close
IntervistaNë Kopertinë

NE KOPERTINE/ Silva Caka: Jeta ime me Nerin dhe Anuarin, peng që nuk shijova fjalët e para të tim biri

SILVA CAKA KOPERTINE

Nga “RevistaWho.com”/ Foto e kopertinës: Ermal Mulla

Nuk ka qenë aspak e lehtë! Gjatë kësaj fushate, im bir ka patur shumë zhvillime në jetën e tij, si artikulimi i fjalëve të para, hedhja e hapave të parë apo edhe dalja e dhëmbit të parë, të cilat i kam marrë vesh dhe përjetuar nëpërmjet teknologjisë, pasi fatkeqësisht nuk kam qenë prezent kur kanë ndodhur. Ky është pengu më i madh që kam…”

Mamaja e Anuarit ka këtë dhembje, kur i vjen fundi muajit më të angazhuar politik. Vajza e kanioneve është rikthyer në bazë, tanimë si e zgjedhur, për një Berat ndryshe, me një shans për të gjithë. Rrugicave të kalldrëmta, kanioneve të Osumit, kishave, kalasë, u është qasur tanimë jo si vizitore, por si njeriu që shënon problemtiakt dhe ngre zërin për to.

Silva Caka është një prej të rinjve të LSI-së që jo vetëm ka spikatur. E pat nisur përfshirjen në politikë vetëm si juriste, por sot është deputete dhe kandidate për parlamentin e ri.

Për njerëzit si ajo, të rinjtë që i kanë besuar kësaj force politike,

thotë se nuk janë një trupë mercenarësh që zbatojnë me përpikmëri çdo urdhër të ardhur nga “lart” dhe përfshirja e tyre në forumin rinor nuk është fasadë, por është realitet.

Tanimë me statusin e mamasë ajo kujton edhe njohjen me bashkëshortin, prej kohës së gjimnazit në ‘Besnik Sykja’. “Marrëdhënia ime me Neritanin është tepër e konsoliduar, pasi ne kemi ruajtur edhe një tipar shumë të veçantë: jemi ende shokët më të mirë të njëri-tjetrit”. Silva kujton veçse një ndryshim se, ardhja në jetë e Anuarit, ka ndryshuar pak prioritetet e tyre tona prej “adoleshentësh të përjetshëm”, si udhëtimet apo festat, por u ka mbushur shtëpinë plot me dashuri dhe të qeshura.

Në këtë intervistë si në një përballje me veten dhe me të tjerë, ajo bëhet një libër i hapur për pritshmëritë e përparësitë e katër viteve që vijnë.

-Si ka qenë ky katërvjeçar në parlamentin shqiptar për një vajzë nga Berati?

Origjina ime, vendi ku jam lindur e rritur është Skrapari dhe Berati, me gjithë bashkitë dhe njësitë administrative që e përbëjnë atë. Është zona që kam përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Nuk ka qenë aspak e lehtë të përfaqësoja këtë zonë, pasi Berati është një qark me problematika të mëdha, sidomos në infrastrukturë. Përpara vitit 2013, Berati ishte komplet i lënë në harresë, madje ishte shndërruar në një xhep të Shqipërisë.

Në këto 4 vite përfaqësim, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme me kolegët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të sjellë investime të reja e për të risjellë shpresën se diçka e mirë do të bëhej edhe për Beratin, Kuçovën, Urën Vajgurore, Poliçanin dhe Skraparin. Fokusi ynë, pa diskutim ka qenë infrastruktura në rrugë, shkolla dhe ujësjellësa, si nevojat më emergjente të banorëve.

Megjithatë, nuk lamë pas dore as punësimin, sidomos të të rinjve, por as turizmin. Falë investimeve në infrastrukturë, por edhe falë përmirësimit të shërbimeve në hoteleri, turizmi, sidomos ai malor, njohën një vrull të madh zhvillimi, i cili nuk ishte parë kurrë më parë.

Besoj që këtë punë të madhe që nisëm, do të kemi mundësinë ta zhvillojmë edhe më shumë e më mirë, në mandatin e ardhshëm.

-Ke kërkuar që LSI të dalë e vetme në zgjedhje që në muajin janar. Pse?

