Të fortët (që të hanë munë) – Nga Flavio Qarri


Ka një tendencë në hapësirën publike shqiptare për të bërë si të fortë! Këngëtarë (sidomos) repera, politikanë dhe madje ndonjë femër që bën si Shote Galica! Sidomos janë ca tekste këngësh që të duket sikur i ka shkruar Zani Caushi nga burgu i Burrelit! Unë e mirëkuptoj që ne jemi një shoqëri e dhunshme! I di gjithashtu edhe statistikat zyrtare të kriminalitetit! Por ju çfarë kujtoni se jeni duke bërë? Kujtoni se po krijoni fansa? Pandehni se po trembni njeri? Mendoni se do fitoni më shumë koncerte nga komuniteti i skifterave?

Ja t’ua sqaroj se çfarë po bëni:

Po krijoni mitin e rremë se krimi shpërblen. Po deformoni rritjen e një brezi që ju ndjek dhe magjepset jo prej faktit se ju jeni të mirë por se ju shohin nëpërmjet kanaleve të komunikimit ndaj është i pashmangshëm imponimi. Rrisni perceptimin se nëse njerëzit rrihen a vriten është krejt normale e madje edhe në klasë a në rrugë adoleshentët mundet lirshëm t’ju citojnë.

Ai momenti kur qartësisht më bëni për të vjellë është seksualizimi dhe objektifikimi që i bëni femrave në tekstet tuaja. Nuk e bëni dot edhe në video se ato i keni të kopjuara ndaj vështirë se e kuptoni për çfarë po flas. Një fundshpinë e bukur është mbase edhe kënaqësi për t’u parë por një qurrash që e trajton si qënie pavlerë me deklarata prej “bitch-i” mi sjell zorrët në grykë. Femrat janë bërë për t’u dashur, me disa madje edhe mund të realizosh perversionet më të çmendura seksuale por edhe atëherë jemi para një mikeshe sidoqoftë, e jo një “moldaveje” me pagesë.

Por lërmëni t’ju them se çfarë mendoj për ju që bëni si killera nëpër klipe apo si hamshorë:

Ju nuk vleni asnjë qindarkë! Nuk jeni të fortë, nuk jeni të rrezikshëm, nuk jeni hamshorë dhe fatkeqësisht nuk jeni as të talentuar! Ajo vëmendje që keni është afatshkurtër dhe aq sa merr është për shkak të frustrimit shoqëror. Madje politikanët arrogantë në publik e impotent në privatësi janë një barcaletë më vete. Më besoni, kam takuar njerëz të rrezikshëm gjatë kohës kur kam punuar me kronikën e zezë dhe ju jeni shumë larg, oh sa larg, nga të qënit “të fortë”. Një shprehje nga jugu thotë për ata si personazhet e këtij shkrimi: “I do për hall, nuk të mbarojnë punë! I do për trima, të hanë munë”…

Sqarim: Gjithçka shkruhet më sipër, është qëndrim personal i gazetarit Flavio Qarri.

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password