NGA “REVISTAWHO.COM”/ Udhëtim në bukuritë e Shqipërisë mbuluar nga dëbora, ja ku duhet patjetër të shkoni

kover-iva

Sezoni i turizmit dimëror në vend sapo ka nisur. Tashmë është kthyer në një traditë e bukur për familjet shqiptare të vizitojnë vendet që zbardhen nga dëbora. Megjithëse infrastuktura rrugore në shumë zona ka vështirësi për të mbërritur në destinacion, ato mbeten më të preferuarat për të kaluar fundjavat apo pushimet dimërore.

Si më poshtë ne do t’iu propozojmë disa nga destinacionet që mund të vizitoni këtë dimër:

Thethi – Thethi ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës, në zemrën e Alpeve shqiptare. Për vlerat e tij klimaterike dhe atë të biodiversitetit, Thethi eshte shpallur Park Kombëtar. Aty gjendet edhe “kulla e ngujimit”, element ky epik i jetesës shqiptare ku gjatë periudhes së gjakmarrjes strehohej gjakësi. Kuzhina tradicionale e Thethit përbëhet nga “ferliku” (mish i pjekur), gatimi i troftës së përroit të Thethit, si dhe nënproduktet e qumështit (djathrat e ndryshëm, gjiza, kosi i fresket, etj). Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Lidhur me këtë fakt ka shkruar edhe alpinisti Georg Heinshemer, i cili e ka konsideruar Thethin, padyshim, vendin më të përshtatshëm për turizëm ndër Bjeshkët e Veriut të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me viset e bukura të Tirolit, Austri. Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër, sepse nga Qafë Sorë deri në Theth, janë 12 km rrugë tepër te vështira dhe kalohet vetëm me mjete të larta si fuoristrada.

thethi

Valbona – Lugina e Valbonës shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në Rrethin e Tropojës. Ajo ka statusin e Parkut Kombëtar dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh. Natyra e këtij parku është e pasur me varitete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër, me reshje të dendura shiu e bore, me temperatura të ulëta dhe periudhë të gjatë me ngrica dhe erëra. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.  Flija me sac, është një nga gatimet më të prefeuara të zones, çdo turist që e ka provuar ka mbetur shumëe i mrekulluar.

tropoje-ok

Dardha – Fshati turistik i Dardhës mbetet një nga vendet më të preferuara nga turistët të huaj dhe ata vendas. Fshati piktoresk ndodhet rreth 20 km larg nga Korça dhe gjithë rruga për atje, është një gjarpërim mbi kodrina të buta, derisa përfundojnë në male, gjithnjë të mbushur me bimësi e pemë qindravjeçare .
Përveçse destinacion i mirëfilltë turistik, Dardha rrezaton edhe një kulturë intelektuale e popullore që e bën atë të gëzojë traditë të pasur në vlera.
Dardha si shumë fshatra të tjerë të juglindjes së Shqipërisë, ka shtëpitë se saj karakteristike të ndërtuara me pllaka guri, rrugicat me kalldrëm, e oborret plot me lule të mbjella nga vetë zonjat e këtij fshati. Vizitorë nga gjithë vendi kanë preferuar vitet e fundit Dardhën si një mundësi për pushime jo vetëm për bukuritë e rralla natyrore por edhe për gatimet tradicionale që zënë një vend të veçantë të kësaj zone si lakrori,mishi i pjekur e shumë specialitete të tjera bio.

dardha-ok

Voskopoja – Voskopja e cila është e vendosur në krahun perëndimor të  qytetit të Korçës, është sot një nga qendrat më të bukura turistike në vend. Është e bukur ta vizitosh në të gjitha stinët, por sidomos në pranverë ku natyra, gjelbërimi dhe ngjyrat bëhen bashkë për të krijuar tablo natyrore mjaft piktoreske. Djep i kulturës bizantine ndër shekuj, plot histori e trashëgimi monumentale, kulturë, art,  ashtu siç tregohet nga historia ka qenë një qytet i banuar që nga vitit 1330 që arriti kulmin e lulëzimit në 1764, kur kishte më shumë se 30.000 banorë, 24 kisha, akademi, bibliotekë dhe shtypshkronjë. Sot ruan ende vlera të mëdha të artit mesjetar dhe copëza të shkëlqimit të dikurshëm me Kishën e Shën Athanasit dhe Manastirin e famshëm të Shën Prodhromit. Eshtë vendi ideal për zhvillimin e turizmit malor dhe llojeve të tjera të sporteve dimërore. Pasi të keni vizituar objektet e famshme të artit bizantin që ruajnë ende vlera të rralla e të papërsërishme, mund të shijoni gastronominë tradicionale të zonës duke patur në krye të tryezës lakrorin. 