E kam patur dhe vazhdoj të kem bindjen, që në çdo zgjedhje, partitë politike duhet të garojnë vetëm, për të provuar forcat e tyre. Koalicionet zgjedhore, aq më tepër në Shqipëri dhe për shkak të Kodit Zgjedhor që kemi, mund të të japin më lehtë pushtetin, por të privojnë nga interpretimi objektiv i votës dhe i ndarjes se mandateve. Aq më tepër, koalicionet të ngarkojnë edhe me përgjegjësi, të cilat mund të jenë të një force tjetër politike dhe nuk ka pse të marrësh kosto vetëm për hir të koalicionit.

Më vjen mirë që sot partitë garojnë pa koalicione, pasi jam e bindur në fitoren e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne jemi rritur shumë, organizimin partiak e kemi perfekt, rininë e kemi me vete dhe prandaj jam e sigurtë në hapat që kemi hedhur.

Në këtë mënyrë, askush nuk do pretendojë që na fali nga votat e veta, apo që na ndihmoi, pasi të gjithë e dinë që deri më sot, Lëvizja Socialiste për Integrim çdo betejë e ka fituar vetë, siç ishte edhe beteja e fundit për numëruesin e tretë.

-Ke qenë shumë aktive, kam lexuar për përballje me ministra madje. A nuk është pak e vështirë të përplasesh me të mëdhenjtë?

Nëse je i vërtetë, i drejtë dhe i drejtpërdrejtë, nuk është aspak e vështirë të përballesh me cilindo; vështirësi ka kur gënjen dhe shpif, pasi përballja kthehet në autogol. Të “mëdhenjtë” janë aty për t’iu përgjigjur qytetarëve dhe për të justifikuar besimin publik që kanë marrë nga qytetarët dhe duhet të sillen si të mëdhenj. Mirëpo shpesh ndodh që arroganca e fituar nga pushteti, t’i çojë në delir madhështie, gjë që qytetarët nuk e kapërcejnë dot kollaj dhe të ndëshkojnë me votë.

Prandaj, të gjithë duhet të ndërgjegjësohen që pushteti është kalimtar dhe e vetmja gjë që ngelet në fund, në varësi të mënyrës si je sjellë me ata që të japin besimin dhe pushtetin, është respekti ose përbuzja.

-Çfarë do kërkoni për Beratin në katër vitet e ardhshme?

Unë e përmenda pak më parë: Berati ka ende nevoja të mëdha, të cilat vështirë të përmbushen plotësisht edhe sikur t’i dedikosh gjithë buxhetin e shtetit. Megjithatë, në fokus do të vazhdojnë të ngelen rrugët, sidomos ato kombëtare e me pas ato që i lidhin bashkitë me fshatrat.

Ujësjellësat dhe rrjeti energjitik do të jenë një tjetër problem ku duhet të përqendrohemi, pasi rrjeti i ujësjellësave dhe i energjisë janë ndërtuar përpara viteve ’90 dhe nuk është vëne dorë mbi to. Këto rrjete janë tejet të amortizuara dhe shpesh bëhen edhe rrezik potencial për banorët e zonës.

Punësimi do të vazhdojë të mbetet prioritet edhe për këto 4 vite të ardhshme, pasi është shumë e nevojshme që të rinjtë e këtij qarku të rikthehen në vendlindjet e tyre pas kryerjes se studimeve dhe të mos enden rrugëve të qyteteve të mëdha apo rrugëve të Europës, për të gjetur punën që nuk iu ofrohet në vendlindje.

Bujqësia është një tjetër fushë ku do të përqendrohemi, pasi qarku i Beratit ka një bujqësi të jashtëzakonshme dhe njerëz shumë punëtorë, të cilët meritojnë vëmendje më të madhe, për të provuar gjithë kapacitetin e tyre.

-Meqë ke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, si mund të realizohet kjo në një vend si yni, me kaq shumë varfëri?

Është shumë e vështirë… Politikat sociale në vendin tonë lënë shumë hapësirë për diskutim e përmirësim, por pavarësisht hartimit të tyre, është pikërisht varfëria ajo që i bën të pazbatueshme.

Fëmijët sot kanë nevojë për mbrojtje më shumë se kurrë, pasi dhuna në familje mbetet problemi më i madh, por nuk është i vetmi problem që fëmijët kanë.

Një rast konkret i çedimit të politikave sociale, është numri i punonjësve socialë apo psikologëve në institucionet arsimore, të cilët caktohen për çdo 3000 fëmijë. Është absolutisht e pamundur edhe për vetë profesionistët të gjenden afër të gjithë fëmijëve në kohën e duhur!

