Të ndërtosh një marrëdhënie është njëlloj si puna e asaj farës që duke e ujitur dhe plehëruar çdo ditë shndërrohet pak nga pak në një kërcell të fortë, nga i cili dalin sytha të shëndetshëm dhe lule. Por, në qoftë se nuk i jepni përkujdesjen e merituar rrezikoni që t’ju thahet shumë shpejt dhe të ketë një fund që nuk do e dëshironit. E tillë është edhe marrëdhënia në çift, shpeshherë gjërat nuk shkojnë ashtu si doni dhe fundi është shumë më i afërt nga ç’mund ta merrnit me mend. Sigurisht që çdo marrëdhënie ndryshon nga njëra-tjetra, por ekzistojnë disa sinjale paralajmëruese të përbashkëta që lajmërojnë për ndarjen e mundshme të një çifti. Living ju zbulon cilat janë ato dhe uron në të njëjtën kohë që të keni sa më pak grindje e ndarje me partnerët tuaj:
1.Nuk flisni më si më parë: Komunikimi është baza e çdo marrëdhënieje njerëzore. Nëse vini re se në lidhjen tuaj në çift gjërat po shkojnë drejt zbehjes dhe flisni gjithmonë e më rrallë jo vetëm për gjërat e rëndësishme, por edhe pyetje bazike si psh ”Si kalove sot ?”, atëherë e ardhmja nuk do të jetë e mirë për lidhjen. Mungesa e komunikimit mund të vijë, sepse nuk ju intereson të dini më gjërat e personit tjetër ose ngaqë nuk keni më se çfarë të diskutoni. Në të dyja rastet, përfundimi do të jetë një ndarje e hidhur.
2.Grindeni me njëri-tjetrin: Është mëse normale që në një lidhje të ketë ulje-ngritje, moemnte të gëzuara, por edhe fërkime e mërira. Acarimi mund të shkaktohet nga mënyra se si gjërat po shkojnë mes jush dhe pikërisht ky padurim ndaj njëri-tjetrit tregon se truri juaj nuk po prodhon më substancën “magjike” të dashurisë që ju verbon ndaj gabimeve të tjetrit. Është çasti të ndalni marrëdhënien dhe të mendoni për një ndarje paqësore. 3.Nuk keni më kohë për njëri-tjetrin: Sado të zënë që të jeni përgjatë ditës, nëse ekziston dëshira mund të gjeni kohë për njëri-tjetrin. Nëse papritur nuk përpiqeni të krijoni hapësira për t’u takuar, për të ndenjur bashkë apo për aventura në çift, kjo është një shenjë se gjërat nuk janë si më parë. Duke mos patur kohë, tregoni se nuk dëshironi të vazhdoni të jeni nën praninë e njëri-tjetrit.
4.Marrëdhënia ju lodh: Nëse ndiheni të lodhur nga të qenët në një marrëdhënie, kjo nuk ka lidhje me dëshirën tuaj për të qenë beqarë, por është diçka që nuk shkon në marrëdhënien e krijuar në çift. Mund të mos e kishit menduar kurrë që do të vinte kjo ditë, por e vërteta është se çasti ka mbërritur dhe duhet të ‘burrëroheni’ për të diskutuar haptazi për atë që dëshironi të bëni më tej.
5.Nuk thoni më “të dua”: Kjo nuk do të thotë se dashuria është zhdukur nga lidhja juaj, por me siguri që nuk arrini ta ndieni më aq fuqishëm. Mund të jeni duke pritur që ta thotë i pari personi tjetër fjalën “të dua”, por edhe ai mund të jetë duke pritur për ju. Kjo lojë pritjeje nuk ju shërben aspak dhe në disa raste mund t’ju çojë drejt ndarjes./Living