• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi, Instant Articles, Lajme

Horoskopi për 8-14 tetor dhe hëna e re në peshore

PS: Lexoni jo vetëm shenjën tuaj por dhe shenjën e Horoskopit tuaj, përshembull një person i lindur në 5 shtator 1982 dhe ora 10:45 duhet të lexoj Virgjëreshën (shenjën, në bazë të datës së lindjes) dhe Akrepin, horoskopin e tij që ka të bëj me orën dhe vendin e lindjes.

Në 9 tetor zhvillohet Hëna e Re në shenjën e Peshores dhe nxjerr në sipërfaqe çështje dhe probleme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tona. Është një periudhë transformuese por dhe mjaft erotike. Pasioni, xhelozia, zilia, tendencat sunduese, tensionet dhe kontradiktat do të jenë ato që do të karakterizojnë marrëdhëniet tona gjatë kësaj jave. Hëna e re ndikon kryesisht përfaqësuesit e shenjës së Peshores, Dashit, Gaforres dhe Bricjapit të lindur në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. Është e domosdoshme të mos harrojmë se për të filluar diçka të re, shumë herë është e nevojshme të mbyllet një kapitull ose një cikël që tashmë ka arritur në fund por ne nuk jemi në gjendje ta shikojmë apo ta pranojmë. Në qoftë se duam të ruajmë marrëdhëniet ekzistuese që na interesojnë duhet të tregohemi të matur dhe të mos hyjmë në konflikte nga data 10 deri në 12 tetor, kryesisht përfaqësuesit e shenjës së Akrepit, Ujorit Demit dhe Luanit të lindur në dhjetëditëshin e parë të shenjës. Me pak fjalë do të jetë një javë me ngjarje dhe një periudhë gjatë së cilës do t’ju japim fund apo do të ringjallim marrëdhëniet tona, varet nga situata ku gjendet secili prej nesh. Jashtë skenës nuk do të ngelen dhe problemet ekonomike, madje do të kemi tendencë të kerkojmë dhe të pretendojmë më shumë se zakonisht. Fundi i javës do të jetë pozitiv duke ju dhënë zgjidhje për situatat ekzistuese.

DASHI

Marrëdhëniet dhe bashkëpunimet ju preokupojnë që në fillim të muajit, por tani me Hënën e re përballë jush në 9 tetor ato kanë gjithë vëmendjen dhe përqëndrimin tuaj. Kështu ju jepet mundësia të ringjallni marrëdhëniet ekzistuese apo të krijoni marrëdhënie të reja. Ndërsa të gjithë ju që keni probleme në marrëdhëniet tuaja tani do të jenë më të theksuara. Në sferën financiare do të jeni në kërkim të burimeve të reja dhe do të gjeni zgjidhje në vijim. Përfitoni nga rastet dhe mundësitë që do të shfaqen duke shmangur sjelljen imponuese dhe egoiste.

Këshillë: Mbështetuni në forcat tuaja.

DEMI

Fillime të reja me perspektivë në fushën profesionale premton Hëna e re në datën 9 të muajit, por përmes pengesave dhe ndryshimeve rrënjësore. Përqëndrohuni në jetën tuaj familjare dhe të përditshme duke mos qenë të sipërfaqshëm dhe të nxituar. Përpiquni të mos hyni në konflikte dhe tregoni kujdes të veçantë në sferën ekonomike. Fundi i javës është mjaft pozitiv për projekte dhe plane me afat të shkurtër.

Këshillë: Kujdesuni për veten.

BINJAKËT

Kjo është një periudhë krijuese për ju, pasi me Hënën e re në shenjën e Peshores jeni gati për të promovuar një projekt të ri. Nuk përjashtohen mundësitë që të përballeni me disa pengesa financiare për arritjen e qëllimeve tuaja, për të cilat do të ketë zgjidhje. Në të njëjtën kohë, nuk do të mungoj stresi në jetën e përditshme dhe probleme të vogla në ambientin e punës. Ndërsa në fushën sentimentale do të përjetoni një dashuri plot pasion, e cila për të ecur ashtu siç duhet , është e këshillueshme të shmangen tendencat për kontroll absolut.