Mekanizmat e referimit të dhunës në bashkitë e vendit janë pothuaj inekzistentë, çka i bën fëmijët akoma më vulnerabël ndaj këtij fenomeni jo të rrallë në Shqipëri.

Çertifikimi i lloj-lloj institucioneve private dhe personave fizikë, si institucione të edukimit parashkollor dhe 9 vjeçar, është një problem i rëndë, i cili po e nxjerr kokën çdo ditë, me rastet e tmerrshme të keqtrajtimit të fëmijëve.

Mund të flas gjithë ditën për problemet lidhur me fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, por duke i përmendur nuk zgjidhim as 1% të tyre; zgjidhja e vetme është krijimi i infrastrukturës, logjistikës dhe mekanizmave të nevojshëm ligjorë, të cilët i vendosin politikat sociale, në hullinë e funksionimit të plotë.

Me këtë nivel ekonomik që ka Shqipëria, më duket shumë e largët dita kur do të fillojmë të flasim me krenari për këtë temë.

-Muaj më parë, ke deklaruar se “nuk duam trëndafila virtualë” dhe ke kërkuar përfaqësimin e gruas në vendimmarrjen e lartë. A ka ndryshuar gjë nga koha e 8 Marsit?

Për fat të keq jo! Lëvizja Socialiste për Integrim e ka nisur para 5 vitesh këtë betejë të madhe, duke garantuar barazi gjinore në strukturat e saj dhe falë kësaj fryme të brendshme, ishim të gatshëm të bënim ndryshimet e nevojshme edhe në legjislacion.

Mirëpo Parlamenti i Shqipërisë ngriti një komision të posaçëm për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe stërzgjatja e punimeve të këtij komisioni, pa asnjë rezultat, na pengoi që të propozonim ndryshimin e masës së kuotave gjinore që sanksionohen në Kod.

Shpresoj që në mandatin e ardhshëm, me ndihmën dhe përkrahjen e kolegeve gra dhe vajza të Lëvizjes Socialiste për Integrim (që në këtë mandat do të jenë shumë), të bëjmë ndryshimin, i cili në këndvështrimin tim, do të jetë revolucionar dhe historik.

-Pse vendose të hysh në politikë? Çfarë të ka nxitur?

Në fillimet e mia, që të jem plotësisht e sinqertë, nuk kam dashur të jem pjesë e politikës dhe madje edhe angazhimin tim në strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim nuk e konceptoja si “hyrje në politikë”. Kisha dëshirën e madhe për të dhënë kontribut si juriste, në hartimin e Statutit dhe Programit të këtij forumi, prandaj angazhimin e mirëfilltë politik nuk e shihja si diçka që kishte lidhje me mua.

Gjithçka nisi kur u delegova nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit, për organizimin e strukturave të këtij qarku. Organizimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, fokusi i saj tek gratë, fokusi tek punësimi i qytetarëve dhe fokusi i veçantë e mbështetja e të rinjve dhe ëndrrave të tyre, ishin pikërisht arsyet që më bënë ta mendoja shumë seriozisht angazhimin tim në këtë forcë politike. Jam e lumtur që ky fokus vazhdon të jetë i njëjtë dhe që çdo ditë punohet me shumë përkushtim nga ana jonë, për të realizuar qëllimet që i vendosim vetes dhe premtimet që iu bëjmë qytetarëve.

-Si është kjo fushatë për ty, tani që ke fëmijë të vogël?

Nuk ka qenë aspak e lehtë! Gjatë kësaj fushate, im bir ka patur shumë zhvillime në jetën e tij, si artikulimi i fjalëve të para, hedhja e hapave të parë apo edhe dalja e dhëmbit të parë, të cilat i kam marrë vesh dhe përjetuar nëpërmjet teknologjisë, pasi fatkeqësisht nuk kam qenë prezent kur kanë ndodhur. Ky është pengu më i madh që kam…

Takimet tona me të kanë qenë të rralla këto 7 muajt e fundit dhe me zor po pres të dalim me sukses, të cilin si fillim do të doja t’ia dedikoja djalit tim.

-Si është jeta dhe marrëdhënia jote me bashkëshortin? Si jeni njohur? Kur jeni martuar?

