close
OltBookVetëm në WHO

10 mënyra që të mos bëhesh “dele” si të tjerët – Nga Olti Curri

18302491_10209173637001327_2059801726_n

1 – Fakti që pi qumësht dhe bar nuk do të thotë se je dele dhe duhet të pranosh të të trajtojnë si dele.

2 – Baba dhe nënë ke ato që të kanë bërë kokën dhe jo ata që jeta t’i sjell përballë si: mësues, pedagog, shef, drejtor, kryetar partie apo vjehërr. Ata kanë vendin e tyre, mos i konsidero si babë e nenë ose barinj se do të të trajtojnë si dele.

3 – Le të shkojnë të gjithë në kope pas fyellit të bariut, dëgjo edhe melodi të tjera. Mos dëgjo vetëm muzikë analfabete me ora floriri njomur me shampanjë, dëgjo edhe tinguj të vërtetë, përndryshe je dele e pashpresë.

4 – Le të sulen delet e tjera nëpër dyqane për funde e pantallona lëkure fallco që vijnë era djersë autobusi, ti krijo stilin tënd. Përndryshe je dele, madje dele jo me lëkure, por me inkelit.

5 – Mos i ndërprit shokët dhe shoqet apo kolegët teksa flasin për Ferrari, Dubai, apo Rolex-a ndërkohë që kanë në dispozicion vetëm tre palë brekë për tridhjetë ditë të muajit. Ata vdesin të duken dele, ndërkohë që janë shqerra ëndrrimtare.

6 – Mos u ndill nga vitrinat e dyqaneve ku pronaret rrinë me gjak të ngrirë nëse dashnori i radhës do t’ua paguajë qeranë apo jo, ndërkohë që dalin në talk-shoë dhe japin mend për asgjënë. Ato janë baresha në tentativë, për dele si ju.

7 – Le të mbushen muret e Facebook-ut me fëmijë fashionista, ata janë shqerra që nuk do bëhen kurrë askushi. Nëse ju doni që fëmijët tuaj të jenë sipërfaqësore, të mos kenë një foto me top në duar dhe gjunjë të vrarë nga loja, nëse ju dëshironi që fëmijët tuaj të jenë ashtu pa fëmijëri, vazhdoni hani bar dhe tundni bishtin.

8 – Nëse treni i famës ju ka kaluar pa u ngjitur në të, mos i torturoni pjellat tuaja që të bëjnë sikur këndojnë, aktrojnë apo kërcejnë. Thjesht talenti lind, edhe aty ku nuk kanë as bukë të hanë. Një talent i sajuar është gaz i botës. Mos lejoni që me blegërimat e çjerra të fëmijëve tuaj të qeshë dyanjaja. Lërini fëmijët të lirë të zgjedhin atë që duan, fëmijëria juaj iku si iku.

9 – Mos lejo të të mbushin mendjen që je dele, duke të të bindur që je dele e kanë shumë më të lehtë që të bëhen barinjtë e tu dhe me qumështin tënd të vënë pasuri për vete.

10 – Sa herë të kanë thënë: bli, shit, fli, zgjohu, lidhu, zgjidhu, martohu, ndahu, servilosu, shtiru, ulërij, hesht…si gjithë dynjaja. Ata që të kanë folur kështu të kanë bërë të zezën, se janë ata që të kanë varur këmborën që ta tundësh si një dele shembullore, pa jetuar për veten tënde, ashtu siç të pëlqen ty qoftë edhe një ditë. Je një dele, një dele e shëmtuar dhe fallco, se delet e vërteta janë të bukura plot gjallëri… / revistawho.com

Tags : deleOlti Curri
loading...