lefuture

Në shtëpinë e Eranda Libohovës për festa (FOTO)

eranda-2

Këngëtarja e dashur e skenës hap dyert e shtëpisë për “WHO” në këtë vigjilje festash

Nga Suada Daci/ Fotot: Endrit Mërtiri

Muajin dhjetor e lidhim pashmangshmërisht me imazhin e festave, dhe kjo atmosferë pa dyshim që ndihet edhe në shtëpinë e këngëtares së dashur të skenës shqiptare, Eranda Libohova. Në këto ditë dimri, kur grija është kryefjala e rrugëve të Tiranës, në shtëpinë e Erandës mbizotëron gjelbërimi. Këngëtarja jeton në një shtëpi private së bashku me nënën, Tekilën (qenin) dhe lulet e saj, që janë të shumta, të freskëta dhe plot ngjyra në këto ditë të ftohta dhjetori. Gjithçka e ka një shpjegim. Eranda kujdeset shumë që lulet të jenë gjithnjë të freskëta, duke i mbrojtur ato nga acari dimëror… Por ngjyrat dominojnë jo vetëm jashtë, por edhe në brendësi të shtëpisë së saj, e kjo lidhet edhe me natyrën solare të vetë këngëtares, që na fton me buzëqeshje të hyjmë brenda. Eranda bashkë me Tekilën na tregojnë “me rehat” çdo qoshk të shtëpisë, që është arreduar me shumë shije nga vetë artistja. Këndit të preferuar të Erandës (divanit të saj të kuq), përveç pultit të televizorit, kondicionerit, telefonit fiks, i është shtuar edhe pema e Vitit të Ri, detaj ky që e bën artisten t’i kalojë ditët e festave me shumë kënaqësi në oazin e saj të qetësisë…

Si është marrëdhënia jote me shtëpinë, sa kohë shpenzon në të? 

Unë kaloj shumë kohë në shtëpi dhe është një vend që më tërheq shumë. Prandaj dhe dua ta arredoj atë sa më bukur, duke shfletuar shpesh katalogë të ndryshëm dhe duke zgjedhur gjithnjë gjërat më të bukura për të. Për mua shtëpia është rehati, është oazi im, ndaj dhe ndihem mirë (qesh)…

eranda-1

Pse ke zgjedhur të jetosh në shtëpi private dhe jo në apartament?

Që kur kam lindur kam jetuar në shtëpi private. Më pëlqen hapësira që shtëpitë private të ofrojnë dhe, në të njëjtën kohë, edhe fakti i të mos pasurit njerëz të tjerë mbi kokë. Shtëpia ime është në një rrugicë të vjetër “tironse” dhe unë ndihem shumë mirë në këtë lagje.

Cili është këndi yt i preferuar, aty ku Eranda kalon më shumë kohë?

Kam një divan të kuq prej lëkure; aty kaloj pjesën më të madhe të kohës, sepse kam përballë televizorin, në krah telefonin fiks, celularin, pultin e kondicionerit (sidomos tani në dimër!) dhe laptopin. Çfarë të kërkoj më shumë nga jeta (qesh)?!

Më the pak më parë që në shtëpi ndihesh shumë rehat, dhe nuk ke faj, sepse është një shtëpi e madhe dhe e rrethuar me lule. Sa kujdesesh për to?

Për lulet kujdesem shumë, veçanërisht tani në dimër. I mbuloj që të mos i “vrasë” ngrica; ato që janë pak më delikate i fus brenda. Me pak fjalë, lulet janë oksigjeni i shtëpisë sime.

Lulja e preferuar?

I kam të gjitha… Kur zgjohem në mëngjes, më bie limoni përballë, aroma e jaseminit më kënaq gjithashtu. Nuk dua t’i rendis, sepse, ngaqë kujdesem vetë për to, i dua të gjitha pa përjashtim.

eranda-4

A bën Eranda punë shtëpie?

Si jo! Më pëlqen shumë të bëj punë shtëpie, veçanërisht ato të Vitit të Ri (qesh). Ndonëse nuk më bie rasti të bëj përditë, sepse kam mamin që më ndihmon, punë shtëpie bëj sa herë të më jepet mundësia. Sidomos kur më bie, siç i themi ne, dallga (qesh), e kthej shtëpinë përmbys dhe filloj të pastroj me shumë dëshirë.

A i fton miqtë për dreka apo darka në shtëpi?

Sigurisht që unë kam rrethin tim të ngushtë të mikeshave dhe i ftoj shpesh ato, por nuk mungojnë asnjëherë familjarët, motra, mbesa etj. Në shtëpi më shumë mblidhemi për çaj.

[metaslider id=10191]

Si e ke marrëdhënien me gatimin?

Unë ha çdo gjë. Sigurisht që jam e kujdesshme të mos e teproj në sasi. Mua më gatuan mami akoma (qesh).

Gjella e preferuar nga dora e mamit?

Mami im ka bërë dikur byrekë shumë të mirë, por, duke qenë se tani është moshë e madhe (86 vjeçe), nuk preferon të bëjë byrekë me petë të blera (qesh), ndaj s’na bën fare. Gjella e preferuar nga dora e mamit është gjella me presh dhe me mish (qesh). Kur isha e vogël, s’më pëlqente fare, ndërsa tani them: ç’paskam humbur! S’ka si gjellët e shtëpisë, janë shumë herë më të mira se ato të restorantit!

Dimë që një pjesë të rëndësishme në shtëpi zë edhe qeni yt Tekila, një mini doberman i lezetshëm. Sa kujdesesh për të?

Unë vetëm për mamin, Tekilën dhe lulet kujdesem (qesh)!

E mban brenda në shtëpi?

Kafshët nuk i mbaj dot jashtë shtëpisë, jam shumë e ndjeshme për to.

Dimë që ke pasur qen të tjerë para Tekilës; mërzitesh kur ata ngordhin?

Sigurisht që mërzitem, sepse ai të bëhet si një pjesëtar i shtëpisë. Të vjen keq kur të dëmtohet një send, jo më kur humbet një qenie të gjallë! Për më tepër unë që jam mësuar dhe jam rritur me kafshë dhe, siç u shpreha pak më sipër, jam shumë e ndjeshme.

Si u njohe me Tekilën?

Nuk kisha ndër mend të merrja një qen, por kur po merrja ushqim për kanarinat, pashë Tekilën brenda në kafaz dhe më këputi shpirtin. Ishte aq e vogël sa një Ipad (qesh) dhe e mora. Tani është 6 vjeçe.

A ke një kënd në shtëpi dedikuar muzikës?

Kam një vend të vogël, ku janë ca disqe greke që nuk dëgjohen më, sepse tani “YouTube” është më dominant. Në këtë vend janë shumë edhe nga këngët e mia (qesh).

I dëgjon shpesh këngët e tua?

Jo shpesh, vetëm kur më duhet të kërkoj ndonjë material për koncerte.

Festat, ku do t’i kalosh?

Për festa nuk do të jem në shtëpi. Për Krishtlindje jemi në punë.

Pra, do të të mungojë gjeli i detit i gatuar nga dora e mamit?

Jo, jo, ritet e festave do t’i bëj tamam. Gjelin e detit do ta ha përpara (qesh).

eranda-3

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password