Unë dhe Neritani jemi njohur në vitin 2004, në gjimnazin “Besnik Sykja”, ku kemi qenë edhe shokë klase. E jona ka qenë pa diskutim dashuri me shikim të parë, dashuri e cila u kurorëzua me martesë (pa ceremoni dasme) në Mars të vitit 2013. Marrëdhënia jonë është tepër e konsoliduar, pasi ne kemi ruajtur edhe një tipar shumë të veçantë: jemi ende shokët më të mirë të njëri-tjetrit. Unë dhe Neri ndajmë çdo ndodhi dhe ndjesi bashkë dhe kjo na bën të kemi një dashuri dhe respekt shumë të madh për raportin që kemi krijuar. Ardhja në jetë e Anuarit, ka ndryshuar pak prioritetet tona prej “adoleshentësh të përjetshëm”, si udhëtimet apo festat, por na ka mbushur shtëpinë plot me dashuri dhe të qeshura.

-A po e mbani familjen larg vëmendjes e medias? Ju keni qenë shumë aktive, ndërsa ata janë lënë shumë në hije, me dashje e keni bërë? 

Në fillimet e mia të angazhimit në politikë, përpiqesha të tregohesha hermetike për njerëzit e afërt si familjarët apo miqtë, pasi ekspozimi i tepërt ishte diçka që ata nuk e kishin zgjedhur vetë dhe nuk kishin pse të bëheshin objekt i lajmeve të ndryshme, për “fajin” tim. I njëjti arsyetim ishte edhe kur linda tim bir.

Mirëpo me kalimin e kohës e mora lehtë këtë gjë dhe bëra paqe me veten, duke u bindur se angazhimi im publik, nuk do të përjashtojë edhe ekspozimin tim apo të njerëzve të cilët më rrethojnë.

Me këtë mori portalesh që edhe politikën e trajtojnë si “lajm rozë”, kjo është një kosto e pashmangshme dhe ty nuk të ngelet të bësh asgjë tjetër, veçse të mësohesh me idenë.

-Sa ndikon ai në raportet e tua me punën, parlamentin?

Neri është një nga njerëzit më racionalë që njoh dhe unë shumë shpesh i drejtohem për këshilla, të cilat gjithmonë kanë ardhur në formën e duhur dhe në kohën e duhur. Është shumë kritik për daljet e mia publike, qoftë në foltoren e Parlamentit, ashtu edhe në intervista të ndryshme televizive dhe unë pothuaj gjithmonë i besoj instinktit të tij dhe këshillave të tij. Raporti që kemi ndërtuar me njëri-tjetrin na lehtëson komunikimin dhe mua personalisht më jep shumë siguri në hapat që hedh.

-E kishte bezdi kur dilnit në foltore ose me deklarata që shpesh atakonin burra të tjerë, emra të tjerë partish?

Ne të dy bëmë një “marrëveshje” në mirëkuptim, e cila si thelb kishte trajtimin e çështjeve në parim, pa hyrë në emra të përveçëm. Nëse do të kishte raste kur një çështje e caktuar lidhej me një emër të përveçëm, atëherë në mënyrë kategorike duhet të shmangia etiketimet, sulmet apo fyerjet personale. Besoj se deri më sot ia kam arritur disi të ruaj këtë ekuilibër, i cili nuk është i nevojshëm vetëm për të mos krijuar divergjenca personale, por edhe sepse duhet kjo frymë e re në politikë, frymë që e bën politikën më parimore dhe më të moralshme.

-Silva, meqë në fushatë thuhet shumëçka, do donim të dinim, se si e ke parë LSI-në në qeveri të ndryshme gjatë këtyre 8 viteve? 

U bë një kohë e gjatë që Lëvizja Socialiste për Integrim ka një rol të padiskutueshëm në politikën shqiptare: atë të të vetmes forcë që garanton qëndrueshmëri.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka përjetuar dy bashkëqeverisje, një të panatyrshme (përsa i përket ideologjisë) me Partinë Demokratike dhe një të vështirë me Partinë Socialiste.

Megjithatë, pavarësisht diferencave të mëdha mes qasjeve tona dhe të dy partive të tjera, Lëvizja Socialiste për Integrim ka ditur të ruajë vlerat dhe identitetin e saj, si një forcë e njerëzve të thjeshtë, që dëgjon dhe zgjidh me aq sa mundet problemet e tyre, që punon për të ruajtur vlerat themelore të demokracisë dhe që mbështet e mbështetet nga të rinjtë.

Ndihem krenare të them se përfaqësuesit tanë në të dyja bashkëqeverisjet kanë qenë funksionarë të cilët jo vetëm nuk kanë sjellë asnjë shqetësim për aleatët, por kanë qenë dinjitozë dhe profesionistë në ushtrimin e detyrave të tyre.

