close
OltBook

“Pokèmon Go dhe shqiptarët” – Nga Olti Curri

025Pikachu_XY_anime_3

Në fundjavë isha në Jalë dhe pas darke në restorantin e “Folie Marine” shikoja djem e vajza adoleshentë, që rrëshkisnin nga tavolina e prindërve. Mendova se strukeshin duke përkëdhelur dashuritë verore buzë ndonjë shkëmbi pranë detit, por mesa duket e kam parë shumë shpesh filmin kult “Sapore di mare” që tregonte realitetin italian. Në fakt adoleshentët tanë ecnin kuturu me smartphone në dorë duke i drejtuar lart e poshtë si në fillimvitet ’90-të, kur celularët sa një çantë shkolle nuk kapnin mirë valët.

Ekstravaganca japoneze dukej se ishte strukur nga mësymja e amerikanëve me shpikjet e Steve Jobs-it, por nuk vonoi dhe “Nintendo” u përshtat me smartphone-t dhe solli “Pokemon Go”. Çmenduria e re që po i pushton shqiptarët si gripi fillimvjeshtës, por që nuk zgjat një javë e as largohet me paracetamol.

Mjafton një telefon i gjeneratës së re, shkarkimi aplikimit dhe loja fillon. Të gjithë duke jetuar me panikun se po vjen lajmërimi elektronik se aty afër ka ndonjë “Pokemon”, ethet dhe serioziteti i kërkimeve i ngjan filmave amerikanë me kerkuesit e arit në vitet 1900, por nëse atëherë synohej pasuria, adoleshentët tanë kanë vetëm një qëllim, të vrasin kohën.

Nëse me sferën e krijuar adapt për të kapur “Pokemonët”, arrin t’i skllavërosh, ti bëhesh pronari i tyre. Kjo lojë sa japoneze duket edhe shqiptare, tamam si drejtorë, ministra, apo pronarë që bëhen zotër me një firmë kryeministri, pa derdhur asnjë pikë djerse dhe kujtojnë se ata vetë janë skllavopronarë dhe vartësit-skllevër. Madje “Pokemon” mund të futet si lëndë edhe në shkencat politike, për të trajnuar politikanët e rinj, si të ndjehen zot të postit njëlloj dhe të stafit.

Nuk jemi të parët në përhapjen e kësaj loje që po dërgon botën tek psikoanalisti, por të paktën fqinjëve tanë ua kemi kaluar, madje edhe të dhënat e lojës në “Google” janë në shqip, por mungojnë në italisht, greqisht apo serbisht. Do thoni ata kanë punë më të rëndësishme, dakord, por edhe shqiptarët nuk e kanë të lehtë të ndërrojne zakonet e tyre dhe të ngrihen nga kafja e muhabeti dhe të ecin dhjetëra metra për një copë “Pokemon”.

Në fakt luan brezi i ri dhe më pak brezi i rritur pikërisht se ai japonezi shpikës duhet të programojë në territorin shqiptar që “Pokemonët” të zgjohen vonë, të pinë kafe, të merren me llafe dhe të bien nga qielli, ashtu si ëndrra e çdo shqiptari të mesëm që fatin e pret nga lart dhe kurrë anash.

Në Angli trajneri nevrik Jose Mourinho, u tërbua kur mësoi se lojtarët e skuadres së tij “Manchester United”, kishin lënë mendjen pas kësaj loje dhe ua ndaloi rreptësisht atyre, ndërsa në një bar francez, pronari për të ndjellur klientët kishte varur tabelën “Këtu kapen Pokemon Go”, duke u mbyllur kjo valë promocioni në Hollandë, ku një menaxher restoranti reklamonte se kush kishte kapur katër “Pokemon Go”, hante falas.

Ende në Shqipëri nuk ka nisur ndonjë valë marketingu që i drejtohet lojtarëve të “Pokemon Go”, por dyshoj se loja duke qenë me të lëvizur nuk do ketë shumë bujë, njëlloj si ‘twitter’. Po të jetë puna me lëvizje dhe me artikulim fjale, shqiptarët nuk përzihen shumë, janë më fort për zbavitje online, pa lodhje dhe pa shumë fjalë.

Tags : Olti Curripokemon go
loading...