• youuinsttaaffccbb
TEST
2, Intervista, Who VIP

Renato Mekolli: Do vazhdoj të jem ‘djalli’ në kuzhinë, përgjigjja ime për zonjën Tefta

Shefi i njohur i kuzhinës, Renato Mekolli, iu përgjigj sot në renatomekolli.com të gjitha komenteve për show-n e famshëm të kuzhinës ‘Hell’s Kitchen’. Mekolli rrëfen për gazetarin Eraldo Rexho në rreshtat që pasojnë pritshmëritë e tij, që mesa duket janë plotësuar…

Renato, ka nisur prej dy javësh në ekranin e ‘Top Channel’, formati i famshëm “Hell’s Kitchen”, ku ti je në rolin e shefit ekzekutiv të të gjithë show-t. Ka patur shumë, po shumë komente, si asnjëherë tjetër për ty. Shumica e njerëzve janë marrë me sjelljen tënde shumë arrogante ndaj konkurrentëve. Çfarë do të thuash ti për këtë?

Nuk është se nuk e prisja. E prisja me thënë të drejtën, por nuk është ky një format që unë e krijova vetë. Është një format amerikan, një patentë e blerë, në të cilën unë thjesht po bëj rolin tim, rolin e një shefi kuzhine që jep të gjithë argumentet e tij dhe të gjitha reagimet në kohë reale brenda, pasi çdo pjatë dhe çdo ushqim që kalon aty ka të bëjë me shëndetin e klientit dhe gjithçka duhet të jetë e kuruar në detaje. Dhe po përpiqemi të ndërtojmë një restorant të mirë, nuk po flasim për restorante që janë…

Ti po më thua që në çdo restorant shefat bërtasin?

Në restorantet e mira dhe në restorantet ku shefat janë të çmendur pas punës së tyre, e bëjnë atë gjithë pasion, patjetër që bërtasin dhe reagojnë.

Reagojnë aq keq sa të thyejnë pjatat dhe të përplasin tavat?

Edhe më keq. Ky është një format që është në shumë vende të botës dhe jep realisht jetën e historinë brenda një kuzhine, se çfarë ndodh aty brenda.

Kështu bën ti edhe në restorantin tënd?

Deri diku po, por kur ti ke lidhur një skuadër, kur ti ke rritur një skuadër, kjo skuadër është mësuar me karakterin tënd, me ato që ti kërkon, me detajet dhe me çdo gjë. Kështu që skuadra ime mua më kupton shumë mirë. Kur vijnë punëtorë të rinj, kandidatë të rinj për kuzhinë, sigurisht që reagoj dhe thonë çfarë reagimi ka ky shef, por janë reagime normale, sepse unë jam shumë kërkues në punën time dhe për këtë nuk toleroj aspak.

Domethënë mendon që pasi të të njohin konkurrentët në “Hell’s Kitchen” nuk do bërtasësh më, pra do të ndryshosh?

Patjetër që do të ndryshoj, sepse dalëngadalë konkurrentët do të largohen dhe do të mbeten më të mirët dhe sigurisht që më i miri do të marrë edhe çmimin e madh, që do të jetë një kontratë 1-vjeçare me restorantin tim ‘Umami’, por edhe një shumë të madhe parash, që sigurisht do ta marrë më i miri dhe tek më i miri ti nuk ke çfarë reagon më.

Po komentet e kolegëve të kuzhinës si i ke parë? Personazhe të njohur nga bota e ekranit i komentuan negativisht gjestet e tua…

Ka pasur ndër ta shefa kuzhine? Kush janë këta njerëz të njohur të ekranit, shefa kuzhine që paskan reaguar. Nuk besoj se një shef kuzhine do të reagojë duke qenë se e di shumë mirë, brenda palcës, sesi funksionon kuzhina e një restoranti. Për kë shef e ke fjalën?