-Megjithëse nuk ka qenë mazhorancë në qeveri, megjithatë, a mund të kishte bërë më shumë LSI në 8 vite si pjesë e qeverive Berisha dhe Rama?

Unë mendoj që bazuar në numrat tanë, si në qeveri ashtu edhe në Parlament, Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë shumë, pasi kuptohet që supremacia në vendimmarrje i takon atij që ka më shumë mandate përfaqësimi legjislativ apo ekzekutiv.

Njëkohësisht mendoj edhe që pavarësisht minorancës, duhet të kishim këmbëngulur dhe theksuar pak më shumë disa fenomene negative që pushtuan politikën shqiptare, sidomos këto 4 vitet e fundit, si kriminaliteti dhe droga.

Shpeshherë kemi heshtur për hir të koalicionit dhe kjo mund të na jetë faturuar si kosto e përbashkët, por gjithsesi, jam e bindur që qytetarët shqiptarë dinë të bëjnë diferencën dhe të ndajnë përgjegjësinë në mënyrë proporcionale me pushtetin.

-Po nxiten prania e të rinjve në politikë, por duket se të rinjtë janë thjesht ekzekutues të asaj që thonë drejtuesit partiakë. Si është ky raport në qeveri?

Raporti i qeverisë me të rinjtë ka qenë në shifrën 5%, pra vetëm 1 ministre në 19 të tillë dhe jo rastësisht kjo Ministre ishte përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Konkretisht Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, e cila ishte vetëm 30 vjeç kur mori këtë detyrë tepër të rëndësishme në kabinetin ministror.

Madje jo vetëm kaq, por Lëvizja Socialiste për Integrim pati edhe 2 deputetet më të reja të Kuvendit të Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj dhe unë.

Prezenca jonë në këto detyra nuk ishte eksperimenti i radhës, përkundrazi, ishte një veprim i mirëmenduar i një force politike, e cila përpara se të predikojë mbi përfshirjen e të rinjve në politikë, e bën atë fakt, në mënyrë që të ishin pikërisht të rinjtë ata që do të hapnin rrugën edhe për të tjerë, që kanë dëshirë dhe potencial për t’u bërë pjesë e politikës në nivelet më të larta.

Lëvizja Socialiste për Integrim tashmë është pa diskutim partia e të rinjve, pasi ata nuk janë një trupë mercenarësh që zbatojnë me përpikmëri çdo urdhër të ardhur nga “lart” dhe përfshirja e tyre në forumin rinor nuk është fasadë, por është realitet, i cili prodhon çdo ditë të rinj të shkëlqyer, organizatorë të jashtëzakonshëm, politikanë të ardhshëm, të cilët dinë shumë mirë të ecin me këmbët e veta në një terren aspak miqësor.

-Kjo fushatë nisi e qetë, megjithëkëtë së fundmi, tonet janë ngritur dhe gjakrat janë nxehur. A duhet që gratë në politikë të jenë ndryshe prej burrave?

Këto ndarje gjinore janë pjesë e disa stereotipeve, që me thënë të vërtetën nuk preferoj t’i “ushqej” shumë dhe që nuk dua të ndikojnë në personalitetin tim.

Unë mendoj që disa profesione apo detyra janë njësoj të vështira, si për burrat, ashtu edhe për gratë dhe politika është një detyrë e vështirë.  Në rast se politika shqiptare do të zhvillohej në kushte të tjera, ku do të mbizotëronte dialogu dhe respekti për tjetrin, nuk do të ishte e nevojshme që gratë të ndryshonin prej burrave.

Mirëpo realiteti është krejt tjetër; mbizotërojnë retorikat boshe që thjesht shtyjnë orët e seancave plenare, akuzat e ndërsjella, fyerjet personale e shumë elementë të tjerë, të cilat si padashje diferencojnë burrat nga gratë.

Do të duhej të diferenconin njerëzit e edukuar, të arsimuar dhe të pergjegjshëm nga ata të paedukuarit, të paarsimuarit dhe të papërgjegjshmit, por në fakt kategorizimi nuk po bëhet bazuar në këto kritere. Kriteri kryesor që po bën diferencën në Parlament është ai gjinor dhe më vjen keq të them, se kjo nuk i favorizon gratë dhe vajzat në politikëbërje./ revistawho.com

 

 

Tags : silva caka
loading...