lefuture

Si ta kaloni një fundjavë të qetë? Lexoni këto 10 sugjerime…

original

Disa plane duhen bërë edhe për fundjavë, për t’u qetësuar në maksimumin më të mundshëm. Ja disa këshilla si t’ia bëni. Nëse mendoni ta kaloni pa bërë asgjë, atëherë thjesht do të mërziteni më shumë… Pas një jave të lodhshme pune, më në fund erdhi edhe e premtja dhe e shumëpritura fundjavë pushimi, që gjithsesi ikën shumë shpejt, si era! Sa e sa herë ju ka ndodhur ta pyesni veten të dielën në mbrëmje se pse koha kalon kaq shpejt? Ja disa këshilla se si ta shmangni këtë gjë, duke shfrytëzuar sa më mirë kohën tuaj për t’u argëtuar, për t’u qetësuar dhe për të grumbulluar të gjitha energjitë e nevojshme për fillimin e një jave të re…

1. Bëni një plan…

Jeni të zënë gjatë gjithë javës dhe kur më në fund vjen fundjava, e vetmja gjë që doni të bëni është…asgjë. Fatkeqësisht është e pamundur që të mos bëni “asgjë”: kështu do të përfundoni duke e shpenzuar kohën në mënyrë jo të frytshme dhe më pas ta gjeni veten duke pyetur se ku përfundoi fundjava juaj! Ndaj, për këtë qëllim është e nevojshme të bëni një plan të të gjitha gjërave që doni të bëni, shkruan “gazeta-shqip.com”. Për shembull nëse doni të bëni shopping, një shëtitje në park apo nga liqeni, një udhëtim të shkurtër në plazh etj. Zgjidhni diçka dhe çojeni deri në fund “misionin”.

2. …por mos përmbushni çdo minutë

Vetëm sepse keni bërë një listë planesh nuk do të thotë se ju duhet ta zini të gjithë ditën sikur të ishte një e mërkurë e zakonshme: planifikoni vetëm diçka dhe lërjani derën hapur ngjarjeve të ndryshme, ndoshta dhe të minutës së fundit.

3. Organizoni një pasdite jashtë shtëpisë ose qytetit

Për të bërë një pushim ndryshe nga e përditshmja nuk është e nevojshme të shkoni në fund të botës: mjafton të gjeni një vend të këndshëm për të kaluar aty gjysmë ore ose një orë larg shtëpisë. Ideal do të ishte një piknik ose një shëtitje e bukur me të gjithë familjen.

4. Bëni pak aktivitet fizik

Mjafton të bëni qoftë edhe një ecje me hap të shpejtë: do të ndiheni menjëherë shumë mirë. Kjo gjë do t’ju ndihmojë që të hiqni mendjen nga rutina e përditshme shtëpi-makinë-zyrë.

5. Gjeni pak kohë për të mos bërë asgjë

Shumë kohë pa bërë asgjë duke ndenjur kot do t’ju mërziste, por pak prej saj do të ishte një bekim i vërtetë. Shijojeni ndenjen në divan.

6. “Shkundeni” veten nga “depresioni” i të dielës

Mbase ju ka ndodhur shpesh që të trishtoheni shumë kur mendoni se e shtuna kaloi shpejt dhe se pak orë ju ndajnë nga e hëna e lodhshme. “Luftojeni” këtë duke bërë diçka argëtuese, por të qetë, si për shembull planifikoni një darkë intime.

7. Planet e të tjerëve janë planet tuaja

Kini parasysh edhe planet e të tjerëve dhe mundohuni të kuptoni se si mund t’i përshtatni ato me tuajat. Fundja argëtimi nuk bëhet vetëm!

8. Mos bëni (shumë) punë shtëpie

Larja, hekurosja dhe gatimi ndonjëherë marrin shumicën e kohës në fundjavë. Është e vërtetë se për to nuk ka kohë tjetër përveçse gjatë fundjavës, por mundohuni që të mos e ekzagjeroni. Një zgjidhje do të ishte që të gjitha punët t’i bënit të premten në mbrëmje dhe fundjavën ta kishit të gjithën për veten.

9. Gjeni 5 minuta për të planifikuar javën

Nëse vuani nga depresioni i orëve të fundit të fundjavës atëherë shmangeni atë duke bërë një listë me planet që do të përmbushni gjatë javës se re. Këtë duhet ta bëni në mënyrë shumë të zakonshme, pra pa stres. Për ju do të jetë më e thjeshtë, nëse do të dini se çfarë ju pret.

10. Fikeni kompjuterin

Në fakt këtë nuk duhet ta merrni si një këshillë, por si një urdhër. Interneti nuk ndalet asnjëherë së qenë aty, ndaj bëjeni ju hapin e parë duke e fikur atë për të shijuar një ose dy ditë larg jetës virtuale. 

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password