• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

Nëpër historitë e “Dua të të bëj të lumtur”, Arbana Osmani: Shqipëria që njoha përmes copash lumturie dhe dhimbjeje

Nga revistawho.com / Foto & Video: Eduart Grishaj

Është kthyer tashmë në një zakon, ky rrëfim i Arbana Osmanit për “RevistaWho.Com”, me nisjen e sezonit të ri të “Dua të të bëj të lumtur”, programit që prej tre vitesh mban përpara ekranit të televizorit çdo të shtunë mbrëma të gjithë familjen. Dëshira për ta parë atë në TV është gjithnjë e njëjta, sepse njerëzit e duan Arbanën për atë që sjell në shtëpitë e tyre… Është thuajse gjithnjë e para në sondazhet e moderatoreve të preferuara, pëlqim që reflektohet edhe në shifrat e audiencës sa herë që ajo shfaqet në një format. Prej tre sezonesh drejton atë që vetë ka vendosur ta quajë programin e njerëzve të zakonshëm me histori të jashtëzakonshme, programin e shqiptarëve, të të gjithëve, që e ka bërë Arbanën ta njohë dhe ta dojë më shumë këtë vend.  

3 sezone “Dua të të bëj të lumtur”, ku në krye të tij qëndron Arbana. Është ky programi që ke dashur gjithnjë?

Ky është një nga programet më të dashura për mua, për nga emocionet dhe emotivitetin që përçon çdo histori. Të vënit në qendër të tij, njerëz të zakonshëm me histori të jashtëzakonshme besoj e bën të veçantë. Është i gjithi një surprizë e madhe, as unë e as stafi im që pretendojmë se i njohim personazhet para se të hyjnë në program, realisht nuk e dimë kurrë se ç’rrjedhë do marrë historia gjatë programit. Dhe kjo gjë mua më pëlqen pafund. Nuk kam qenë kurrë fan i programeve super të strukturuara ose të ndërtuara mbi fallcitetin ku dihet çfarë ndodh. Ky është padiskutim edhe programi më i vështirë televiziv që unë mund të kem ndërtuar e drejtuar ndonjëherë por, kënaqësia dhe frymëzimi që vjen nga njerëzit e thjeshtë e bën çdo vështirësi të kalueshme.

Mes historive frymëzuese me fund të lumtur dhe fatkeqësive, çfarë mëson Arbana?

Që duhet ta jetojmë çdo ditë si të jetë e fundit, që duhet të jemi mirënjohës për atë çka kemi, që duhet të luftojmë për atë që duam, që duhet të duam veten në radhë të parë, sepse vetëm kështu mund të duam të tjerët; i gjithë ky program ka gjeneruar leksione jete, jo vetëm për mua.

Jeni vënë në shenjestër vjet për histori të ndryshme, për trajtimin që i është bërë atyre, mërzitet Arbana, dorëzohet?

Po, vjet ka patur në mënyrë të veçantë një rast, për të cilin nuk jam krenare për trajtimin që iu bë në program. Duke patur tendencën që personazhe të caktuar të mos i dëmtojmë e cënojmë në të shkuarën e tyre, kemi zgjedhur të mos tregojmë detaje “të errëta” e “të pakëndshme” në mënyrë që historia të ketë një përfundim të lumtur, sepse ai është qëllimi në fund të fundit. Vjet ne patëm një histori ku dy vajza të mitura na kërkonin t’i largonim nga jetimorja. Ajo histori kishte plot të pathëna për babain e tyre, të cilat me dashje ne nuk donim t’i bënim publike për të mirën e vajzave. Ne e pasqyruam historinë në program dhe ajo që dëshironim ishte një e ardhme më e mirë për vajzat, pa pasur asnjëherë si qëllim promovimin e një besimi fetar, më shumë se tjetrin.

(E përditësuar) Sot, mësova që falë programit vajzat nuk janë më në jetimore (prej tetorit të këtij viti, kur ka qenë muaji i fundit që kemi kërkuar informacion). Jehona e emisionit, bëri që të shkonim drejt një zgjidhjeje dhe vajzat të jetonin me babain e tyre dhe pjesën tjetër të familjes. Ajo që ne donim, ishte që vajzat të kishin një familje ku të ndiheshin mirë dhe jam shumë e lumtur që ato tashmë kanë një shtëpi.

Një nënë e një djali, sa të vështirë e ka të përballojë emocionet në histori të trishta?

Unë si natyrë jam shumë e ndjeshme, dhe mëmësia ma ka përforcuar dyfish këtë cilësi. Vetë e keni parë që prekem ashtu si shikuesit me histori të ndryshme… Të gjithë prekemi, sepse në ato momente mendojmë të dashurit tanë.

Mendon që është ky emisioni i shqiptarëve?

Jam shumë krenare të pranoj që ky është programi më gjithpërfshirës ndonjëherë. Çdo moshë, çdo komunitet, cëdo fe, nga çdo vend ku ka shqiptarë.

Në këto vite “Dua të të bëj të lumtur” çfarë ka mësuar Arbana për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Oh shumë gjëra. Fillimisht që janë njerëz shumë të fortë, realisht, me atë histori dhe të kaluar që kane patur prindërit tanë, ndryshimi i sistemeve dhe pastaj problemet e vazhdueshme social-ekonomike kanë qenë një sprovë e frikshme. Kam mësuar që fatkeqesisht në këtë vend ka ende shumë rëndësi opinioni dhe gratë janë ato që e vuajnë më shumë këtë. Kam mësuar gjithashtu që brezat e rinj janë shumë më të lirë dhe më të guximshëm për të jetuar jetën e vet siç duan ata.

Cilin nga mësimet e “Dua të të bëj të lumtur”, do t’ia mësosh Jonit?

Që ashtu siç shumë nga njerëzit që kam njohur në program, të mos dorëzohet kurrë dhe të besojë gjithmonë te vetja.

Pos “Dua të të bëj të lumtur” a ka një tjetër format të dashur, që e ke bërë ose do ta bësh?

Ka plot, dhe mezi po pres të bëjmë gjëra të bukura bashkë. / revistawho.com

CLOSE
CLOSE