close
Në KopertinëPikante sot

NË KOPERTINË / Brenda shtëpisë së Holtës, bilanci i një viti që u mbyll me suksesin e “TSQV”

whoonline43

Nga RevistaWho.Com / Fotot: Geljant Kaleci

Një Bethlehem i paqtë zë vend pranë pemës së festave që nis në dysheme dhe mbërrin deri në tavan. Mandej, më në qendër të sallonit të madh nga oxhaku, gjuhëzat e një zjarri bubulak i japin ngrohtësi gjithë dhomës. Holta është në një karrige me një gotë verë, si gjithnjë e qeshur, pas një pasqyre që reflekton në tejanë ngjyrimet e arta të një ambienti ftues. Shtëpia e saj në festa i ngjan një kështjelle ëndrrash prej ku përrallat më magjike marrin jetë. Jo vetëm në këtë strehë, Holta këtë vit ka qenë mbretëresha.

holta00003

Prej anës së djathtë të oxhakut ku mban në duar një filxhan të stërmadh nisin ditët e saj, në fillim me një telefonatë me të bijën adoleshente, e cila vazhdon shkollën jashtë Shqipërisë, mandej me të birin ende vocërrak, më tej me të ëmën, të atin dhe me bashkëshortin. Veç ngrohtësisë në shtëpi, ky ka qenë viti i artë i Holtës. Producentja ka mbyllur një supërprodhim si “Tu Si Que Vales”, që vetëm në vitin e tij të dytë, ia doli jo vetëm të thyejë çdo parashikim, por të gozhdojë shumëkënd para ekranit, edhe në mbrëmjet ku zakonisht debatet e nxehta politike a temat më të ndjeshme marrin audiencën. Shumëçka është diskutuar dhe kopsitur pikërisht në një prej dhomave të shtëpisë së Holtës…

holta00002

Prej aty poltroneve të bardha janë skicuar mes batutave e të qeshurave, ndonjëherë zërit të lartë e ndonjëherë kërcitjeve të gishtave ato që më në fund në ekran, kanë marrë një tjetër dimension. Superspektakli mori më shumë vëmendje se politikanët në qendër të debateve, se telenovelat me histori të trishta e magjepsëse dashurie, se sherret e mëdha: këtë herë shqiptarët kërkuan të bukurën dhe ëndrrën te produksioni që i lë të gjitha mënjanë për të kërkuar njerëz të talentuar, njerëzit e së nesërmes. Aty, Holta ka qenë mbase në paraqitjen e saj më të mirë, tanimë edhe në ekran, ku herë me batuta, herë me spontanitetin e saj e herë veçse me thjeshtësinë e një njeriu që e lë pas krahësh suksesin e pasurinë që ka për të qenë thjesht një njeri (i dashur).

holta00004

Mbase, çelësi i suksesit të Holtës, është pikërisht shpirti i ekipit, i grupit, të qenit udhëheqëse dhe jo shefe, të qenit bashkëpunuese e jo urdhëruese, të mbledhurit e ideve si ta bëjmë më mirë, jo “është më mirë si them unë”, të dëgjuarit, duke e kthyer piramidën përmbys e duke pasur rreth vetes në ekran e pas tij njerëz profesionistë. Në fund, ajo është jo vetëm e lumtur, por edhe mirënjohëse për të gjithë ekipin, jurinë, postproduksionin, regjinë e këdo që ka vënë kush një gur e kush një mur, për të nxjerrë në ekran atë që më pas spektatori e vlerësoi duke i dhënë vëmendje e duken marrë kënaqësi. Pas një viti si ky, Holtën e pret një tjetër superpodhim: “Dancing With The Stars 7” – i pari spektakël i këtij lloji në Shqipëri ku ende kërcimi e talenti kanë vlerë së pari, me surpriza të reja, me ide të reja, që do sjellin në ekran një tjetër magji.

holta00001

Mbrëmja e 31 dhjetorit e gjen në shtëpizën e saj të përrallave me njerëzit më të dashur: edhe para edhe pas 12-ës, në një festë mes dy familjeve të saj, asaj që i ka falur Zoti dhe asaj që ka zgjedhur vetë, me bashkëpunëtorët me të cilët punon prej shumë vitesh, e që realizoi edhe këtë herë galanë e ndërrimit të viteve me shpalljen e një fituesi për “Tu Si Que Vales”. Ndaj, Holta që na pret me babagjyshin në derë, me sytë që i shkëlqejnë, me gotën e verës në duar dhe me maçokun që endet kuturu sa të oxhaku e sa të kutitë e dhuratave në dhomën me perde të rënda në ngjyrë vishnje, ku një engjëll duket sikur lutet, ka vetëm një lutje për babadimrin, “mot më mirë”. /revistawho.com

Tags : Dancing With The StarsHolta DulakuHolta KolaneciTu Si Que Vales
loading...