Ngjarjet e bujshme kanë qënë të pashmangshme këtë vit duke filluar nga sherri i reperit Noizy me moderatorin Ledion Liço e deri tek skandalet që shoqëruan ”Këngën Magjike”. Por nga ana tjetër ka pasur edhe ngjarje të gëzueshme si kualifikimi i Kombëtares Shqiptare në Kampionatin Europian, martesa e Princ Lekës me Elia Zaharia apo edhe ardhja e këngëtareve Dua Lipa dhe Giusy Ferreri në Tiranë.
Shkurt 2016
Për herë të parë një artiste shqiptare arriti të nënshkruajë kontratë me Ultra Music dhe Sony. Ajo është Era Istrefi e cila gjatë gjithë këtij viti ka numëruar suksese të njëpasnjëshme. Përveç disa koncerteve në Amerikë dhe Europë, Era nuk mbeti pa u përmendur edhe nga yjet botërorë si: Chloe Grace Moretz, Katy Perry e Kim Kardashian. Gjithashtu kënga e saj “Bonbon” arriti të bëhej kënga më e dëgjuar shqiptare në kanalin Youtube.
Qershor 2016
Skandali në “Top Awards” ka marrë për javë të tëra vëmendjen e mediave. Gjithçka filloi kur Noizy nuk pranoi të merrte pjesë në “Top Awards”. Ishte shakaja e Ledion Liços ajo që ndezi gjakrat duke thënë se Noizy nuk kishte ardhur për shkak se nuk gjente dot parking për Ferrarin e tij. “Kështu është kur përdor makinën e shokut” -tha Ledioni. Më pas debati degradoi në ofendime. Noizy postoi një foto në profilin e tij në Instagram ku ofendonte Ledionin për orientimin e tij seksual dhe se jeton me paratë e të dashurës.
Qershor 2016
Skandalet në “Top Awards” vijuan kur menaxheri i Kidës rrahu gazetarin e Prive. Sherrin e nxiti një artikull i botuar në Prive sipas të cilit, dy prezantuesit e tapetit të kuq nuk i kanë njohur artistët që menaxhon Mehmet Elshani.
Gusht 2016
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa dha koncert në Tiranë në sheshin “Nënë Tereza”.
Shtator 2016
Skandali mes dy reperave, Cozman dhe Noizy. Konfliktet mes grupit OTR dhe Babastar janë të njohura tashmë. Por ngjarja e ndodhur në shtator të këtij viti bëri bujë për vetë faktin se dy reperat përdorën armët. Sherri ndodhi në Prishtinë ku Noizy me shokun e tij Varrosi u rrahën me grushta me Cozman dhe Albert Krasniqi. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur Noizy dhe Varrosi.
Tetor 2016
Princ Leka II dhe Princeshë Elia u martuan në “Pallatin Mbretëror” në tetor të këtij viti. Ata u martuan në një ceremoni madhështore ku ishin të pranishëm përfaqësues të Familjeve të mëdha Mbretërore të Europës dhe nga bota. Celebrimi u bë në Sallën e Fronit dhe u drejtua nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Tetor 2016
Dy këngëtaret e njohura Samanta Karavella dhe Marsela Çibukaj u fjalosën pas një statusi që Marsela Cibukaj postoi në Facebook ku kritikonte disa tekste të zhanrit reggae në shqip. “Operacionet plastike të këngëtareve shqiptare duhet të mbrohen nga UNESCO” -shkruante Marsela. Megjithëse nuk përmendi emra, pas këtij postimi reagoi Samanta Karavella e cila e kishte marrë statusin personal. Samanta shkruante se publiku e njihte që 13 vjeç. “Do ishte më mirë të bëje diçka më me vlerë se të komentoje muzikën e kolegeve të tua, aq më tepër kur je artiste vetë.” -shkruante Samanta.
Tetor 2016
Kombëtarja Shqiptare hyn në histori, kualifikohet për herë të parë në Kampionatin Evropian 2016. Kjo ishte hera e parë në histori që Shqipëria kualifikohet në një kompeticion të madh. Sigurimi i një vendi në Euro 2016, u arrit falë fitores 3-0 ndaj Armenisë.
Nëntor 2016
Një nga këngëtaret më të njohura italiane, Giusy Ferreri dha koncert në Tiranë për “Natën e Bardhë”. Artistja regjistroi një video mesazh ku shprehej e lumtur për ardhjen e saj dhe u bëri thirrje shqiptarëve që t’i bashkoheshin në koncert.
Nëntor 2016
Aksidenti tragjik në rrugën “Bajram Curri”, mori vëmendjen e medias për ditë të tëra. Si pasojë e shpejtësisë humbën jetën këngëtari Ergi Dini dhe Kejdi Halili. Edhe pse u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak, pas 30 minutash, të dy djemtë kanë ndërruar jetë.
Dhjetor 2016
Më datë 3 dhjetor humbi jetën analisti i njohur Andrea Stefani, i cili ishte diagnostifikuar muajt e fundit me një sëmundje vdekjeprurëse. Stefani ka qënë kryeredaktori themelues i së përditshmes “Shekulli”, drejtues i programit investigativ antikorrupsion “Hapur” dhe autor i librit “Albanistan”.
Dhjetor 2016
Skandalet në “Kënga Magjike” nuk munguan as këtë vit. Vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi akuzuan se kënga “Mirëmëngjes dashni” e kënduar nga Artiola Toska dhe Bruno, kompozuar nga Flori Mumajesi ishte e kopjuar nga motivet sllave. Debati vazhdoi në studion e “E Diela Shqiptare” ku Flori Mumajesi në lidhje telefonike iu tha Endrit dhe Stefit të mos merreshin me llafe. Sherri degradoi edhe në ofendime ku Endri shpërtheu në sharje të rënda ndaj Artiolës në Instagram.
Dhjetor 2016
Bujë në media bëri edhe skandali mes çiftit të këngëtarëve shqiptarë, Sajmir Çili dhe Suela Kalaja. Çili akuzoi bashkëshorten se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Pas një telefonate, forcat e policisë e kanë gjetur çiftin në mes të një konflikti. Suela në gjaknxehtësi ka goditur Sajmirin me shuplakë në prani të forcave të policisë. Pak ditë pas publikimit të lajmit Sajmir Çili deklaroi: “Ishte vetë ajo që e kërkoi divorcin.” Ky lajm bëri bujë në media pasi dy protagonistët janë personazhe të njohur të skenës dhe njëherësh prindër të një vajze 9-vjeçare.
Fituesit e festivaleve këtë vit janë:
“Netët e Klipit Shqiptar” – Rozana Radi me këngën “Për me pas nji roze”
“Top Awards” – Alban Skënderaj i cili mori çmimin “Achievement Award”
“Kënga Magjike” – Rozana Radi me këngën “Ma thuaj ti”
“Festivali 55 i Këngës” – Linda Halimi me këngën “Botë”