Këshillë: Pranoni sugjerime nga njerëzit në mjedisin e punës dhe u jepni atyre mundësinë për t’ju njohur më mirë.

GAFORRJA

Vëmendja juaj përqëndrohet në çështjet familjare dhe në shtëpi, pasi nuk do të mungojnë problemet dhe keqkuptimet. Ju mund të keni nevojë të mbyllni një kapitull dhe të bëni një fillim të ri në këtë fushë apo edhe në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja personale dhe profesionale, por fati do të jetë me ju për të gjetur zgjidhjen më të mirë nga ato që janë të mundshme. Në përgjithësi është një periudhë transformimi dhe rinovimi, gjatë së cilës duhet të bëni ndryshimet e duhura. Periudha imponon një organizim më të mirë në shtëpi.

Këshillë: Mos shprehni pakënaqësinë tuaj pasi ka të bëj me ndjenjat tuaja dhe ndoshta nuk përputhet me realitetin.

LUANI

Rutina juaj e përditshme merr më shumë interes me Hënën e re në datën 9 të muajit, me kontakte të reja në mjedisin miqësor. Do të hasni edhe vështirësi dhe pengesa në mjedisin e punës, gjë që mund t’ju kërkojë të bëni ndryshime që do të sjellin rezultate më të mira. Në sferën sentimentale do të përjetoni pengesa dhe konflikte në marrëdhëniet ekzistuese dhe disa të tjerë rikthim në një dashuri nga e cila ishit larguar. Gjithsesi do të jeni shumë aktiv dhe do t’ju jepet mundësia të bëni një fillim të ri në sferën profesionale që do t’ju hap rrugë të reja.

Këshillë: Shfrytëzoni fundin e javës për të vendosur një ekuilibër ndërmjet jetës suaj personale dhe punës.

VIRGJËRESHA

Me Hënën e re në 9 tetor, perspektiva të reja hapen në sferën e biznesit dhe në financat. Ndërsa në fushën sentimentale nuk përjashtohet mundësia të takoni një person nga e kaluara, i cili mund të mos ju interesoj më. Shmangni shpenzimet e tepruara dhe në qoftë se jeni të interesuar të bleni një makinë më mirë ta lini për më vonë. Ju të tjerët bëni një kontroll apo servisin e duhur makinës dhe të jeni të përqëndruar gjatë kohës që udhëtoni me të.

Këshillë: Në sferën financiare shmangni riskun dhe të jeni të përmbajtur në lojrat e fatit.

PESHORJA

Me Hënën e re në shenjën tuaj në 9 tetor është koha të bëni fillime të reja në sferën personale dhe profesionale, vecçanërisht ju të lindurit në dhjetëditshin e dytë të shenjës. Sigurisht, përshtatja me të dhënat e reja do të jetë e vështirë, por mos harroni se nuk ka fillim nëse nuk ka një fund. Gjithsesi është një periudhë e rëndësishme për ju, gjatë se cilës duhet të bëni transformimet me qëllim rinovimin e jetës suaj. Shumë të preokupuar do të jeni dhe me financat tuaja, madje mund të jenë dhe shkaku i stresit që do të ndjeni, por nuk ka arsye shqetësimi pasi zgjidhjet do të vijnë në vijim. Ndihmoni sa keni mundësi njerëzit e familjes dhe shmangni konfliktet brenda saj.

Këshillë: Është koha të bëni ndryshime në paraqitjen tuaj dhe të kujdeseni për veten.

AKREPI

Këtë herë jeni pak më të mbyllur në vetvete dhe më të menduar, duke bërë një rishikim të periudhës që kaloi me qëllim që të arrini në konkluzionet e duhura. Është momenti i përshtatshëm për të menduar ndryshimet që duhen bërë dhe për të shtruar planet dhe projektet e reja, të cilat do t’i vendosni në zbatim në vijim, por mirë është të gjitha këto të mos i bëni të njohura tek të tjerët. Konfliktet në marrëdhëniet tuaja nuk do të mungojnë rreth datave 10 me 12, por njëkohësisht do të ekzistojnë dhe zgjidhje për probleme familjare që ju preokupuan muajt që kaluan.