Zonja Tefta konkretisht…

Zonja Tefta? Po kush është Zonja Tefta? Se Zonja Tefta me sa di unë nuk është shefe kuzhine, është një personazh televiziv, që krihet bukur, që vë make up-in bukur, që i ka thonjtë e lyer, me byzylykë dhe gatuan bashkë me prezantuesen ose nëpër restorante të tjera me njerëz të njohur. Në qoftë se e ke fjalën për Zonja Teftën, komente të tilla nuk më interesojnë aspak sepse Zonja Tefta nuk e di se çfarë do të ndodhë brenda në një kuzhinë, nuk e ka idenë dhe këta njerëz mua nuk më interesojnë. Patjetër që mua më bezdis kur thonë kemi shumë merak sesi do të jetë e ardhmja e atyre që e kanë pasion këtë gjë dhe nëse do ndikoj negativisht për studimin e tyre në kuzhinë. Nëse ne presim nga një ‘reality show’ gatimi, – i cili të tregon se çfarë ndodh në një kuzhinë, tensionin, presionin për t’i bërë gjërat mirë dhe në kohë – që mos studiojnë për kuzhinë, atëherë më mirë mos shkojnë fare. Duhet të dinë dhe të jenë shumë të qartë të gjithë, që kjo gjë nuk është as shaka, as lojë. Ne kemi një problem shumë serioz që nuk ka profesionistë dhe duke qenë se nuk ka profesionistë, është bërë i gjithë ky lëmsh sa në çdo restorant që shkojmë themi që nuk hahet mirë. Patjetër që nuk hahet mirë, përderisa ne i përkëdhelim. Realiteti është ky që shikoni në “Top Channel” dhe në “Hell’s Kitchen”. Kujt i pëlqen le ta shikojë, kujt nuk i pëlqen të ndërrojë kanalin.

Foto: @revistabordo

Të kanë komentuar gjithashtu për njëfarë kopje ndaj shefit të famshëm Gordon Ramsay, krijuesin e kësaj patente…

Ai dhe stafi i tij e kanë krijuar këtë patentë dhe si çdo patentë edhe kjo ka direktivat e saj, por nuk bëhët fjalë për kopje. Unë e kam ëndërruar gjithnjë që të vendosja kamerat në kuzhinë dhe të shikoja reagimet e të gjithëve. Nëse do të quhej kopjim atëherë i bie që edhe ‘Big Brother’ është kopjim, edhe Arbana Osmani kopjon, edhe Alketa Vejsiu kopjon, edhe Vera Grabocka kopjon, edhe Adi Krasta kopjon, të gjithë kopjojnë. Është një patentë e blerë.

Pjesa e kopjimit ka qenë për reagimet. Ti dhe ai keni patur pak a shumë të njëjtat reagime…

Në çdo vend të botës po të shikosh, në Itali, në Britani dhe në shumë shumë vende të tjera, janë të njëjtat reagime. Patjetër që shefat reagojnë në mënyra të ndryshme sepse karakteret janë të ndryshme, por që thelb është reagimi i drejtpëdrejtë me shefin dhe me stafin. Dhe nuk është një kopjim, është një patentë e blerë dhe ti zbaton patentën që ata të japin. Në qoftë se ti nuk e zbaton, patenta ka dështuar dhe të hiqet e drejta për këtë emision. Nuk mund të bëj unë në “Hell’s Kitchen” aktrim apo këndim, nuk ka lidhje. Është “Hell’s Kitchen” dhe titulli vetë ta thotë.

Çfarë do të sjellë në javët e ardhshme ky format?

Do të ketë shumë gjëra interesante. Domethënë javën e ardhshme do të jetë jashtë studios, ku konkurrentët do të gatuajnë për fëmijët, në natyrë dhe patjetër që aty, duke qenë se ne gatuajmë për fëmijët, edhe shefi vetë zbutet. Unë ia kam dhënë të gjithë vëmendjen fëmijëve, por në momentin që ne kthehemi për të vazhduar sfidën tonë në restorantin e “Hell’s Kitchen”, aty kthehet shefi në normalitet. Sigurisht që do të ketë personazhe shumë të njohur që do të jenë të ftuar, njerëz që do të japin diçka më shumë, por vetë formati ka shumë për të dhënë sepse është një ‘reality’, është një staf i kuzhinës i cili do të ndiqet nga kamerat dhe do të ndiqet se çfarë bëjnë ato në një dhomë, në një shtëpi. / revistawho.com