close
Kolona e Zezë

Artistët janë në Valbonë, në Tiranë janë mbetjet! – Nga Flavio Qarri

14657389_10154430457591357_5290627593012711213_n

Përgjatë viteve tek kontrolloja mediat e huaja dhe ndërkohë më duhej të takoja artistë e “vip-a” shqiptarë, shpesh kisha një keqardhje të pashprehur. Pothuajse çdo person publik në botë mban një qëndrim, shpreh pozicionin e tij. Qoftë për zgjedhjet presidenciale në SHBA, për peliçen a të drejtat e grave. Përjashto një këngë të Eliza Hoxhës për fëmijët me nevoja të veçanta dhe këtë daljen e fundit të Rozana Radit, nuk po më kujtohet ndonjë artist që nëpërmjet punës së vet të ketë shprehur ndonjë qëndrim përveç nevojës për të bërë para e koncerte. Të gjithë mund të numërojmë pa fund këngë për bythën, cicat, drogën, qejfin, paratë, edhe për dashurinë nëse doni, por rrallë kemi muzikë që e ka një mesazh civil. Nuk po them që një artist duhet të ketë vetëm diskografi të angazhur, por ndonjë qëndrim nëpërmjet muzikës së vet duhet edhe ta ketë dreqi e mori. Nuk po flas për intervistat pastaj ku praktikisht nuk thonë asgjë, përjashto kush ia bëri këngën, ku i bëjnë rrobat e të tjera panevojshmëri komerciale si këto. E kontrollova me vëmendje sot listën e artistëve që do të performojnë në Valbonë. Absolutisht emra të respektuar. Ndër ta edhe ndonjë preferencë e imja absolute si Alban Nimani apo Gent Rushi. Në Shqipërinë tonë artistët janë të vetmit në botë që janë politikisht korrekt. Ose janë politikisht skandaloz. Se unë nuk kam dëgjuar në botë që i njëjti këngëtar që këndon te fushata e një krahu pa numëruar mirë lekët e koncertit të ikë me vrap te fushata e kundërshtarit për të “performuar”. Ky të dashur artistë nuk quhet profesionalizëm, quhet oportunizëm. Nuk është asnjanësi të jesh me të gjitha palët për të mos pasur probleme me askënd e duke u bërë palë me çdo të keqe që ndodh në shoqërinë shqiptare. E di që shumë artistë shqiptarë do donin të ishin këtë fundjavë në Valbonë, por e kanë të pamundur për shkak të angazhimeve ama janë shprehur nëpërmjet rrjeteve sociale. Ndaj me një llogari të thjeshtë Valbona na tregoi cilët mund të quhen artistë. Ata që janë mirëfilli janë atje, ose kanë folur për të, mbeturinat as nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë “Mos ma prek Valbonën”.

Sqarim: Gjithçka që shkruhet më sipër, është qëndrim personal i gazetarit Flavio Qarri.

Tags : Flavio QarriMos ma prek ValbonenValbona
loading...