Këshillë: Xhelozia dhe tendencat për kontroll absolut vetëm probleme mund të krijojnë në marrëdhëniet tuaja.

SHIGJETARI

Ngadalësoni pak ritmet dhe përdorni një pjesë të energjisë suaj për të bërë ato që ju vërtet dëshironi. Me Hënën e re në datën 9 të muajit, do të jeni në proces të krijimit të planeve dhe projekteve të reja për të ndryshuar të dhënat aktuale ekonomike. Nuk është e nevojshme të bëni investime të mëdha ekonomike. Sigurisht që do të keni dyshime në këtë drejtim, të cilat do t’i shprehni dhe diskutoni me njerëzit në mjedisin tuaj miqësor. Miqtë, madje disa që keni kohë pa i takuar, do të zënë një vend të konsiderueshëm gjatë kësaj periudhe në jetën tuaj.Një marrëdhënie sentimentale e fshehur mund të kthehet nga e kaluara.

Këshillë: Vizitoni një qendër spa ose masazhi dhe shijoni momentet relaksuese.

BRICJAPI

Të përqëndruar në veten tuaj dhe në fushën profesionale ju bëheni akoma dhe më kërkues se zakonisht. Dëshira për të arritur sa më lartë dhe për realizimin e planeve të biznesit tuaj ju bën të vështirë dhe të reptë me të gjithë dhe gjithçka.Tregohuni më elastik dhe ulni pak pretendimet pasi mund të mos keni llogaritur mirë e me saktësi mbështetjen e bashkëpuntorëve tuaj për fillimet e reja. Gjithsesi nuk do të mungoj ndihma nga njerëz me prestigj. Në fushën sentimentale një marrëdhënie nga e kaluara do të kthehet, ndërkohë do të takoheni dhe me miq që keni kohë pa i parë.

Këshillë: Për të bërë fillime të reja duhet të mbyllim llogaritë e vjetra apo një cikël që tashmë ka arritur në fund.

UJORI

Kursi në rritje në karrierën tuaj profesionale vazhdon, madje tani është e nevojshme të përfitoni nga gjërat dhe situatat që nuk i keni konsideruar ende. Në të njëjtën kohë, me Hënën e re në 9 tetor, do të keni mundësinë të bëni një fillim të ri i cili do të ketë mjaft rezultat dhe do t’i jepni fund bashkëpunimeve që nuk ju sjellin më fitimet e duhura. Gjithashtu është e mundur të merrni përgjegjësi familjare që kanë të bëjnë me çështje nga e kaluara dhe që në momentin e caktuar do të gjejnë një zgjidhje. Ndërsa në fushën sentimentale problemet dhe rikthimet në një dashuri të së kaluarës do të jenë në plan të parë, veëanërisht për ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës.

Këshillë: Sigurohuni që keni të dhënat e duhura përpara se të vazhdoni me planet e reja.

PESHQIT

Mundësitë për punë janë rritur dhe ju shpresoni më shumë duke qenë akoma më optimist, prandaj mos u zhgënjeni nëse shikoni se gjërat nuk shkojnë ashtu sic ju i ëndërroni.Në sektorin financiar, është koha për të bërë një fillim të ri duke u kujdesur për t’i dhënë fund çështjeve të pazgjidhura dhe detyrimeve ndaj palëve të treta. Natyrisht, nëse ndesheni me pengesa, nuk ka arsye të bini psikologjikisht. Mos u mbështetni në ndihmën e të tjerve pasi mund të zhgënjeheni. Një lidhje sentimentale e fshehtë mund t’ju preokupoj.

Këshillë: Shfrytëzoni fundin e javës për të bërë një planifikim të ri me ndihmën e njerzve tuaj. /revistawho.com

CLOSE
CLOSE