, se cili do e trashëgojë fronin.

“Jo vetëm nga familja e Princ Lekës, por që në maternitet nga stafi përseritej ky urim! Eshtë argëtuese, pasi tregon se ende djali shihet me përparësi në shoqërinë tonë dhe mua më duket si një urim që vjen si eko e nje kohë tjetër. Për ne të dy nuk ka asnjë ndryshim, vajzë apo djalë, fëmija është njësoj bekim nga Zoti. Familja Mbretërore shqiptare nuk jeton jashtë kohës së saj, sot jemi në shekullin e 21 dhe absolutisht produkt i kohës sonë. Jo vetëm ne, por edhe familjet e tjera mbretërore që kanë patur në kushtetutën e tyre trashëgiminë e kurorës në vijë mashkullore, sot e kanë ndryshuar me ligj, pasi është një traditë diskriminuese në epokën ku jetojmë. Në vendet mbretërore fëmija i parë trashëgon kurorën. Sipas kushtetutës së mbretërisë shqiptare, linja duhet të kalojë drejtpërdrejtë nga trashëgimtarët e Mbretit Zog. Nëse lind një djalë, ai trashëgon fronin, nëse lind një vajzë dhe nuk lindin djem, e trashëgon ajo deri në lindjen e një djali prej saj apo fëmijëve të saj. Princ Leka dhe unë dëshirojmë që edhe nëse do të kemi një djalë më vonë, të dy të kenë shansin e barabartë dhe në moshën 18 vjeçare të vendosim cili nga fëmijët mund të trashëgojë kurorën. Kjo pasi njëri mund të jetë më i përshtatshëm pavarësisht gjinisë. Pesha e një kryetari të Familjes Mbretërore nuk është dhe aq e lehtë, pasi sensi i detyrës dhe përgjegjësisë të shoqëron gjithë jetën. Jo çdokush mund të ketë dëshirë apo vokacion ta mbajë këtë rol, ndaj mendojmë se është një vendim që duhet marrë kur fëmijët janë të pjekur mjaftueshëm dhe kur mund të dallosh me qartësi se cili është më i prirur për një jetë të dedikuar dhe aspak vetjake…”

Po kur mendojnë Elia dhe Leka të bëhen prindër për herë të dytë? Këtë çifti nuk e ka vendosur akoma pasi është herët dhe e gjithë energjia e tyre është përqëndruar tek Geraldina.

“Do dëshironim që Geraldina të ketë një vëlla ose motër, por është ende shpejt per ta menduar konkretisht kohën e përshtatshme. Për momentin energjia jonë është e përqëndruar te Geraldina. Do donim që të mos i mungojë për asnjë çast përkushtimi dhe vëmendja jonë, ndaj bebja e dytë ndoshta do presë pak.”