okkkkk

Llogara –  Parku Kombëtar i Llogarasë përfaqëson një nga vendet më të bukura të Shqipërisë. Me sipërfaqen e saj prej 1020 ha, Llogaraja është e mbuluar me gjelbërim të përhershëm. Ajo konsiderohet si një vend klasik i vendosjes së ekuilibrit biologjik midis botës bimore dhe asaj shtazore. Në brendësi të pyjeve të saj gjenden lëndina të bukura, burime të shumta natyrore dhe lloje të ndryshme kafshësh dhe shpendësh. Pikërisht në njërën nga pjesët më të bukura, në zemër të Llogarasë, është ngritur qendra e saj turistike. Llogaraja është zonë me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit dhe ekoturizmit. Vendi është një kombinim i shkëlqyer mes klimës malore dhe asaj detare. Kush ka vizituar qoftë edhe një herë të vetme Llogaranë nuk ka lënë pa shijuar kuzhinën karakteristike të zones e cila përfaqësohet denjësisht me qengjin e pjekur në hell. Mishi i pjekur në hell, në Llogora ka një shije të veçantë sepse rritet në toka të ushqyera me erën e kripur të detit, që është e pasur me jod.

llogara

Bogova – Pikërisht nën “këmbët” e malit të Tomorrit, kësaj enigme mitologjike, pasi ke përshkruar 12 kilometra rrugë nga qyteti i Policanit, shtrihet Bogova. Në fillim përballesh me nje urë që ndan fshatin në dy pjesë. Në të dy krahët e saj ndodhen lokale, restorante dhe hotele. Gjelberimi i pyjeve shtrihet nga të gjitha anët, deri tek “Rezervati i Bogovës”, pyll i cili sipas banorëve, ka qenë i preferuar për gjueti nga ish-udhëheqja e kohës së monizmit. Është plotë një siperfaqe prej 350 hektarësh pyll, ku të apasionuarit e gjahut mund të gjejnë që nga derri i egër, lepuj, e deri tek dhelpra. Bogova ndodhet në lartesinë 265 m mbi nivelin e detit dhe ketë e dëshmon dhe  klima që mrekullon të gjithë vizitorët. Kuzhina tradicionale e zonës është mishi në hell i qingjit apo kecit. Pijet e prodhuara në zonë, si rakia dhe vera, shoqërojne mishin, por dhe djathin dhe perimet e zonës. Vizitorët, që në përgjithësi e njohin zonën, pasi kanë përshkruar historinë e Beratit, i tundon për së largu Skrapari, që të kujton peligrinazhin drejt malit të shenjtë të bektashinjve.

bogove

Razma – Fshati i Razmës ndodhet rreth 40 km në veri të Shkodrës, nje vend ideal për të praktikuar alpinizmin malor dhe skitë. Fshati të ofron mundësi akomodimi në hotele dhe bujtina. Ka një klimë tipike malore, ajër shumë të pastër e me vlera kurative. Kullotat alpine, pyjet e ahut dhe të pishave, janë karakteristike për zonën. Zona e Razmës ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës. Dreka tradicionale në këtë zonë është mishi i qengjit në fërlik ndaj dhe në çdo lokal, në kohën e drekës, gjendesh përballë një fërliku. 

ppppooo

Shishtaveci – Fshati Shishtavec ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në lartësinë 1260 m mbi nivelin e detit. Shishtaveci shtrihet buzë një kodre pothuajse shkëmbore, në lartësinë e së cilës ndodhet Kamenica me 1330 m lartësi. Poshtë fshatit, me një ulje graduale të relievit, shtrihet madhështore një fushë me bar e lule gjithfarllojesh me një sipërfaqe reth 720 ha. Në lindje të Shishtavecit shtrihet një pllaje, që merr dhe emrin e fshatit, e cila në pranverë, verë e vjeshtë mbulohet me barë e lule dhe shërben si kullotë klasike alpine. Temperatura në stinën e dimrit arrijnë deri në -27 gradë në raste të veçanta. Zona njihet për ushtrimin e sportit të skive tashmë prej më shumë se 7 dekadash. Edhe pse një nga fshatrat në më bukur në vend, Shishtaveci nuk mund të frekuentohet lehtësisht (nevojiten makina foristrada) nga turistët për shkak të infrasturkturës, por gjithësesi mbetet nga vendet me shumë potencial, veçanërisht për turizmin dimëror.

yesss

Vendi ynë shquhet për bukuritë e rralla natyrore ndaj dhe ishte e vështirë të përzgjidhje mes tyre. Selektimet tona i bazuam edhe në mundësitë teknike për të mbërritur në destinacionin përkatës, ndaj dhe urojmë që vitin tjetër lista jonë e sugjerimeve të jetë më e gjatë duke pasur në të edhe destinacione lehtësisht të aksesueshme.

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password