Rikthehen reshjet e dëborës në të gjithë vendin. Me të ndjeshme reshjet e dëborës do të jenë në jug dhe juglindje të vendit, por specialistët e Institutit të Gjeo-shkencave thonë se shqetësimi më i madh është era e fortë me shpejtësi deri në 50 km /orë. “Shqetësim mund të përmendim erën e cila në fakt gjatë ditës së sotme dhe gjatë ditës së nesërme pritet që të fryjë me shpejtësi të lartë në pjesën bregdetare dhe terrenet e larta malore, ku shpejtësia mund ti kapërcejë për momente të shkurta edhe 50 km/orë”, thotë Metodi Marku nga Instituti i Gjeo-shkencave. Marku rekomandon të ketë lëvizje të kufizuar të qytetarëve në zonat bregdetare të Jonit, pasi do të ketë erëra, shi dhe shkarkesa elektrike. “Në këto zona pritet që në lartësitë mbi 500 metra reshjet të jenë në formë dëbore dhe mund të arrijnë në lartësi të mëdha mbi nivelin e detit edhe në 30-40 cm dëborë e re krahasuar me shtresën e dëborës ekzistuese”, thotë ai për Ora News. Temperatura përgjatë kësaj jave do të ulen me disa gradë, luhatjet do te jenë të lehta, gjithsesi moti do të jetë i ftohtë dhe me erëra të fuqishme.