Tri ditë-netët e Festivalit Multikulturor të Beratit u përmbyllën të shtunën e 22 korrikut, me koncertin e DJ Dea Buza… Por për të mbërritur në fund, organizatorët e Festivalit kishin organizuar një axhendë të ngjeshur me aktivitete.
Festivali Multikulturor i Beratit erdhi pranë publikut vendas, por edhe atij të mbledhur nga qytete të tjera, me letërsi, muzikë, aktivitete sportive, artizanat, filma si dhe aktivitete për më të vegjlit.
Një festë që zgjat nat’ e dit’, si rrallëherë, mban mes ritmeve e ngjyrave që shtegtuan në shekujt deri në ditët tona, dhjetëra e qindra shqiptarë e të huaj që kanë zgjedhur Beratin e gurtë, edhe në këto ditë të nxheta prej festivalit.
Mangalemi ka mirëpritur “Bucharest Ladies Orchestra”, “Istanbul Metropolitan”, ndërsa artisti Enris Qinami me tingujt e muzikës spirituale ndaloi te Teqeja e Helvetive sikurse “Trio Entr’act” i dhuroi tingujt e vet tek Muzeu Onufri mes ikonave që sa të takojnë me përshpirtërinë, po aq të magjepsin me historinë që bartin. Festivali u bë një pikëtakim kulturash, besimesh e tingujsh që përçojnë prej shekujsh magji e mallëngjim.
Për të rinjtë e apasionuar pas rrymave moderne te muzikës, pati ritme të rrymave muzikore underground, të kuruara nga DJ i famshëm Uran B e ritme bashkëkohore nga DJ Dea Buza, si dhe muzikë live nga “Offchestra”. Soditje e blerje tek “Panairi i Artizanatit dhe i Librit” në pedonalen e Beratit.
Nuk munguan as performancat e grupeve polifonike, duke u bërë një me tingujt tradicionale nga Àme “Clarinet Quartet” dhe nga grupet folklorike të Beratit dhe Gjirokastrës, pikërisht në mbrëmjen përmbyllëse. Me këtë gërshetim disiplinash që ofron, Festivali Multikulturor i Beratit premton të kthehet në një ‘ves të mirë’ të shqiptarëve çdo muaj korrik, kur para mbërritjes në det, ndalesa bëhet e domosdoshme pranë bedenave të kalasë e lagjeve karakteristike.
Muzikë, këngë, valle, një ndriçim festiv. Emra të njohur të artit bashkë me familjet dhe miqtë zgjodhën të ndiqnin programin e larmishëm të Festivalit Multikulturor, që herë të kthen tek rrënjët e herë të tjera të sjell më të mirën e artit të ditëve tona. / revistawho.com