lefuture

Zhytur në llucë dhe mendjen tek Donald Trump – Nga Olti Curri

kolazh-permbytjeee

Nuk dyshohet jo vetëm për Shqipërinë, por edhe vende të tjera që kanë jetuar dekada nën diktaturë, që popujt të kenë instaluar një instikt vëtëmbrojtjeje duke mos u marrë me problemin jetik, por duke u bërë pjesë e ngjarjeve me rëndësi, jehona e të cilave ndikon pak ose aspak në jetën e tyre.

Përmbytja e radhës e Shqipërisë qëndrore përkoi me ditën votimeve për zgjedhjet presidenciale në SH.B.A. Veç disa fotove dhe videove që më shumë dhe si zakonisht gjetën dritë botimi në rrjetet sociale sesa në mediat elektronike tashmë shitur dukshëm, kjo ngjarje e rëndë për jetën e qytetarëve shqiptare u harrua me pakësimin e shiut dhe daljen e diellit.

Plagët mund t’i lëpish, t’i qetësosh, por mjekimi bëhet me metoda të forta. Dimri është përpara dhe kjo temë duhet bërë kauzë dhe jo zgjedhja e presidentit të një shteti të madh. Pak prindër u shqetësuan për pezullimim e shkollës dhe faktin që fëmijët do të penalizohen me ngarkesë në mësime për të rikuperuar programin shkollor, të tjerët si Fashion Police para televizorit apo smartfonëve filluan komentet për veshjen, flokët, artikulimim e Hillary apo Donald. Qan hallin fukaraja se kalorësit i varen këmbët?

Po ato kanalizime, puseta, ato trotuare para apartamenteve që i keni blerë me çmimin për metër katror sikur të jenë në Via Venetto në Romë. Apo punë e madhe, kur bëni ‘selfie’ në dhomën me mobilje Fendi, gjoli që ju rrethon nuk duket. Minimumi që mund të bënin do të ishte që t’i binin borive pa ndalur, para bashkive të qyteteve të përmbytura për faj të keqmenaxhimit apo mungesës së punës për kanalizime apo gatishmërinë në emergjencë.

Por jo, fëmijët dhe nipat e atyre që pushkatoheshin mizorisht dhe fjalën e fundit kishin: të rrojë Partia e Punës, durojnë këtë lloj nëpërkëmbjeje në heshtje. Nuk duan ta shohin veten në pasqyrë, të qartësohen së zhvillimi nuk është pasurimi apo mirëqenia vetjake, por cilësia e jetës jashtë dyerve të shtëpisë, makinave, zyrave. Nuk po bëj thirrje për revolucion se përmbytje ndodhin kudo, por rasti i fundit ishte një tepricë mungese përgjegjësie; lumenj me shtrate të zhvendosur nga privatë për të përfituar tokë më shumë për biznesin, kolektorë jashtë përdorimit, kanalizime të amortizuara.

E megjithatë rrjeti kishte hall tjetër #hillaryclinton #donaldtrump ah se harrova #melanietrump. Drejtohem në vetën e tretë, se të paktën jam i ndërgjegjshëm që në hapësirat e mia në rrjet i dhashë maksimumin e hapësirës përmbytjes, njerëzve që rrezikuan jetën, pronën, punën, që humbën avionë, shkolla etj.

Hillary, apo Donald, nuk do të vijnë të na zhbllokojnë nga përmbytja, ndoshta ju shpresoni, por jo… Në fund të fundit kush ka kohë të ankohet apo të organizohet dhe të ngrejë zërin për bllokimin e autostradës nga uji, shqiptarët janë me prejardhje nga struci, zhysin kokën në spektaklin e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe lënë jashtë trupin të zhytur në gjolin e përmbytjeve.

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password