Artistë që duhen burgosur – Nga Flavio Qarri


Do ju jap një lajm të keq. Artistët e vërtetë të këtij vendi, ata që kanë studiuar arte, që ia kanë kushtuar jetën artit punojnë nëpër institucione të lodhura, gjithë stres, me rroga të vogla, të taksuara e mbi taksuara. Akademi, orkestra, shkolla apo teatro. Ata që bëjnë para me shumicë, më shumë se shtëpitë diskografike janë disa njerëz që për rastësi të fatit figurojnë të papunë. Unë jam shumë dakord që ata të bëhen të pasur. Pyetja ime është sa taksa paguajnë ata? A janë të regjistruar si biznes i vogël kompozitorët e bodrumeve? Sa para i kanë dhënë shtetit ata që mbushin lokalet? Nëse ka një mënyrë fillestare për të nxjerrë muzikën shqiptare nga bataku, është që të gjithë këta njerëz të taksohen. Të deklarojnë të ardhurat, por edhe shpenzimet. Nuk mundet që të jetojnë si fukarenj ata që kanë mbaruar Akademinë dhe të përqeshen nga milionerët e tallavasë. Dhe nëse kanë kryer evazion fiskal, na bëni një nder të gjithëve. Burgosini! Ashtu si hallexhinjtë e dritave. Fiks ashtu. Si mendoni se mund të shpëtojmë ndryshe nga prostitutat që bëjnë para me klientët dhe i futen videoklipeve? Si mendoni se mund të shpëtojmë nga kompozitorët që pa pikë turpi vjedhin bite, fitojnë para dhe vjedhin kontributin e përbashkët gjithashtu. Sigurisht që do të kemi atë muzikë që kemi. Sigurisht që do zhduket identiteti muzikor. Ndaj e ardhmja e muzikës shqiptare është një e vetme. Të taksohen këngëtarët për çdo dasmë, për çdo koncert, apo mbrëmje muzikore ku ata shkelin. Sa kollaj i shkoni hallexhinjve për 100 lek në shtëpi. Aq kollaj merruani lekët tona edhe këtyre. Të shohim pastaj a do kenë më para për silikon e photoshop. Ah dhe ju lutem më thoni ajo bashkë me deputetin, sa lekë kanë paguar për pensionet e të moshuarve se nuk më zë gjumi natën…

Sqarim: Gjithçka që shkruhet më sipër, është qëndrim personal i gazetarit Flavio Qarri.

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password